Krijimtaria e shkrimtarit Ramadan Pasmaçiu

Nga Agim Xh. Dëshnica

PERKUJTIM PAS NJE VITI në nderim të shkrimtarit Ramadan Pasmaçiu

Rrëfimet e Mitrush Kutelit-ligjërime bylbyli, frymëzim nga bukuritë brigjeve të liqenit kaltërosh të Pogradecit dhe lumit të madh, Drinit valëshkumë, na sjellin ndër mend Ramadan Pasmaçiun me tregimet e romanet-frymëzim nga mrekullitë e Qytetit të Bardhë Beratit, që struket nën muret e kullat e Kalasë me pamje nga Tomori festeborë në lindje, tek shkrep dielli mbi kreshta e maja dhe Shpiragu i shtrirë, në dritë e hije, nga perëndon mbi brigjet e lumit Osumit, që herë fle, herë zgjohet, turbull-turbull e me uturimë. Kujtesa zgjon emrat e viteve të fëmijërisë, mjerisht të harruar: Sarajet e Pashallarëve, Hani i Fëshfërimës, Hani i Nushit, Hani i Nallbanit, Shkëmbi Çek-Beni, Shpella e Memecit, Bishti i Urës, Ku dridhen qerret, Lëmi i Shamatasë, Lëmi i Plykut, Zarizani, Shkëmbi i Goricës, Te trarët…
Tërë këto pamje mahnitëse, u ringjallën me dhëmbshuri e dashuri në krijimet e shkrimtarit Ramadan Pasmaçiu, lindur në këtë qytet legjendash më 26 shkurt 1938, tek kreu shtatëvjeçaren në shkollën e tregut të vendlindjes. Në dhjetor 1955, mbaroi teknikumin e naftës në Kuçovë. Në shtator 1957 me rekomandim të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë për prirje të veçanta letrare u dërgua në degën e gjuhës e letërsisë shqipe në fakultetin Histori-Filologji. Pas diplomimit u emërua drejtor i shkollës së Shëngjergjit të Tiranës, prej nga u tërhoq në gazetën “Bashkimi, më tej në gazetën “Mësuesi” dhe 18 vjet botues i revistës letraro-artistike për fëmijë “Yllkat”, qysh nga krijimi i saj.

Krijimtaria para vitit 1990
Shkrimtari Ramadan Pasmaçiu krahas punës për redaktitimin e shkrimeve në revistën “Yllkat”, u shqua në letërsinë shqiptare si një nga krijuesit që ka lëvruar me sukses të gjitha gjinitë letrare, sidomos me krijime për moshën e re të vlerësuar “ me çmime të para. Në rrugën e shkrimtarit hyri me novelën “Dy shokët,” poemat: “Kasollja”, “Tregim për kecin bardhosh”. Në vijim, vëllimin me vjersha “Pranvera,” përmbledhjen me vjersha “Kori Gazmor”, poemën “Sa mirë!” “Ermalushi, sylarushi e të tjerë”, “Lart në mal”, “Leka”. Pastaj janë librat me përralla: “Trimat dhe vashëza Zana”, “Nusja që kërkonte dyshek me pupla”, “Tri pëllëmbë shtat, shtatë pëllëmbë mjekër”, “Babai, tri motrat dhe vigani”, “Gjethja, që donte të rrinte vetëm në degë”. Pjesë skenike me dy akte: “Bashkë me shokët”, “Ne të dy” etj. Ka marrë çmime të para për dramat për fëmijë: “Këndon Etleva”, “Dudushi”, “Kur harron detyrën” (tregime humoristike). Në vitin 1987 meritoi çmimin “Migjeni” për romanin në katër vëllime “Udhëve të fëmijërisë”, i vlerësuar, edhe nga shkrimtari i shquar Sterjo Spasse.

