Kryengritja e Postribës, Spahia: T’ua kujtojmë fëmijëve këtë pjesë të historisë!

Shkodra nderon sot, martirët e kryengritjes së parë antikomuniste në Shqipëri që nisi në Postribë të Shkodrës më 9 shtator 1946, e ara kryengritje në të gjithë Europën Lindore. Në këtë ceremoni merr pjesë kryetari i PD-së, Sali Berisha.

Në fjalën e hapjes, Kryetari i Bashkisë së Shkodrës, Bardh Spahia, theksoi rëndësinë që ka kujtesa historike, moshartimi i së shkuarës, mësimi i së vërtetës fëmijëve sot, brezave.

FJALA E KRYETARIT TË BASHKISË SË SHKODRËS BARDH SPAHIA

Kryengritja e Postribës, 1946!

I nderuar prof. doktor Sali Berisha,
të nderuar të pranishëm,
banor të njësisë administrative të Postribës.

Jemi sot në Postribë për të përkujtuar një prej ngjarjeve më të rëndësishme jo vetëm për këtë zonë, por për Shkodrën dhe mbarë Shqipërinë. 9 shtatori 1946-es, është dita kur Postriba, Malësia dhe Shkodra u futen kryelartë në histori përmes gjakut dhe guximit të bijve të kësaj treve dhe të gjithë atyre burrave, intelektualëve të ndritur që i dhanë jetë kryengritjes së parë antikomuniste në Europë. Ishte kjo shkëndijë e parë e rezistencës kundër një prej regjimeve më të egra që kishte njohur Europa, që sfidoj terrorin dhe propagandën e kohës, e cila ndersa fliste dhe vepronte në emër të popullit, ndaj këtij të fundit ajo vepronte mizorisht, duke internuar, burgosur e pushkatuar. Bijtë heronj të Postribës, Malësisë e Shkodrës u ngritën në emër të asaj që e kemi dëshmuar në çdo kohë se e kemi të shenjtë, Lirinë!

Kjo kryengritje që i bëri bashkë të gjithë ata burra të urtë, patriot dhe vizionar për të mos e lënë vendin e tyre në greminë, u shtyp me dhunë brutale, nga frika e atyre që kishin instaluar terrorin dhe udhëhiqeshin nga parimet më ç’njerëzore që mendja e një njeriu mund të prodhojë.

Ajo dhunë e pamëshirshme dhe shtazarake, shënoi nisjen e një kalvari të gjatë vuajtjesh e vrasjesh. Akte këto që nuk kursyen as gra e fëmijë. Mjafton të kujtojmë pasojat që pati kjo kryengritje mbi familjet e atyre që i prinë asaj si: Jup Kazazit, Osman Haxhisë, Idriz Tahirit e Abdullah Sahitit. Faktet flasin vetë, kur plot 28 bij të kësaj treve u pushkatuan pa gjyq vetëm në ditët e para të terrorit të kuq, që më vonë nisi të shtrihej kudo në Shkodër, Malësi të Madhe, Pukë e më gjërë. Kjo ngjarje e 76 viteve më parë na flet edhe sot, ndërsa ushton fort jehona e atij akti të ndritur që bënë bijtë e kesaj treve, duke mos kursyer jetën për liri.

Historia na ka mësuar se të gjitha regjimet bien me turp, edhe pse lënë plagë të pafundme të hapura, ndërsa ata që luftuan dhe bënë rezistencë për liri, përjetësohen duke lënë gjurmë ndër breza. Na lind ne detyra ti përkujtojmë e nderojmë përjetë sakrificat e të parëve, prej të cilave duhet të nxjerrim mësime. Kohët ndryshojnë, por shpesh rreziqet përsëriten, prandaj nuk duhet të gabojmë e ta harrojmë të shkuarën.

Sot më shumë se kurrë duhet që fëmijëve tanë t’ua mësojmë këtë pjesë të ndritur të historisë, por ta bëjmë duke i qëndruar të vërtetave, pa rënë pre e tentativave për ta shtrembëruar apo shitur sipas interesave okulte të individëve të caktuar, atë periudhë të errët që pasojat e të cilës, për fatin e keq i vuajmë edhe sot. Koha dhe momentet që po kalon vendi ynë janë dëshmia më e mirë se cfarë kujdesi duhet treguar veçanërisht me brezin e ri, për të mos rrezikuar që të na rrëshqasë në udhëkryqe të rrezikshme.

Duke i përkujtuar dhe nderuar këto data, i bëjmë shërbimin më të madh vendit, sepse Liria dhe përballja me të keqen, janë mburoja më e mirë e vlerave demokratike, për të cilat kemi luftuar dhe përmes të cilave synojmë të jemi në një të ardhme jo të largët pjesë e familjes europiane.

Lavdi përjetë heronjve të Postribës!

About Redaksia

Check Also

Gazetarja denoncon skandalin tjetër/Drejtorët i dhanë vetes tenderin për prishjen e 22 pallateve

Ola Xama ka qenë e ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, ku foli …

Leave a Reply