BEQIR SINA në “Një biografi për dy kohë”

Halil RAMA – Mjeshtër i Madh

• Vepra shumëdimensionale e Beqir Sinës vlerësohet nga personalitete të njohura si: Eliot Engel, ish anëtar i Kongresit amerikan; Dr.Dorian Koçi-Drejtor i Muzeut Historik Kombëtar; Leka II-Princi i Kurorës; gazetari dhe studiuesi i mirënjohur Ilir Ikonomi; studjuesi Sami Repishti; amabsadaori Mal Berisha; aktivisti dhe biznesmeni Ekrem Bardha; Harry Bajraktari, aktivist dhe biznesmen, etj.

Njëzetedy vjet më parë, gjatë vizitës time në Nju Jork, i ftuar nga Fedeata Panshqiptare “Vatra”, me bashkautor gazetarin dhe veprimtarin të saj shembullor Beqir Sina, do të shkruanim dhe botonim në të përditshmen më të madhe të diasporës shqiptare të asaj kohe “Bota Sot”, editorialin “Sot flet historia, Geroge W.Bush apo Al Gore?!”. Ishin zgjedhjet presidenciale amerikane të 7 Nëntorit 2000, kur ne, pasi kishim vëzhguar fushatën e dy kandidatëve potencialë për kreun e Shtëpisë së Bardhë, edituam këtë ngjarje madhore historike në gazetën e përditshme që botohej njëherësh në Nju Jork dhe Zyrih, në mbi 80 mijë kopje.

Në të vërtetë Beqir Sina kishte vite që bashkëpunonte me këtë gazetë, si dhe me Radio “Kontakt”e “RD”, në Tiranë, ndërkohë që unë mbuloja politikën në këtë të fundit.

E solla në memorien time këtë ngjarje, pikërisht të enjten e 8 shtatorit 2022 kur Beqir Sina promovoi në sallën e madhe të Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë librin e tij të parë “ROB – Një biografi për dy kohë”, në praninë e dhjetra personaliteve të publicistikës, historisë dhe letërsisë, nga Tirana dhe diaspora shqiptare.

Nëse para 22 vitesh pata fatin të konstatoja, jo vetëm praninë por dhe kontributin e tij në selinë e Federatës “Vatra” që asokohe drejtohej nga personaliteti i shquar Agim Karagjozi, (e cila për B.Sinën ishte si shtëpi e dytë), tashmë ai i dhuroi lexuesit një libër, të cilin Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, dr. Dorian Koçi, e cilësoi si një kaleidoskop të kohës, duke theksuar se në të nuk gjejmë vetëm biografinë apo jetëshkrimin e autorit, por edhe një udhëtim që na përket të gjithëve. Kjo edhe për faktin se ky libër është biografia e njeriut që jetoi 33 vjet në ferrin e Savrës si i internuar politik i regjimit të diktaturës komuniste, dhe po aq në lirinë e Amerikës. Ndaj dhe që në hyrje të librit Beqir Sina shkruan: “Gjysma e parë e jetës time iku baltrave dhe moçaleve. Kur erdhi dita që vuajtjet e mia mbaruan, unë kisha moshën e Jezusit. Natyrisht, nuk isha i rëndësishëm si Krishti, por ashtu si ai, kërkova dinjitet, drejtësi dhe liri për veten e familjen, ndërkohë që barabajtë e diktaturës dhe profetët e rremë bënin kërdinë në Shqipëri”. Ky është pothuajse lajtmotivi i këtij libri të kompozuar mjeshtërisht në dy kapituj me nga përkatësisht gjashtë dhe shtatë pjesë.