Shqetësimet shpirtërore e fizike
Një ditë, papritur u njoftua se dikush nga lart po orvatej ta largonte nga revista “Yllkat” e krijuar prej tij e t’ia zinte vendin me një grua të paaftë e të moshuar. Më së fundi, kundër dëshirës së vet, me urdhër të prerë dorëzoi zyrën e mbeti pa punë. I fyer, i tronditur e i dëshpëruar, kërkoi vende pune në gazeta e revista, nga shokët, të cilët, i pat ndihmuar në fakultetin e gjuhë-letërsisë e gjatë punës në krijimtarinë letrare e gazetari. Disa e prisnin buzëgaz me kafe-ekspres në zyrat luksoze Pastaj e përcillnin me nderim deri jashte dere me premtimin “Zëre të mbaruar këtë punë, e shumta, pas dy javësh!” Më tej, pritje, shpresë dhe heshtje.
Herë-herë, ulej e qante hallet me tè atin, të cilin e donte, aq shumë për mençurinë e këshillat e urta dhe kështu ndihej më mirë. Pak kohë më vonë, do të hidhërohej shumë nga humbja e tij. Ai njeri i ndershëm, por i zhgënjyer nga premtimet gjatë luftës, kinse nacional-çlirimtare, ishte kundër padrejtësisë e dhunës komuniste, kundër vrasjeve e burgosjeve politike.

Një ndodhi e rëndë
Ramadani pas takimeve në Berat me njerëzit e vet të dashur e miqtë e kohës së rinisë, tek priste në Lushnjë ardhjen e trenit nga Vlora, e kapi një etje e padurueshme. Pa e vrarë mendjen piu në tubin e një fuçie me ujë të ndohtur Pas pak, nuk u ndje mirë, iu përzie në stomak. Sapo mbërriti treni, ai ishte ndër të parët që hipi dhe zuri vend pranë një dritareje. E nëse do t’i turbullohej sërish stomaku, të mund ta zgjaste kokën prej saj. Por, nuk po gjente qetësi. Gjithë trupi iu bë, se ishte peshë e huaj, e tjetërkujt. Në shtëpi, as uji i ngrohtë, as çlodhja në shtrat, nuk e shëruan dot nga turbullirat në stomak, as nga etja. Të nesëmen u vizitua dhe u shtrua menjëherë në spital. Pas operimit nga kirurgë të paaftë e të koruptuar e kthyen në shtëpi me një tub gome në bark e qese plastike nën brez. Përveç të afërmëve e shokëve të rinisë, asnjë nga shkrimtarët e drejtuesit e Lidhjes së Shkrimtarëve, nuk erdhi ta shihte në shtëpi. Meqë së shpejti disa poetë e shkrimtarë me gratë e tyre, do të shkonin me avion në Francë, të shihnin bukuritë e Parisit, kryetari i premtoi ta merrnin me vete për mjekim falas në ndonjë klinikë. Por ndërsa priste me shpresë, ata ishin nisur. Edhe letrat, ecejaket e bashkëshortes në Komitetin Qendror, ishin kohë e humbur kot.. Ramadani kujtonte asokohe: “Isha si njeri cung, pa duar e pa këmbë, por edhe pa sy, që s’dallon dot rrugën, që s’mundet të lëvizë as para e as prapa, e që i mbetet vetëm të rrokulliset si ndonjë trung nëpër rrëpira, për t’u bërë pré e fundit tragjik, të cilin kurrë ndonjëherë s’e pata menduar. Në atë rënie të thellë shpirtërore, kuptimi i jetës e i botës për mua sikur nuk ekzistonte.” E vetmja shpresë mbetej letra dërguar shkrimtarit turk Azis Nesin për garancinë e vizën e hyrjes në Turqi. Përgjigja e shkrimtarit të madh, e gëzoi pa masë tok me njerëzit e dashur. Shumë syresh e disa miq e ndihmuan me çfarë kishin mundësi për udhëtimin e shërimin e tij jashtë shtetit.

