????????????????????????????????????

Skandal/ BIRN: Ekspertët e reformës në krye të sistemit, hije dyshimi mbi pasurinë e Sadushit

Emërimi i ish-ekspertëve të nivelit të lartë të Reformës në Drejtësi në pozicione kyçe në institucionet e drejtësisë, për disa vëzhgues ngre shqetësime për vetëavantazhim dhe konflikt interesi.

Nga Edmond Hoxhaj, BIRN

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, KED njoftoi më 14 tetor se në mbledhjen e radhës i ka hapur rrugën kandidimit për një pozicion në Gjykatën Kushtetuese gjyqtarit të Gjykatës Administrative të Apelit, Ardian Dvorani dhe të ish-kryetarit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, KLP, Gent Ibrahimi.

Ibrahimi dhe Dvorani janë dy nga ekspertët shqiptarë të nivelit të lartë që u angazhuan në vitin 2015 në hartimin e Reformës në Drejtësi. Ngjashëm me Ibrahimin dhe Dvoranin pas riformatimit të drejtësisë, një pjesë e këtyrë ekspertëve u promovuan në krye të sistemit.

Promovimi i hartuesve të reformës në krye të istitucioneve kyçe kushtetuese dhe arsimore që përbëjnë sistemin e drejtësisë ka ngritur shqetësime mes vëzhguesve të pavarur dhe organizatave të shoqërisë civile, të cilat kanë ngritur dyshime se ligjet mund të jenë hartur në funksion të promovimit personal dhe jo interesit publik.

“Lajm i keq për integritetin dhe besimin publik tek reforma në drejtesi nëse për shkak të beneficeve ligjore të dhëna vetes apo lidhjeve informale individë të pavetuar apo në konflikt interesi & në lidhje politike, mandatohen në strukturën e lartë drejtuese të sistemit të ri,” shkroi javën që shkoi në Facebook Instituti Studimeve Politike, ISP, duke i bashkëngjitur postimit emrat e pesë ekspertëve të nivelit të lartë të angazhuar në fazën e parë të procesit të Reformës në Drejtësi, shoqëruar dhe me fotot e tyre dhe një pjesë të jetëshkrimit.

Në total në hartimin e Reformës në Drejtësi në fazën e parë të procesit, morën pjesë 16 ekspertë nga brenda dhe jashtë sistemit. Dy nga ekspertët u shkarkuan nga procesi i vetingut, një dha dorëheqjen dhe një tjetër ndërroi jetë, ndërkohë 5 syresh u promovuan në krye të institucioneve të drejtësisë.

Në listën e ekspertëve që u promovuan, përveç Ibrahimiit dhe Dvoranit që kandidojnë për një post në Gjykatën Kushtetuese, është drejtori aktual i Shkollës së Magjistraturës, Arben Rakipi; zëvendëskryetari aktual i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi dhe anëtari i kësaj gjykate, Ilir Panda.

Nga pesë ekspertët e nivelit të lartë, vetëm gjyqtari Ardian Dvorani i është nënshtruar procesit të rivlerësimit kalimtar të magjistratëve, ndërsa vetingu i katër të tjerëve që nuk vijnë nga radhët e magjistratëve, është kryer ose po kryhet nga KED ose Këshilli i Lartë Gjyqësor, KLGJ.

Vetingu i kryer nga KPK dhe KPA perceptohet me standard më të lartë se ai i realizuar nga institucionet e reja të qeverisjes së sistemit të drejtësisë, KLGJ dhe KLP. Në shumë raste, raportet pozitive të KLGJ-së dhe KLD-së për kontrollin profesional të gjyqtarëve dhe prokurorëve janë rrëzuar nga procesi i vetingut që ka gjetur shkelje penalizuese, të evidentuara kryesisht bazuar në denoncimet e publikut ose ato të bëra publike në media.

Po ashtu, vetingu i magjistratëve ka evidentuar mangësi të institucionit të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI si dhe të institucioneve të tjera ndihmëse në procesin e rivlerësimit të magjistratëve, nga janë konkluduar rezultate të ndryshme.

Procesi i rivlerësimit kalimtar është i detyrueshëm për të gjithë gjyqtarët, prokurorët apo ndihmësit ligjorë që në momentin e hyrjes në fuqi të legjislacionit të reformës kanë gëzuar statusin e magjistratit. Këtij procesi rivlerësimi mund t’i nënshtroheshin me dëshirë edhe ish-gjyqtarët dhe ish-prokurorët që ishin larguar nga sistemi përpara hyrjes në fuqi të legjislacionit të ri.

