Edhe kjo luftë do të përfundojë me një negociatë

Sot bërja e traktativave me Rusinë mund të duket i pamundur, por herët a vonë do të ishte e pashmangshme. Përgatitja qysh nga fillimi mund ta ndihmojë Perëndimin të garantojë interesat e tij dhe ato të Ukrainës.

Në fund të gushtit vëmendja e Perëndimit për luftën në Ukrainë po binte. Të dy rreshtimt patën hyrë në një ngërç dhe liderët perëndimorë nuk duhej të merrnin vendime të vështira apo të mendonin shumë për të ardhmen e konfliktit, por ngjarjet që kanë pasuar duke filluar nga shtatori – avancimet e papritura ukrainase, mobilizimi i rezervistëve rusë, aneksimi i rajoneve të pushtuara, sulmet raketore kundër objektivave civile dhe kërcënimeve bërthamore – e kanë copëtuar këtë iluzion, duke e futur luftën në një fazë të re dhe më të rrezikshme. Qysh nga fillimi i konfliktit qeveria amerikane ka mbajtur një qëndrim të ekuilibruar dhe realist, duke armatosur dhe financuar Kievin, por duke sqaruar se nuk do të përfshihej kurrë në mënyrë direkte. Ama Uashingtoni ka shmangur gjithmonë ta përballojë një aspekt kyç të strategjisë së tij: Në çfarë mënyre mund të përfundojë lufta? Kush ka ftuar të mbështeten përpjekjet diplomatike është damkosur si naiv apo si tradhëtar. Pjesërisht prej një konsiderate etike: sipas shumë njerëzve do të ishte imorale të pranohej një marrëveshje.

Por thuajse të gjitha luftërat përfundojnë me një negociatë. Eskalimi rus ka evokuar spektrin e një konflikti me NATO dhe përdorimin e armëve bërthamore. Kostot ekonomike globale janë tashmë të mëdha dhe do të rriteshin me ardhjen e dimrit. Anipse sot një zgjidhje diplomatike duket e pamundur, Shtetet e Bashkuara do të bënin mirë ta përballonin çështjet e vështira që ky eventualitet do të sillte. Do të duhej të reflektohej se cili do të ishte momenti më i mirë për të tentuar një traktativë dhe mbi kur kostot e vazhdimit të luftimeve do t’i tejkalonin benefitet dhe të gjendej mënyra e kapitalizimit pa favorizuar zgjatjen e konfliktit. Për të siguruar marrëveshjen më të mirë të mundshme Shtetet e Bashkuara duhet ta mbajnë të bashkuar frontin perëndimor, të marrin në konsideratë veçantitë e politikës ruse dhe ukrainase dhe të jenë fleksibël, sidomos në vlerësimin se cilat sanksione të anullohen pa e forcuar regjimin e Putinit. Në rast të kundërt përgjigja e ekuilibruar amerikane mund të bëhet e kotë nga fantazia e rrezikshme e një fitoreje absolute. Mbështetja amerikane i ka mundësuar Kievit të rekuperojë dhe t’u shkaktojë humbje të rënda forcave ruse, duke e mbajtur relativisht të ulët rrezikun e një eskalimi të pakontrolluar. Administrata Biden ka afirmuar gjithmonë se u takon ukrainasve të vendosin se çfarë është më e mirë për ta, por ky pozicion po bëhet i pambështetshëm. Putini ka zgjedhur të kalojë rreziqe të reja në vend që të bëjë një hap prapa, duke sugjeruar se lufta nuk do të përfundojë me dorëzimin e pakushtëzuar të Rusisë. Edhe pse për momentin rreziqet mund të duken të menaxhueshme, mund të vijë momenti ku të bëhen traktativa do të jetë e domosdoshme për ta shmangur një katastrofë. Pasojat ekonomike të luftës do të rriten me shpejtësi.

Në Ukrainë financat publike janë të shkatërruara dhe rezervat valutore po ezaurohen. Siç ka nënvizuar Adam Tooze, “nëse aleatët nuk do t’i intensifikonin ndihmat financiare janë të gjitha motivet për t’ju frikësuar një krize sociale dhe politike”. Ndërkaq në Europa rritja në qiell e çmimeve të energjisë ushqen inflacionin dhe rrezikun e një reçisioni. E gjitha kjo e bën më pak të besueshme tezën sipas së cilës do të jetë Kievi ai që vendos se kur t’i japë fund luftës. Në realitet çështja nuk është se shërben një negociatë për ta ndaluar luftën, por kur dhe si kjo negociatë duhet të zhvillohet. Shtetet e Bashkuara kanë përballë një paradoks: sa më shumë forcat ukrainase të bëjnë mirë në terren, aq më e vështirë bëhet të flitet për një marrëveshje, edhe pse Kievi ka të gjithë interesin për të trajtuar nga një pozicion force. Ndërsa rritet rreziku që Moska e rritj nivelin e përplasjes, rritet edhe mundësia që çdo lider perëndimor që synon të ndalojë konfliktin të akuzohet se është irealist apo imoral, ose t’i cedojë “shantazhit bërthamor”. Ama një debat i brendshëm mbi termat e një marrëveshjeje të pranueshme do t’u mundësonte të gjitha palëve të ishin të gatshme kur do të paraqitet rasti për të bërë traktativa.