Mërgimi i vetmi shpëtim
Ramadani, do të shkruante më vonë, në librin autobiografik apo romanin “Rrënjët e zemrës”:
“Ishte data 25 dhjetor 1990. Mëngjesi – jo fort i ftohtë, por pa shumë dritë, me pak erë që kërciste degët e pemëve të zhveshura, me qiellin të zënë e me një shi të imët. Rrugët e pashtruara të lagjes – të lagura e të përbaltura. Më vunë në vendin e parë, me shoferin, unë e njihja pak. Më buzëqeshi, rregulloi sediljen, zgjati duart e më tërhoqi lart. Pastaj hipën të tjerët. Në fund erdhi djali më i vogël Ermali, si kontrolloi shtëpinë dhe kyçi derën e jashtme. Pas meje rrinte nëna. Njërën dorë ma mbante mbi sup dhe s’ndihej. Ngjitur me të – ime shoqe dhe motra e madhe. Lagjen, deri tutje të Zogut të Zi, do ta kalonim në heshtje. Sa lamë pas Laprakën, shiu u egërsua. Filloi të binte me rrebesh. Xhamat e përparmë të mikrobusit u veshën e rruga mezi dukej. Shoferi më tha i pashqetësuar: -Kemi kohë boll. Jemi dy orë para! Dhe e uli shpejtësinë. Po, kur e kaluam Vorën dhe u kthyem djathtas, një dorë e stërmadhe e padukshme sikur e preu shiun si me thikë! Veç qielli përsëri ruante ngjyrën e tij gri. Kurse pluhuri mbi asfalt ishte shndërruar në baltovinë të hollë, tek çdo makinë, që udhëtonte pa kujdes, mund të rrëshqiste befas e të batohej në kanalin anës rrugës. Shoferit i erdhi sërish buzëqeshja. Kishte një fytyrë të ëmbël dhe flokët të verdhë. Nuk fliste shpesh, sikur s’donte të na mërziste. – E do një cigare? – më pyeti në Fushë-Prezë. – E dua! – i thashë dhe m’u bë qejfi. Pas ndonja njëzet minutash arritëm. Shoferi, sa fiku makinën, nxitoi e më doli përballë. Më ndihmoi të zbrisja. Dy djemtë nxorën nga makina bagazhet. E çfarë bagazhesh! Një valixhe e vogël ndërresash, një qilim i madh e i trashë prej leshi, me ngjyra e fort i bukur, krejt i ri, sikur nuk ishte shtruar kurrë. E kishim blerë tek një tezgjaiste në Shijak. Por, te një trastë e vogël, e bardhë, prej pëlhure, kishim marrë edhe një rrugicë po aq tërheqëse, e punuar edhe ajo në tezgjah. Qenë edhe disa piktura vaji në beze, të vëna në kornizë, të Dritanit. Patëm menduar që t’i shisnim në Greqi. Tashti që, siç na kishin thënë, tërë tregun andej e paskëshin mbytur tapetet, që shiteshin shesheve të pazareve me shumicë, qilimi ynë dhe rrugica me ornamente popullore shqiptare do të pëlqeheshin dhe ndoshta do të nxirrnim diçka prej tyre. Por, do të na jepnin dorë edhe pikturat. Ishin të punuara me merak, me ngjyrat të kulluara e me një dritë – hije, që t’i merrte sytë! Por, shitja e tyre, mbase s’do të bëhej aq shpejt sa e qilimit dhe e rrugicës! Prapëseprapë, s’prishte punë! Rëndësi kishte që të kapërcenim vështirësitë e ditëve të para. Se po shkonim vetëm me pesëdhjetë dollarë. Edhe ato i kishim fshehur. Se na kishin thënë, në aeroport të kontrollonin për pará dhe, ç’t’i gjenin, t’i ndalnin. Të kishte, vallë, edhe të tjerë si ne, që guxonin të hynin në botën e huaj, aq të madhe me një varfëri të atillë, të dridhshme, si e jona? Zumë vend në ca stola te një sallë e madhe, e lënë si ahur kuajsh, që e shihnim së pari herë. Me tavanin të lartë! Me muret e zymtë gri – të palyer kushedi prej sa kohe! Cipëza e bojës si petëz byreku – e rrjepur sa aty – këtu, në formë hartash nga më të çuditshmet! Stolat, tek qemë ulur, diku – si të nxirë e diku – si të ngacmuar nga brejtës të uritur! Ndonjë kokë gozhde, paksa e dalë, mund të t’i griste pantallonat, me t’u ulur. Me altoparlant kishin lajmëruar se avioni i Athinës do të vonohej. Moti – përsëri i vrenjtur! Një shi i imtë, që binte jashtë, pas atij rrebeshi që na kishte zënë gjatë rrugës, herë pushonte e herë prapë ia niste. Mezi sa i dëgjoja të trokiturat e tij të lehta mbi llamarinat e zgjatura si strehë nga tarraca mbi dritaret. Vështrova tubin e gomës, që bënte një si gjysmë rrethi mbi rripin e pantallonave. Ja, tek u dukën tre aviatorë me uniforma të bukura blu, shtatgjatë e të hijshëm, me fytyra të pastra e flokë të zes, që dolën nga një derë përkrah njëri – tjetrit, ecën përmes sallës, pa shikuar majtas e djathtas, dhe iu drejtuan daljes për në aeroport! Nga altoparlanti njoftuan se aeroplani për Athinë ishte gati! U ndje një lëvizje njerëzish, që sulmuan daljen. U ngrita në këmbë. U takova me njerëzit tanë. U përpoqa të mos e jepja veten, por s’ishte e lehtë. Sidomos, kur pushtova nënen dhe Ermalin, m’u mbushën sytë. Para nënes nuk më erdhi zor, por para Ermalit u ndjeva ngushtë. Ai donte të më shikonte gjithnjë të përmbajtur. U afruam edhe pak dhe dëgjova oficerin, tek u foli ca të tjerëve, që kishim përpara