Në pjesën e parë të kapitullit të parë “Familja ime e parë”, vetë titujt e artikujve janë sintezë e biografisë së një familjeje nacionaliste me traditë të lashtë dhe me kontribut madhor patriotik në ngjarje e fakte dominante të historisë sonë kombëtare, por njëherazi edhe e genocidit të pashebullt komunist ndaj burrave e grave të saj. Mjaftojnë për këtë qoftë edhe titujt: “Komunistët vrasin gjyshin”, “Kulla jonë në flakë”, “Internimi i parë”, “Arratisja e dy vëllezërve”, “Pas shtatë internimeve”etj. Ndërsa në pjesët 2, 3 dhe 4 autori rrëfen me gjuhë të pasur ngjarje dhe fakte interesante që konsistojnë në qënien e tij si bir i Dibrës dhe i Savrës’Savra – një histori dhe Familja e tij e dytë. Në këto rrëfime brilante është gjyshi i tij nga babai Beqir Sina (i vjetër) me autoritet në krahinë, që pasi kishte kryer Akademinë e Rendit në Itali, gjatë kohës së Mbretit Zog I kreu detyra të rëndësishmë si ish prefekt i Delvinës, prefekt i Lushnjës, komandant i Regjimentit të Fierit dhe në fund i Dibrës së Madhe. Por pikërisht si pasadhëse e tij, e gjithë familja në vitet e mëvonshmë do të provonte barrën e rëndë të genocidit komunist. Ndaj dhe do të arratiseshin, fillimisht për në ish-Jugosllavi dy djemtë Feriti e Rushiti (të cilët atje i kapën dhe i pushkatuan) dhe më 1957 tre vëllëzërit e tyre, Rasimi, Hashimi e Besimi që fatmirësisht mbrritën në SHBA ku ndërtuan jetën në vendin e demokracisë dhe lirisë së vërtetë. (Rasimi për dy dekada u bë zëri i diasporës shqiptare në SHBA si drejtues i një radioje për bashkatdhetarët, rrugëtim të cilin e përshkoi suksesshëm edhe i biri, Beqiri, autor i këtij libri)

Kalvari i djemve të kësaj familje përshruhet me mjështri të rrallë në këtë libër nga autori Beqir Sina, në dhjetra episode që pasi t’i kesh lexuar të mbeten në mendje, për të mos u shqitur nga memoria, ashtu si edhe veprimtaria dhe publicistika mjaftë productive e cilësore e tij në tri dekadat e fundit të jetës në SHBA. Pikërisht për këtë produkt, autori i parathënies së librit, gazetari dhe studiuesi i mirënjohur Ilir Ikonomi e vlerëson atë si një autobiografi të pazakontë. Kjo sipas tij, për faktin se: “me seriozitetin dhe analizën e një gazetari vëzhgues, Beqir Sina tregon për jetën e tij në internim në Shqipëri dhe për lirinë e gjetur në Amerikë. Këto dy pjesë të librit përbëjnë një c kontrast të thellë, që ai na e sjell me dinjitet dhe me rrëfime interesante”. Ikonomi vlerëson gjithashtu këtë tablo kontrasti midis robërisë dhe lirisë, e cila mban mesazhin se sa rëndësi ka që ne të luftojmë fort për ta ruajtur lirinë, edhe atëhere kur duket se ajo është e garantuar.

Nga ky libër mësojmë se si Beqir Sina që kishte lindur në internim në Savër të Lushnjës, (nëna e tij Hanja, një grua me inteligjëncë natyrore e fisnikëri të rrallë u internua pas arritjes së bashkshortit, Rasimit më 1957 kur ishte shtatzënë me Beqirin barrë në bark) do ta njihte babain e tij për herë të parë në vitin 1991 kur ishte 33 vjeç. Mësojmë për kalvarin e tij gjatë 33 vjetëve të internimit, por edhe faktin se si gazetar, Beqiri ka takuar dhe fotografuar të gjithë presidentët amerikanë që nga viti 1992, ka fotografuar nga afër tre Papë, madje me njërin ka shtërnguar duart, ka takuar kongresmenë e senator, e ka treguar historinë e tij të vuajtjeve përpara shumë audiencave…Dhe nëse këto fakte i rendit në parathënie, gjatë promovimit të librit Z.Ikonomi kujtoi me emocion ngjarje të ndryshme që përcillen në libër, si dhe episode të ndryshme me autorin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ikonomi gjithashtu vlerësoi edhe veprimtarinë e gjerë të Beqir Sinës në Amerikë, miqësinë dhe bashkëpunimin e tij me personalitete të politikës amerikane.

Ndërsa moderatori i veprimtarisë promovuese, Dr.Dorian Koçi – drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, përveçse cilësimit të këtij libri si kaleidoskop të kohës, u ndal edhe në kontributin e autorit si një veprimtar i “Vatrës” dhe bashkëpunëtor i gazetës “Dielli”, por mbi të gjitha edhe për mbështetjen që u jep bashkëkombësve të tij.

Si një nga më të mirët sa i përket përshkrimit të së kaluarës komuniste e vlerësoi librin e Beqir Sinës “ROB – Një biografi për dy kohë” (Botim i “Tirana Times”), edhe studiuesi Albert Rakipi – Drejtor i Institutit për Studime Ndërkombëtare në Tiranë, duke e konsideruar njëkohësisht atë edhe si një homazh për të gjithë ata që u persekutuan gjatë diktaturës.

