Rama për karrigen e tij është i gatshëm të zbatojë çdo urdhër të Vuçiç dhe Erdogan

Kryetari i PD, Sali Berisha akuzoi Edi Ramën se është në shërbim të interesave të Aleksandar Vuçiç dhe Rexhep Taip Erdogan. Gjatë takimit me krerët e degëve në rrethe, Berisha tha se Rama për karrigen e tij është i gatshëm të zbatojë çdo urdhër të presidentit serb, Vuçiç dhe atij turk, Erdogan.

Sipas tij, Vuçiç e ka ngarkuar me mision Ramën për Ballkanin e Hapur, për të dëmtuar Kosovën.

Gjithashtu, Berisha tha se Rama zbaton me përpikmëri urdhrat e Erdogan duke mbyllur shkolla e kopshte dhe ekstradon gazetarë, duke e shndërruar Shqipërinë në krahinë të Turqisë.

“Jemi në këtë proces, më i rëndësishmi që PD ka zhvilluar ndonjëherë për demokracinë e vet dhe vendin. Por nga ana tjetër jemi në prag të asaj situate që kemi përballë një armik të të gjitha këtyre, i cili ka marrë dhe merr çdo pushtet. Merr në duar çdo tender, prokurim, koncesion. Kemi të bëjmë me një njeri i cili për pasurimin dhe karrigen e tij, nuk njeh shoqërinë shqiptare, nuk njeh Shqipëri, nuk njeh komb shqiptar, nuk njeh interes kombëtar, nuk njeh interes publik. I leverdis të marrë vendime anti shqiptare. Për karrigen e tij është i gatshëm të zbatojë çdo urdhër të Vuçiç, Erdogan apo cilido qoftë. Pra, Shqipëria është shndërruar në çiflig të tij. Nuk zbatohet asnjë normë, asnjë ligj.

E ka ngarkua me mision Vuçiçi për Ballkanin e Hapur dhe punon nga mëngjesi në darkë kundër Kosovës, Shqipërisë dhe kombit shqiptar.

I jep urdhër presidenti i Turqisë, një vend mik, por që nuk mund të sillet kurrë në këtë mënyrë, mbyll shkolla, kopshte, transferon gazetarë duke shkelur procedura e çdo gjë, sikur të ishte një krahinë e Turqisë dhe jo një shtet i pavarur. A mundemi ne që të pranojmë një gjë të tillë? Jo nuk mundemi ne.

Edhe ata që punojnë për pushtetin e Edi Ramës ta kenë të qartë se nuk punojnë për bashkëpunimin dhe miqësinë mes dy vendeve. Përkundrazi çdo përpjekje për të forcuar pushtetin e Edi Ramës do të ndeshë në mënyrë të pashmangshme, në kundërshtinë  e plotë të shoqërisë shqiptare me në krye PD, e cila është dhe do të jetë gardiane e interesave kombëtare dhe e dinjitetit të shqiptarëve. Ata që duan marrëdhënie të mira me Shqipërinë, duhet të respektojnë sovranitetin, integritetin dhe dinjitetin e shqiptarëve. Jo se gjejnë një njeri të kapur si Edi Rama dhe të sillen në këtë mënyrë”, u shpreh Berisha.

About Redaksia

Check Also

Protesta, Berisha përshëndet liderët europianë: Garantojmë siguri të plotë miqve tanë

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha e konsideroi si antikushtetues dhe të diktuar nga Edi Rama refuzimin e …

Leave a Reply

Your email address will not be published.