– Pasaportat dhe biletat në duar, ju lutem! – Mos e lësho ti, – i foli oficeri Dritanit, – se këtej e mbaj unë! E m’u kthye mua: – Ngadalë, se s’na ngut njeri! Po edhe avionin e kemi afër! Është ai i vogli atje! – Mirë! – i thashë. – Të faleminderit shumë! Ai buzëqeshi. Kur arritëm te avioni, ngjita shkallët me Dritanin, që s’më lëshonte. Hymë të tre në avion dhe u ulëm. Unë – te një sedilje e gjerë pranë dritares si rreth, tek, po të më duhej, edhe mund të shtrihesha paksa. Djali i madh me të ëmën – përpara meje, në dy ndenjëse puqur e puqur. Avioni ishte i vogël. I merrte a s’i merrte dyzet vetë. Po edhe ne udhëtarët nuk e mbushnim. S’bëheshim as tridhjetë. Nuk patëm hipur ndonjëherë në avion. Ja, tek kumbuan dy motorët, me një forcë e me një utrimë që s’e kisha ndjerë kurrë aq pranë! S’kaluan as tri – katër minuta dhe avioni filloi të rrëshqiste si mbi vizimet e padukshme të një gjysmë rrethi të stërmadh. Dukej, po bënte kthesën, para se të merrte shpejtësinë maksimale, duke çarë përmes pistës së gjatë, për t’u ngritur lart drejt qiellit të Jugut. U mbusha me frymë dhe u mbështeta i lodhur në shpinën e sediljes. U çlirova sakaq. Kisha qenë si ai që sillet rrotull në ajër si ndo një copë letër nga era, dhe ndjen që së fundmi i zënë këmbët dhé. Vështrova nga dritarja! Ishim në lartësi. Disa shtëpi jashtë aerodromit m’u dukën të vogla si kuti shkrepësesh! Dhe vetëm pas disa minutash, kuptova se po fluturonim mbi re. Ato shëmbëllenin si pambuk i derdhur e i përhapur. Dhe s’qenë me ngjyrë gri, por të bardha e të ndritshme nën rrezet e diellit, që i puthte e i përkëdhelte tejembanë. Aeroplani ynë tashmë fluturonte lartësive të qiellit. Fluronte e fluturonte. Po edhe ne, veç, sikur fluturonim e fluturonim me krahë! Edhe pse nuk dinim çfarë na priste në atë botë të panjohur! Më bëhej se pak e nga pak po dilnim nga errësira e gjatë e sikur po shihnim dritë në horizont. E gjallë – drita dhe e shkëlqyer si rrezja e diellit. Ishte një shpresë e madhe. Rrahjet e zemrës fillova t’i ndieja më të qeta se kurrë gjer atëherë! Isha një i sapodalë nga ujërat e pamata të detit të pafund.”
***
Avioni pas fluturimit të qetë mbi re, u ul butë në pistën e aerodromit të Athinës. Në rreshtin e pasagjereve që zbrisnin shkallëve, para kullës së aeroportit, u dukën Ramadani i mbështetur në krahun e djalit, Dritanit; prapa ecte e shoqja,Veri. Pas kontrollit të dokumenteve e bagazheve, të tre shkuan në zyrën e policisë së kufirit. Atje, nënë e bir kërkuan ndihmë për njeriun e tyre në gjendje të rënduar. I nisën me makinë në policinë e shtetit në Athinë. Andej pas disa ditësh me urdhër të drejtorit, djalin e dërguan në hotel, ndërsa të sëmurin me të shoqen, në një klinikë humanitare. Kirurgët shqyen sytë, kur vunë re tubin e gomës në bark dhe qesen plastike të pacientit! Në mbarim të operimit të lehtë, pas aq e aq vuajtjesh e mundimesh mizore, në vendin e tij, Ramadani, u ndje si djalë i ri. Pas disa ditësh u vendosën në një nga lagjet e Pireut. Atje, deri sa gjetën punë, disa familje greke i ndihmuan me ushqime, ndërsa njëra i strehoi pa qera thuajse një vit.
Megjithatë, Dritani djalë i lidhur fort me me prindët, shkruante me trishtim: “Kishim shkuar në një vend fqinj të zhvilluar, me një të kaluar ekonomike edhe më të varfër nga e jona. Por, që për fat të keq, e kishte harruar të kaluarën e vet. Ndaj jo rrallë herë i shihte të huajt, e sidomos shqiptarët, me përçmim që arrinte deri te ndërrimi me detyrim i emrit e i fesë…Kujtoj se në kohë pesimizmi, kur ngado dëgjoheshin dhe shikoheshin nga e gjithë bota ngjarje aq tronditëse për shqiptarët, që iknin nga vendi i tyre, fjalët e babait ishin të qeta, të sigurta dhe shumë optimiste për një ringjallje tonën të shpejtë. Pjekuria intelektuale që shfaqte, bindja e tij e pathyeshme për të nesërmen, kalonte tek ne në adhurim. Na ushqente që kthimin në Shqipëri ta kishim jo veç një dëshirë të zjarrtë: “Një intelektual sado i zoti, nuk mund të zhvillojë kurrë forcën, talentin e krijimtarinë e vet me lidhje të këputura nga vendlindja.”