Vlerësim maksimal pët këtë vepër dinjitoze, Beqir Sina mori edhe nga ambasadori Mal Berisha. Në fjalën e tij shprehu admirim për punën e shkelqyer të Beqirit në këtë monografi, si dhe solli detaje nga njohja e tyre në SHBA. Berisha tha se edhe kjo monografi e shkruar artistikisht me detaje jetësore nga një njeri i letrave si beqir Sina, e pasuron letersinë tonë dokumentare dhe posaçerisht letërsinë e burgjeve.

Libri i Beqir Sinës u vlerësua edhe nga aktivisti dhe biznesmeni Ekrem Bardha, ish i arratisur nga Shqipëria gjatë diktaturës komuniste. Ai tha se ngjarjet dhe faktet që Beqir Sina përshkruan në këtë libër dëshmojnë se komunizmi në Shqipëri ishte një diktaturë e rreptë, e paimagjinueshme dhe ne i dimë vuajtjet e të gjithëve, ndërkohë përcolli mesazhin se shumë pak njihen krimet e komunizmit, vuajtjet e shqiptarëve.. Ekrem Bardha, solli kujtimet e tij me Babain e Beqirit, Rasim Sinën, para se të arratiseshin nga Shqipëria, si dhe jetën në SHBA si verimtar shoqëror, si dhe përsekutimin komunist të famijeve të tyre në Shqipëri.

Po në këtë linjë e vlerësoi librin e B.Sinës edhe bashkëvuajtësi i tij në vitet e internimit, Simon Miraka. Po ashtu, Ramazan Ndreu, bashkëvuajtës në kampin e Savrit, foli për familjen fisnike Sina, për jetën në përsekutimin komunist dhe ma vonë në SHBA.

Si përfundim, për të konkluduar në vlerat shumëdimensionale të librit të Beqir Sinës “ROB – Një biografi për dy kohë”, do të mjaftonin qoftë dhe perifrazimet e disa personaliteteve të shquara, të vendosura jo pa qëllim nga redaktori Ilirjan Agolli, në kopertinën e fundit të tij.

Kështu, nëse Eliot Engel, ish anëtar i Kongresit amerikan që e ka takuar autorin Beqir Sina në shumë prej aktiviteteve të tija si kongresist, në Uashington dhe në Nju Jork, e vlerëson si një gazetar të palodhur për të thënë të vërtetën dhe shpreh bindjen që rrëfimi i tij në këtë libër do të pritet me shumë interesim dhe se historia e jetës së tij do t’i shërbejë edukimit të brezave të ardhshëm, Leka II, Princi i Kurorës e konsideron librin “Një rrugëtim pasionant rrëfyer mjeshtërisht nga i talentuari Beqir Sina, nga internimi në Shqipëri deri në zbulimin e lirisë së shumëpritur në SHBA. Një çelës për të përjetuar të kaluarën dhe për të kuptuar të tashmen!”.

Ndërsa Harry Bajraktari, aktivist dhe biznesmen, shprehet se është një libër që tregon të vërtetën, me fakte dhe hollësi interesante. “Gazetari Sina vuajti në internim dhe Amerika i hapi një të ardhme të bukur, atij dhe familjes së tij. Është një libër që frymëzon. E falenderoj gazetarin Beqir Sina për sakrificën e tij dhe të familjes të tij. Me punën që ka bërë në vite si gazetar e ka pasuruar jetën e komunitetit shqiptar në SHBA”, shkruan Harry Bajraktari.

Për studjuesin Sami Repishti, “Ky libër ashtë nji ngjarje me randësi për bashkësinë shqiptaro-amerikane dhe kontribut çmueshëm për lexuesët shqiptarë kudo që jetojnë. Për lexuesët e huej, dedikimi pa kushte i shqiptarëve dhe veçanërisht i Diasporës në Amerikë mund të jetë nji revelacion. Libri pa dyshim ashtë nji konfirmim i dokumentuem i këtij dedikimi, nji dhuratë për breznitë e ardhme”.

About Redaksia

Check Also

Synimet e Tigrit

Hopi i madh i Indisë së Modi për të mos qëndruar prapa Pekinit, por kontrastet …

Leave a Reply

Your email address will not be published.