ISP i tha BIRN në një përgjigje me shkrim se emërimi i krerëve të rinj të drejtësisë pas miratimit të reformës duhet të bëhej përtej çdo dyshimi për favorizime dhe konflikt interesi.

“ISP vlerëson se institucionet e reja të drejtësisë kanë përgjegjësi për të ndjekur praktika shumë më transparente dhe meritokracie në sistemin e karrierës, si dhe respektim integral me akte nënligjore dhe masa të tjera organizative të parimeve të parandalimit të konfliktit të interesit, të ndikimeve politike apo të evitimit të ciklit të mbyllur të promovimit sidomos në GJK dhe GJL,” tha kreu i ISP-së Afrim Krasniqi.

Ish-ekspertët e nivelit të lartë të Reformës në Drejtësi, që u pyetën nga BIRN nëse ia lehtësuan vetes rrugën për të mbërritur tek funksionet që ushtrojnë si dhe nëse zgjedhja e katër prej tyre pa vetingun e hartuar për magjistratët mund të përbënte problem në drejtim të cënimit të besimit të publikut tek sistemi i drejtësisë, i kundështuan pretendime të tilla të ngritura publikisht, duke theksuar se pozicionet që mbajnë apo për të cilat po kandidojnë janë vijimësi e karrierës së tyre të gjatë.

Zëvendëskryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi i përzgjedhur nga radhët e juristëve të shquar, sqaroi për BIRN se ndihet profesionalisht i plotësuar dhe rendit arritjet e funksionet që ka mbajtur gjatë 35 viteve karrierë, mes të tjerave dhe si gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese dhe drejtor i Shkollës së Magjistraturës.

Ai vëren se pjesa më e madhe e ekspertëve kishin arritur pozicione shumë të larta në sistem, përpara se të fillonte reforma. Sipas Sadushit, emri apo reputacioni i tyre ishte i konfirmuar dhe i njohur publikisht. Sadushi theksoi se shërbimi si ekspert i nivelit të lartë i është llogaritur jo më shumë se 0.5% e totalit të pikëve që janë dashur për t’u emëruar në Gjykatën e Lartë.

Ai u ndal në mënyrën e vetimit, duke sqaruar se bazuar në legjislacionin përkatës, rivlerësimi kalimtar(vetingu) është i destinuar për magjistratët në detyrë. Sipas tij, kritikët nuk kuptojnë ndryshimin mes vetingut dhe procesit të natyrshëm të vlerësimit të magjistratëve që hyjnë rishtazi në sistem.

Në vijim ai sjell në vëmendje se në vitin 2026 do të përfundojë mandati i institucioneve të vetingut dhe se do të jenë KLGJ dhe KLP organet që do të kryejnë vlerësimin e magjistratëve dhe shpreh besim në punën e tyre. Sipas Sadushit, këto organe i kanë skualifikuar kandidaturat e papërshtatshme.

Gjyqtari Sadushi shtoi se ai personalisht bën pjesë në rastet e veçanta, pasi ka kaluar një proces të dyfishtë verifikimi, si nga procesi i vlerësimit që ka kryer KLGJ, ashtu edhe nga rivlerësimi që ka kaluar bashkëshortja në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit.

Megjithatë, ndryshe nga sa pretendon Sadushi, vendimi me shumicë votash i Komisionit për gjyqtaren e Gjykatës së Apelit Tiranë, Edlira Petri ngre hije dyshimi mbi pasurinë e bashkëshortit. 

Ky i fundit pohon se ekspertët e reformës në drejtësi janë kritikuar gjatë diskutimeve publike, për parashikimin e standardeve shumë të larta për përmbushjen e kushteve dhe kritereve që nevojiten për të qenë anëtarë në organet e sistemit të drejtësisë.

Sadushi e cilëson ngritjen e dyshimeve jo si një përpjekje për të përcjellë shqetësimin qytetar, por si një tendencë për të denigruar dhe për të mos besuar atë që ka sjellë dhe do të sjellë në vijimësi reforma në drejtësi.

Anëtari tjetër i Gjykatës së Lartë që ka ardhur nga radhët e jomagjistratëve, Ilir Panda, e konsideron të ndarë rolin e ekspertit në reformën në Drejtësi me pozicionin si gjyqtar në Gjykatën e Lartë.