Kthimi në atdhe dhe krijimtaria letrare
Pas gjashtë vjetësh të lodhshëm, Ramadan Pasmaçiu me familjen u kthye në atdhe, kur qeveria demokratike, po punonte nën peshën e rëndë të prapambetjes, vështirësive dhe kundërshtimeve të ashpra për vendosjen e sistemi të ekonomisë së tregut, për Kushtetutën demokratike e miratimin e ligjeve për çdo fushë të jetës politike, ekonomike, të arsimit e kulturës. Qëllimi madhor ishte dalja nga varfëria e trashëguar nga regjimi i diktaturës komuniste. Në këto kohë lirie të ëndërruar, krijimtaria e shkrimtarit Ramadan Pasmaçiu mori një vrull të ri. Sapo u kthye tok me familjen, puna e parë, e menduar qysh në mërgim, ishte ngrtja e shtëpisë botuese me emrin e gjetur aq bukur e me kuptim të qartë – DRIER. Veprat që ka përgatitur e botuar aty, janë të shumta. Përmendim vetëm disa nga krijimtaria e tij: “Ju flas me zemër të hapur”, (ribotim i pasuruar me tregime, dikur të ndaluara; serinë me përralla e legjenda, librat me tregime: “Dashuria e nënës”, “Kush rron duke shpresuar”, “Maratonomaku”. Gjithashtu publikoi romanet: “Përtej kohës”, “Shtjellat e bardha”, “Flaka e shpresës”- kushtuar 100 vjetorit të Pavarësisë. Për këtë vepër ai u nderua me dekoratat “Nderi i Qarkut të Beratit”, “Fisnik i qytetit të lashtë” dhe nga qyteti i Prizrenit me dekoratën “Mirënjohje”. Historiani Prof. Dr. Luan Malltezi, ndër të tjera, shkruante: “Romani ‘Flaka e shpresës’ i shkrimtarit Ramadan Pasmaçiu përshkruan me vërtetësi e mjeshtëri artistike një periudhë të caktuar të historisë sonë kombëtare që triumfon me ditën ngadhnjyese të shpalljes së Pavarësisë, më 28Nëntor 1912. “ Ndërsa Sadik Bejko e quan “Roman epope me dinjitet artistik”. Ramadan Pasmaçiu arriti të botonte një nga katër librat biografikë, romanin me titull “Rrënjët e zemrës” për të mbajtur gjallë kujtesën, përpjekje për t’i dhënë kombit diçka të vlerë. Ngjyrimet aq të këndshëm të natyrës e të mjedisit, ku zhvillohen ngjarjet, përdorimi me vend i dialekteve, gjuha e pastër shqipe, gdhendja hollë e tipareve të personazheve, rrjedha natyrshëm e dialogëve, humori, trishtimi e zemërimi, janë të pranishëm në çdo tregim a roman të Ramadan Pasmaçiut.
Në gusht 2018, tok me bashkëshorten, vizitoi Bostonin, Kënetikatin, Nju Jorkun dhe u prit nga kryesia e Federatës Vatra.

