Diplomatët europianë: Fjalimi i Ramës dëmton anëtarësimin e Kosovës në KE

Qeveria e Shqipërisë synon të sigurojë mbështetje në Këshillin e Evropës, për rrëzimin e pretendimeve të ish-senatorit Dick Marty, nëpërmjet një fushate lobimi, pjesë e së cilës janë edhe eksponentë politikë nga Kosova.

Por burime të ndryshme i kanë thënë Koha.net se akuzat e Ramës në mbledhjen e fundit të Asamblesë së Përgjithshme dhe përpjekja për ndryshimin e rezolutës, janë ngritur si shqetësim nga disa diplomatë. Palës kosovare, ata ia kanë përmendur efektin negativ që mund të ketë kërkesa për anëtarësim në këtë mekanizëm.

Iniciativën për ndryshimin e rezolutës së Këshillit të Evropës, lidhur me pretendimet për vrasjet e supozuara nga ish pjesëtarë të UÇK-së, Qeveria e Shqipërisë synon ta bëjë duke kërkuar mbështetje nga vendet anëtare. Burime të ndryshme i kanë thënë gazetës Koha.net në Prishtinë, se për këtë qëllim ka nisur edhe një fushatë lobimi për sigurimin e nënshkrimeve në Këshill.

Në zyrën e kryeministrit Edi Rama, kanë thënë se ende nuk kanë informacione rreth iniciativës për rrëzimin e pretendimeve të Dick Martyt.

‘Nuk e kam ende këtë informacion. Sapo të kem ju them’, ka thënë Manjola Hasa nga kabineti i Ramës.

Sipas burimeve të Koha.net pjesë e fushatës lobuese është edhe ish-ambasadorja e Kosovës në SHBA, tani nënkryetare e PDK-së, Vlora Çitaku. Por Çitaku nuk është përgjigjur rreth temës. Ajo dhe Bekim Çollaku, ish-këshilltar i presidentit Thaçi, ndoqën nga afër fjalimin e Ramës në Asamblenë e Përgjithshme të Këshillit të Evropës.

Rama u bëri thirrje vendeve perëndimore që t’i rrëzojnë akuzat e ngritura ndaj ish-luftëtarëve të UÇK-së, në Dhomat e Specializuara, duke i kualifikuar si të trilluara. Por kryeministri i Shqipërisë u kritikua për diskursin akuzues dhe kërkesën për rezolutë.

Madje përfaqësues të Serbisë, Rumanisë dhe Greqisë i kanë quajtur të pakuptimta kërkesat e tij dhe deklaratat në emër të Kosovës.

Burime kanë thënë se diplomatët evropianë i kanë thënë palës kosovare se deklaratat e Ramës mund të ketë efekt negativ në lobimin që po bën Kosova për t’u anëtarësuar në Këshill. Në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës nuk janë deklaruar rreth kësaj çështjeje. Koha.net ka provuar të marrë edhe një qëndrim nga deputetët që së fundi ishin në Këshill- Saranda Bogujevci (LVV), Arben Gashi (LDK) e Besnik Tahiri (AAK), por ata nuk janë përgjigjur.

Për mundësinë e futjes së Kosovës në agjendën e Këshillit, Bogujevci ka folur të premten nga seanca e Kuvendit.

‘Për herë të parë na është dhënë e drejta e fjalës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, si përfaqësuese e Kosovës ndihem shumë e nderuar. Kjo gjë do të ishte e pamundshme pa angazhimin e të gjithëve. Ky është vetëm fillimi, ne jemi në proces të anëtarësimit në Këshillin e Evropës. Kemi shumë punë për të bërë në këtë drejtim, por jemi në rrugën e drejtë, në rrugën e duhur’, ka thënë ajo.

Derisa Bogujevci nuk është marrë me Ramën, atë e ka akuzuar bashkëpartikau i saj, Haki Abazi.

‘Mendoj se për një kohë të gjatë kemi heshtur duke mos dashur ta dëmtojnë marrëdhënien Shqipëri-Kosovë, por deklarimet e fundit të Ramës, kryeministrit të Shqipërisë, nuk mund të kalojnë të heshtura më, sepse, siç e patë edhe nga fjalimi në Këshillin e Evropës paçka që ndërmjet ka thirrje për Kosovën kanë dëmtuar seriozisht çështjet edhe avancimet integruese të Kosovës. Për Kosovën flasin institucionet e Kosovës dhe përfaqësuesit e Kosovës. Marrëdhënia Shqipëri-Kosovë nuk duhet të ndikohet nga agjendat politike’, ka thënë Abazi.

Por deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, e ka falënderuar kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama për fjalimin e tij në Këshillin e Evropës.

‘Faleminderit kryeministër i Shqipërisë, ti nderove gjithë shqiptarët që e duan atdheun dhe vlerësojnë historinë e tyre të lavdishme. Bartësit e institucioneve tona fali. Fali për heshtjen e tyre inatçore, sepse edhe ashtu gjithmonë janë rreshtuar dhe vonuar në drejtimin e kahes së drejtë të historisë tonë kombëtare’, është shprehur Musliu.

Paraprakisht, Kuvendi i Shqipërisë në korrik të këtij viti ia përcolli zyrtarisht Këshillit të Evropës rezolutën – ‘Mbi pabazueshmërinë e pretendimeve për trafikimin e paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë dhe Shqipëri’.

Dokumenti ishte miratuar me votë unanime nga Kuvendi i Shqipërisë më 21 korrik.

/Marrë nga Koha.net

About Redaksia

Check Also

Berisha: Të premten të flakim qelbësirën, kalbësirën e bashkisë dhe me radhë kalbësirat e tjera

“Të premten të flakim qelbësirën, kalbësirën e bashkisë për të flakur me radhë kalbësirat e …

Leave a Reply