Ai konstaton se caktimi si ekspert me vendim të Kuvendit të Shqipërisë ka ardhur natyrshëm pas një kontributi shumë vjeçar në fushën e drejtësisë dhe bashkëpunimin me institucione kombëtare dhe ndërkombëtare.

Panda vëren se emërimi i tij në Gjykatën e Lartë ka ardhur si rrjedhojë e një procesi të gjatë, të dokumentuar dhe publik. Ashtu si Sadushi, edhe Panda thekson se roli i tij si ekspert i nivelit të lartë ka pasur një peshë krejt të papërfillshme në totalin e 100 pikëve. “[…]Del qartë se roli im si ekspert i nivelit të lartë në Reformën në Drejtësi nuk më ka avantazhuar për t’u emëruar në pozicionin e tanishëm si anëtar i Gjykatës së Lartë”, thekson ai.

Në vijim, Panda sjell në vëmendje se për shkak të karrierës, ka mbi 20 vjet që bënë deklarimin e pasurisë duke i’u nënshtruar verifikimit nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë dhe Konfliktit të Interesit dhe sipas tij, tashmë është certifikuar edhe nga KLGJ.

“Për ata që mendojnë se hartuesit e reformës në drejtësi ia kanë lehtësuar rrugën vetes për t’u zgjedhur në pozicionet kyçe të këtij sistemi, them se kanë një perceptim jo të saktë, gjë e cila i ka paraprirë edhe përfundimeve të nxituara”, shprehet Panda dhe sjell në vëmendje se ekspertët kryenin një punë paraprake e cila shqyrtohej nga një Komision i Posaçëm i përbërë nga deputetë të Kuvendit, më pas nga grupet parlamentare dhe në fund ishte seanca plenare.

Drejtori aktual i Shkollës së Magjistraturës, Arben Rakipi, i cili më parë ka mbajtur ndër të tjera edhe funksionin e Prokurorit të Përgjithshëm, kundërshton në mënyrë kategorike mundësinë e avantazhimit të tij si pasojë e të qenit ekspert në hartimin e Refomrës në Drejtësi.

“…Më duket naive të mendosh që më ka avantazhuar, për të mos thënë keqdashëse. Unë kam arritur pikun e karrierës sime profesionale, në një moshë relativisht të re, duke i shërbyer vendit si Prokuror i Përgjithshëm i Republikës, në një kontekst krejt tjetër kushtetues dhe ligjor. Çdo gjë pas saj më duket e pakrahasueshme për nga rëndësia e kontributit që një jurist mund t’i ofrojë publikut”, thekson Rakipi dhe e cilëson detyrën aktuale “larg e të qenit si objektiv i ambicies që jetëson karrierën e dikujt”.

Ai e cilëson kalimin prej detyrës së pedagogut të Shkollës së Magjistraturës në funksionin e drejtuesit të këtij institucioni akademik si një lëvizje natyrale dhe të merituar.

Lidhur me moskryerjen e një vetingu si ai i përcaktuar për rivlerësimin kalimtar të magjistratëve, ashtu si dy kolegët e tij, Panda e Sadushi, Rakipi sqaron se për shkak të detyrave që ka ushtruar i është nënshtruar kontrollit të pasurisë prej 2002-it nga Inspektoriati përkatës, që sipas tij ka nxjerrë vetëm konkluzione pozitive.

Ai vëren se këto pretendime janë ngritur që në vitin 2015, nga rryma politike dhe se drejtoheshin ndaj një grupi ekspertësh konkretë, duke u kërkuar që të mosgaronin për poste në sistemin e drejtësisë.

“Opinioni është trajtuar në atë kohë dhe është gjendur krejt pa vend, jo i përputhur në ligj dhe që cenonte të drejtën e individit për promovim bile, deri edhe dobinë publike. Nuk u konsiderua e kuptueshme se si një ekspert i nivelit të lartë, i cili nuk po ndërtonte shtëpinë e tij përgjate procesit, të mënjanohej nga kandidimi për në sistemin e drejtësisë kur ai, përveçse aplikonte, përfaqësonte rastin tipik të profesionistit të arrirë. Ndaj them se dobia publike cenohej”, u përgjigjet Rakipi dyshimeve të ngritura nga ISP.