Ndarja nga jeta
Shkrimtari i dashur nga të gjitha moshat, Ramadan Pasmaçiu, pas një aksidenti të rëndë jashtë shtëpisë do të ndahej nga jeta ndërsa po gdhihej 1 nëntori 2021. Ky njeri i mirë do t’u mungojë familjes, të afërmve, miqve e bashkëpunëtorëve në krijimtarinë letrare. Megjithatë ai mbetet i njohur, si një nga krijuesit e palodhur. Ai jeton nëpër veprat e tij me vlera kombëtare, artistike me gjuhën e bukur shqipe. Zëri tij dëgjohet e jehon kudo, edhe tani: “I njëjti do të isha me cilindo! Siç deshi e më krijoi Zoti së pari herë! Kurrë i pakënaqur nga zgjedhja e Tij! I njëjti gjer në frymën e fundit! I nxitur nga zemra e udhësitë e virtutit! Aspak i penduar pse sakrifikova për ata që s’e merituan”.

Poezi kushtuar shkrimtarit Ramadan Pasmaçiu

Mbarim tetori,

Ç’është ai djalosh,
tek po vjen nga larg
posi Flakë e Shpresës,
n’udhën e fëmijërisë
e vrapon ashtu nën dritë,
si era e malit, në breshër e shi?

Te Hani i Fëshfërimës
të përgjoj stoçenin
tek shket vërtik nën urë,
zërin e Zarizanës në muzg
britmën në terr, Çek beni!
Jehona krismash, kur vritej poeti
natën me yjet zhytur nën valë.

Teksa zbardh mbi kreshta e maja
ndihet një zë i përmallshëm:
“Ju flas zemër hapur,
me shqipen e bukur
Ah! dua të prehem
hijeve nën rrepe as fjetur,
as zgjuar, buzë lumit
, të mbaj vesh rrahje zemrash
të dashur, legjenda
e rrëfime, shushurima valësh,
kur Qyteti i Bardhë zgjohet
e ditë e re, zbret nga Mali Shenjt.

About Redaksia

Check Also

Rimendimi europianolindor i Macron

Lufta në Ukrainë dhe efektet e saj po e detyrojnë presidentin e sapozgjedhur francez, Emmanuel …

Leave a Reply

Your email address will not be published.