Objektiva fleksibël

Për të vendosur bazat e një marrëveshjeje, Uashingtoni duhet të veprojë në mënyrë të tillë që interesat ukrainase, europiane dhe amerikane të mos divergjojnë. Objektivat e ukrainasve nuk janë domosodshmërisht identike ndaj atyre të aleatëve të tyre perëndimorë. Për Kievin posti në lojë është më i lartë dhe me ekonominë tashmë në shkatërrim qeveria mund të konkludojë se nuk ka më asgjë se çfarë të humbasë, por operacionet ushtarake ukrainase varen nga armët, nga financimet dhe nga inteligjenca perëndimore. Vendet europiane po paguajnë një çmim të lartë për luftën dhe duhet të mund që t’u thehet atyre sesi do të përfundojë. Kjo nuk do të thotë se Perëndimi duhet ta shtyjë Ukrainën të cedojë, por që Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre duhet t’u ofrojnë atyre mbështetjen me objektivin e vënies së Ukrainës në pozicion më të mirë për të negociuar dhe jo vetëm për ta vazhduar konfliktin. Duhet të përqëndrohen mbi interesat themelore të Kievit, si të mbrojë sovranitetin e Ukrainës dhe të qytetarëve të saj.

Këto objektiva duhet të jenë të sakta dhe të kufizuara: në vend që të kërkohen të rikuperohen të gjitha territoret e kontrolluara më parë nga 2014 apo të ndëshkojë liderët rusë, Ukraina duhet të synojë në objektiva që kanë më pak shanse për të prodhuar një eskalim dhe që mund të çojnë në një paqe jetëgjatë. Uashingtoni duhet ta inkurajojë këtë linjë që t’ia bëjë me dije qeverisë ukrainase, të paktën pritvatisht, limitet e mbështetjes amerikane dhe rreziqet që i mendon të papranueshme. Sqarimi i shpresave sot do të reduktonte mundësinë e keqkuptimeve. Shtëpia e Bardhë duhet të marrë në konsideratë politikën e brendshme të Rusisë dhe Ukrainës, duke qenë se asnjë marrëveshje nuk do të mund të rezistojë pa mbështetjen e të dyja vendeve. Historia sugjeron se një ndryshim regjimi në Moskë është i mundur, por nuk është as real, as i pashmangshëm. Për pasojë është më mirë të përqëndrohet mbi Putinin dhe mbi komponentet e rrethit të ngushtë rreth presidentit, duke vlerësuar se çfarë ujdie mund të jenë të gatshëm të pranojnë. Mobilizimi i qindramijëra rezervistëve demonstron se Putini dëshiron të shmangë me çdo kusht një humbje totale, por siç kanë bërë liderë të tjerë autoritarë përpara tij mund ta paraqesë një rezultat mediokër si një fitore. Kështu mund të arrihet një marrëveshje ku realitet faktik si kontrolli rus mbi Krime të njihet, që Putini mund ta paraqesë si një lëshim substancial nga ana e Perëndimit.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyj operon në një mjedis politik më të hapur dhe më të trazuar, ku ndarjet po fillojnë të rishfaqen, por dilema e tij është e ngjashme me atë të Putinit. Popullsia ukrainase është bashkuar në luftën kundër pushtuesit. Pasi u ka kërkuar kaq shumë qytetarëve të tij, për qeverinë do të ishte e vështirë ta nënshkruante një kompromis që mund të interpretohej si një premio për armikun. Nëse Zelenskyj do t’i duhej të pranonte një marrëveshje jopopullore, mund të mundet në zgjedhje. Një marrëveshje që i bën ukrainasit të ndjehen se kanë triumfuar do të kishte mundësinë që t’ia dilte: për këtë është e rëndësishme të menaxhohen shpresat qysh nga fillimi. Uashingtoni do të duhet ta ftonte Kievin të merrte një pozicion më të moderuar mbi pika që mund të futen në një negociatë të ardhme (si Krimeja), të zbuste retorikën triumfaliste dhe të nënvizonte benefitet që Ukraina do të siguronte nga ndihmat për rindërtimin dhe nga garancitë për qytetarët ukrainas, sidomos ata që do të donin të linin territoret e pushtuara nga Rusia, por për të tjerë mund të jetë fleksibël. Për shembull, traktativa nuk duhet të kufizohet në kufijtë përpara 24 shkurtit apo deri të 2014. Një Ukrainë territorialisht më kompakte, e privuar nga Krimeja dhe pjesë të Donbasit, mund të jetë më e qëndrueshme dhe e mbrojtshme. Përgjithësisht është më mirë t’i vendosen rezultatet konkrete parimeve abstrakte. Një Ukrainë e pavarur dhe sovrane që mund të mbrohet vetë dhe të integrohet me ekonominë europiane do të ishte një rezultat më i mirë në një vend të prekur nga grindje territoriale të përhershme.

