Ish-deputetja e PS kundër Ramës

INTERVISTA

Znj. Mimoza Hafizi, pedagogët janë sot në një protestë kombëtare me disa kërkesa ndaj qeverisë. A janë të drejta kërkesat e tyre dhe të realizueshme?

Kjo protestë kombëtare është përgjigjja e mjedisit universitar ndaj armiqësisë, që politika ka shfaqur hapur e hershëm ndaj tij. Një përgjigje e munguar gjatë, në fakt! Treguesi më i pashembullt i asaj se çfarë ka ndodhur në dekadat e fundit në universitetet publike është stanjacioni i pagave që prej vitit 2004, periudhë gjatë së cilës shpenzimet jetike mund të jenë shtrenjtuar edhe dyfish.

Në këtë kontekst, duket si luks të diskutosh për kërkimin shkencor dhe financimin e tij. Studentët tanë punojnë ende në laboratorë të blerë që para rënies së komunizmit, pa folur për disa laboratorë të asaj epoke që u fshinë nga inventarët vetëm për pamundësi riparimesh e mungesë fizikanësh. Ne ulim sytë e ndihemi të turpëruar sa herë u tregojmë pagat tona kolegëve shqiptarë përtej kufirit. Por, më vjen mirë për ta dhe për shtetin e tyre, që ndoshta është më i varfër në financa, por më i pasur në shpirt e në vizion.

Më vjen mirë edhe për konkluzionin tim se mungesa e respektit ndaj dijes e arsimit nuk është pra çështje alla-shqiptare, jo! Është thjesht çështje grykësie e cektësie. Arsimi i lartë ndodhet në kupolën e shoqërisë, prandaj numri i njerëzve të angazhuar në këtë sistem është shumë i vogël, i papërfillshëm krahasuar me sferat e tjera. Trajtimi dinjitoz i personelit universitar kërkon pak buxhet dhe shumë vizion, cilësi këto pa lidhje me profilin dhe prioritetet e pushtetarëve të sotëm.

A është kjo rruga e duhur për pedagogët që të arrijnë objektivat e tyre? A është kjo protestë me motivacion politik apo është reale e pedagogëve?

E mira do të ishte që ky problem të mos ekzistonte. Fakti që ekziston, tregon se nuk ka ndonjë rrugë tjetër për ta zgjidhur. Problemi sigurisht është politik, përderisa politika mban çelësat e financave dhe vendos për prioritetet e financimit. Por, protesta nuk ka të bëjë me ndonjë parti politike. Unë e mbështes dhe jam solidare më çdo kërkesë, pa pasur nxitje nga asnjë forcë politike jashtë universitetit.

Znj. Hafizi, në ditët e fundit Kryeministri Rama është shprehur se pedagogët duhet të merren me projekte dhe pagën ta kenë si diçka simbolike. Por nëse funksionon kështu, a kanë kohë dhe mundësi pedagogët për t’u marrë me mësimdhënie?

Projektet e Kërkimit Shkencor, që po i shënoj me akronimin PKSH, janë të tilla që mundësojnë pjesëmarrje në grupe kombëtare e ndërkombëtare pune, që mbështesin referimet tona në konferenca shkencore a në shkolla vere për studentët, që në rastin më të mirë përballojnë shpenzimet e ndonjë laboratori të ri, i cili hap dyert për studime të reja, botime artikujsh etj. PKSH nuk janë, pra, PPP, për të marrë lekët e për t’i çuar në shtëpi. Këtu besoj se Kryeministri është konfuz. Ne dëshirojmë e kërkojmë të kemi fonde të tilla për kërkimin shkencor, sepse ato e valorizojnë punën tonë. Por, nuk ëndërrojmë që me këto lekë të zëvendësojmë pagat, që janë burimi i jetës së përditshme. Ne dëshirojmë të jemi pjesë e projekteve europiane, por ta dini që konkurrenca aty është shumë e lartë dhe fituese janë kryesisht ekipe europiane universitetesh në vendet ku financimi për arsimin nuk është 3%, por disafish më i lartë. Ato vende e kanë kuptuar prej kohësh vlerën e mendjes, e kanë financuar atë dhe arrijnë t’i japin vetes e njerëzimit të gjitha të mirat që sjell progresi. Ne jemi në limitet e mbijetesës, meekipe që zvogëlohen nga dita në ditë, me njerëz që duhet të bëhen katrash anekënd për të nxjerrë jetesën e familjes. Këtu doni ta gjeni konkurrencën evropianë?

Si vlerësoni deklaratën e kreut të qeverisë për vetingun e pedagogëve?

Ishte një shantazh i hapur, ndonëse u vetëpërgënjeshtrua. Thjesht nga kjo deklaratë mund të deduktohet se çfarë presioni ndodh nën rrogoz. Gjithsesi, unë nuk çuditem. Në momentin kur pushteti personal të magjeps dhe mbajtja e tij është çështja e vetme që të intereson, armikun do ta shohësh ngado, padyshim. E sapo të nuhasësh një rrezik eventual, do t’i zhveshësh pa drojë të gjitha lëkurat e kortezisë në një betejë “dhëmb për dhëmb”. Nuk e di se si mund të bëhet për t’i dhënë Kryeministrit të kuptojë se pushteti i tij personal është gjëja e fundit që na intereson.

Ju keni qenë në Parlament në 2013 kur PS erdhi në pushtet. A i ka qëndruar PS platformës që ka pasur për arsimin e lartë?

Në vitin 2013, kur unë mora një mandat si deputete, pas një pranie shumëvjeçare në strukturat e PS, platforma mëshonte qartë te arsimi publik. Për këtë arsye, në ato vite unë jam ndjerë mirë. Por, kauza e arsimit publik ka qenë ndër të parat që u braktis haptas nga kjo parti dhe gjithashtu arsyeja e parë që unë u largova prej tyre.

About Redaksia

Check Also

Projekti, Rama zëvendëson Veliajn me Gonxhen

Kur në Tiranë janë organizuar konkurse për projekte të reja, për shembull ngritja e një …

Leave a Reply