Pse Edi Rama promovon policë të inkriminuar?

Nga Hysni GURRA

Me ardhjen në pushtet 10 vjet më parë, Edi Rama nisi darkat e rregullta me drejtorët e policisë në qarqe. Dikush duhet ta ketë këshilluar të hiqte dorë nga kjo marrëzi, por kaq.

Nëse deri dje policia kishte informatorë në radhët e krimit, sot duket se janë larguar informatorët dhe kontakti me krimin është i drejtpërdrejtë.

Ndryshe nuk ka se si shpjegohet që gati gjysma e të shpallurve në kërkim në operacionin e fundit të policisë, plot 14 persona u njoftuan paraprakisht dhe ikën nga vendi.

Një vit më parë, u largua me një tekst dorëheqje për t’u mallëngjyer ish drejtori i përgjithshëm i policisë Ardi Veliu. Në një vend normal, Ardi Veliu duhet të ishte para drejtësisë për disa akuza që lidhen me ngjarjen e Elbasanit.

Devijimi hetimeve, gënjeshtra publike. Edhe aty Ardi Veliui në prani të kupolës së policsë së shtetit, për ngjarjen më të rëndë të zgjedhjeve parlamentare, lexoi një test të politizuar, fajësoi viktimën e ngjarjes dhe shfajësoi ata që duhet t’u viheshin prangat.

Po lemë mënjanë gjithë akuzat dhe po themi se Drejtori i Përgjithshëm i Policisë gënjeu publikisht. Zyrtari më i lartë i policisë që gënjen publikisht e ka një hall të madh.

Dhe nuk është hall personal.

Ai ka gënjyer i shtyrë nga shefi i tij. Por meqë e kishte mbushur kupën disa herë dhe për të disatën herë shefi i tij e kishte pirë që të mos derdhej, Ardi Veliu tha se i duhet të rrisë fëmijët, të jetë më pranë tyre dhe se po jepte dorëheqjen. Në një rast unik në botë fëmijët e Veliut u rritën brenda një viti dhe Veliu është sërish në krye te policisë së shtetit.

Shefi i tij e shpërbleu duke e caktuar zëvendësministër, që është post politik. Tani nga zëvendësministër shefi i tij e kthen Ardi Veliun në drejtorin e Agjencisë së Mbikëqyrjes së Policisë. Pra “gjyqësori” i policisë. Një njeri që ka gënjyer publikisht për vrasjen në Elbasan, një njeri që ngatërronte aktoren gjatë pandemisë me jetën reale, një njeri që gënjeu për vrasjet e të riut Rashka, një njeri që u bë shofer i të kërkuarit për trafik droge, thirret për t’u kujdesur për etikën në radhët e policisë?! Latini do të thoshte: O tempora, o mores!

Por duket se tipa si Veliu i duhen shefit të madh.

Për drejtorin e Policisë që ishte së fundmi i hapën fjalë se ka dhënë dorëheqje. Kur nuk dha dorëheqje e shkarkuan. Arsyeja: nuk ka mbushur objektivat. Gjithkush është kurioz të dijë se cilat kanë qenë objektivat që nuk përmbushi z. Nano dhe cilat janë objektivat që ka drejtori i ri z. Rrumbullaku. Por ama kurioziteti kap Himalajet për objektivat që ka në punë drejtori i rikthyer Ardi Veliu.

Pyetja është: a ka ndonjë afat objektivi për të kriminalizuar tërësisht policinë e shtetit? A është kthimi i Ardi Veliut mesazh për zgjedhjet e radhës? Apo prokurori që po heton çështjen e Elbasanit mund të kujtohet që njerëzit në Shqipëri nuk janë budallenj dhe nuk kanë problem me kujtesën për të kujtuar vazhdimisht se Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, në prani të 3 drejtorëve të tjerë ka GENJYER publikisht, dhe u promovua politikisht si zëvendësministër, se prokurori i çështjes, bashkëfajtor në krim u promovua dhe u bë prokuror i SPAK-ut dhe për më tepër e vërteta e asaj që ndodhi 16 muaj më parë në Elbasan është se banditët e rrugës me banditët politikë shto dhe banditët e policisë ishin në një anë të llogores, në llogoren e krimit.

Edi Rama ata që i nxori dekriminalizimi nga politika i ktheu në partinë e tij. Kriminelët me fuqi ekonomike i vendos të kontrollojnë zonat ku nuk ndihet i sigurt në zgjedhje (Shkodër, Dibër, Lezhë, Kukës, Elbasan, Tiranë, Durrës) dhe i vë kapakun duke vendosur mashat e tij në krye të policisë së shtetit.

About Redaksia

Check Also

Ti duhet të duartrokasësh…

Nga Boldnews.al Ti duhet të duartrokasësh SPAK-un. Ai është zemra e Reformës në Drejtësi, që u …

Leave a Reply