Eksperti tjetër jomagjistrat, Gent Ibrahimi, i cili drejtoi për tre vjet KLP-në dhe aktualisht kandidon për një vend në Gjykatën Kushtetuese nuk dha koment deri në publikimin e këtij shkrimi.

Gjyqtari i Gjykatës Administrative të Apelit, Ardian Dvorani, edhe ky kandidat për në Gjykatën Kushtetuese, sjell në vëmendje se ai aktualisht mban një pozicion më të ulët se më parë, si gjyqtar në Gjykatën e Lartë. Sipas tij, edhe legjislacioni aktual parashikon që kur gjyqtarit të Gjykatës së Lartë i përfundon mandatil, emërohet në Apel.

“Edhe pse është alogjike që gjyqtari i karrierës shkon në një nivel më të ulët. Në perëndim nuk ndodh kjo gjë”, pohoi Dvorani për BIRN gjatë një komunikimi telefonik.

Sipas Dvoranit, nuk mund të flitet për avantazh të mundshëm, pasi legjislacioni aktual ka përcaktuar kritere më të vështira për t’u emëruar në Gjykatën e Lartë ose në atë Kushtetuese. “Ka më shumë elementë se më parë, kur ishte më e thjeshtë, si dhe proceset janë më komplekse,” pohoi ai.

Dvorani këmbëngul se nuk mund të quhet i avantazhuar përse ka qenë në komision. “Është si të kompleksosh veten, që kush ka bërë një punë, nëse jep një kontribut, atëherë përjashtohesh,” tha ai dhe ngre pikëpyetje se ku mund të gjenden ata që do të promovohen.

Gjyqtari Dvorani është i vetmi nga pesë ekspertët që ka kaluar në filtrat e vetingut të magjistratëve në cilësinë e subjektit të rivlerësimit. Komisioni konkludoi se ai kishte neglizuar të shënonte gati 10 milionë lekë likujditete në deklaratën “veting”, por u çmua se nuk kishte pasur qëllim fshehjen e tyre.

Ndryshe nga kolegët jomagjistratë, Dvorani vlerëson se do të kishte qenë më mirë që të gjithë ata që vijnë në sistemin e drejtësisë nga jashtë, t’i nënshtrohen të njëjtit proces verifikimi, si ai që po largon nga detyra gjyqtarët dhe prokurorët.

“…Ashtu si u larguan një pjesë e magjistratëve nga sistemi drejtësisë, me të njëjtin filtër duhet të hyjnë të tjerët”, pohoi Dvorani dhe shtoi se më parë Inspektoriati ka dështuar të bëjë verifikimin, ndërsa tani po e kryen në formatin e vetingut.

Megjithatë, Dvorani vlerëson se edhe KED aplikon një proces verifikimi rigoroz dhe këtë e cilëson si një prej shkaqeve që ka kufizuar numrin e kandidatëve për në Gjykatën Kushtetuese.

“Arsyeja e parë kanë frikë nga kontrolli edhe pse nuk arrihet të kryhet si në institucionet e rivlerësimit, por është i forte. Më shumë se gjysma e kandidatëve kanë rënë, shumica për pasurinë. Mendoj se kjo është frika. Nuk mund të fshihet dhe një mungesë besimi që ushqehet nga politika, që thotë mos kandidoni”, argumenton Dvorani lidhur me mungesën kandidaturave për në Gjykatën Kushtetuese.

Ai thekson se aktualisht kriteret për t’u emëruar në Gjykatën e Lartë ose në Gjykatën Kushtetuese janë më të forta se sa ishin më parë.

Në përfundim, Dvorani u shpreh se, nuk do të ishte e natyrshme që një magjistrat karriere të mos dojë të promovohet.

“Unë shumë mirë jam edhe aty, por është ambicja profesionale pse po kandidoj,” tha ai.

“Meqënëse ke marrë pjesë si ekspert dhe nuk mund të promovohesh…, por kjo nuk ka sens”, shtoi Dvorani dhe shprehu gatishmërinë për t’u verifikuar që nëse të kishte një kriter që e favorizonte, atëherë të ngrihej akuza.

About Redaksia

Check Also

Berisha: Nderim Xherdan Shaqirit! Vuçiç dhe vasali i tij Rama në zi!

Kryetari i PD, Sali Berisha ka përshëndetur dy futbollistët shqiptarë Xherdan Shaqiri për golin e …

Leave a Reply

Your email address will not be published.