Anullimi i sanksioneve mund të rezultojë si një prej aspekteve më të komplikuara në nivel politik. Impakti i sanksioneve tenton të reduktohet në kohë, për këtë janë më të dobishme si mall shkëmbimi sesa si ndëshkim permanent. Deri më tani sanksionet perëndimore kanë pasur dy objektiva: të ndëshkojë në periudhë afatshkurtër Rusinë dhe të dobësojë në periudhë afatgjatë aparatin ushtarak të saj. Heqja e disa masave mund të jetë një kusht i nevojshëm për ta çelur një negociatë, por duhet vlerësuar me vëmendje se cila mund të eliminohen. Ngrirja e rezervave valutore nuk shërben kushedi se çfarë për ta dobësuar ekonominë ruse në periudhë afatgjatë dhe t’i mundësojë Moskës të rekuperojë një pjesë mund të jetë e dobishme për të arritur një marrëveshje. Kurse limitet e eksporteve e dobësojnë industrinë ushtarake ruse në periudhë afatgjatë dhe do të duhet të mbahen. Veç kësaj, mund të mendohet për një qasje graduale, ku sanksionet janë fshirë progresivisht në këmbim të konçensioneve konkrete nga ana e Rusisë, një aspekt që mungonte në marrëveshjen e dështuar të Minskut.

Tre skenarë

Mund të imagjinohen tre skenarë ku do të kishte kuptim të mëshohej për një marrëveshje. Në të parin forcat ukrainase vazhdojnë të korrnin suksese dhe Kievi fillon të flasë ta çlirojë Krimenë. Duke pasur parasysh rëndësinë që gadishulli ka për Kremlinin, kjo do ta rriste shumë rrezikun që Putini të vendosë ta përdorë armët bërthamore. Në skenarin e dytë forcat ruse rimarrin iniciativën dhe ripushtojnë territore të mëdha, duke demonstruar se mobilizimi ka funksionuar dhe se është e domosdoshme një marrëveshje për t’i garantuar sovranitetin e Ukrainës. Në të tretin krijohet një ngërç i ri, ku Shtetet e Bashkuara, Europa dhe deri Ukraina e Rusia mund të konkludojnë se nuk ia vlen më barra qiranë të mbështeten kostot e larta të luftës.

Secili prej këtyre tre skenarëve do të prodhonte një marrëveshje të ndryshme, por ka një element që i përbashkëson: eventualiteti që rezultatet ushtarake të krijojnë një konsensus mbi termat e një ujdie. Sot situata në terren është ende fluide dhe të dyja palët mendojnë se mund të sigurojnë një fitore absolute. Një marrëveshje do të ishte e menduar vetëm kur rezultati do të jetë më i qartë. Deri më atëhere, një mbështetje solide nga ana e Perëndimit mund të veprojë në mënyrë që skenari i një fitoreje ukrainase të mbesë më e mundur. Bombardimet e fundit mbi Kiev dhe qytetet e tjera ukrainase të bëjnë të mendosh se Rusia është gati për një eskalim të ri, që do të sillte rreziqe dhe kosto edhe më të mëdha. Edhe pse nuk është ende momenti për të negociuar dhe më mirë të mendohet qysh tani për rrethanat ku Shtetet e Bashkuara mund të kërkojnë me vendim fundin e konfliktit. Të gjitha luftërat përfundojnë. Sot perspektiva e një marrëveshjeje mund të duket pak joshëse, por vetëm me një negociatë të vëmendshme do të ishte e mundur t’i mbrojë në periudhë afatgjatë interesat e Ukrainës dhe sigurinë e Europës.

(nga Foreign Affairs)

Përgatiti

ARMIN TIRANA

About Redaksia

Check Also

Si nisi revolta e Qafë Barit më 22 maj 1984

Nga Bedri BLLOSHMI Revolta në burgun e Qafë Barit nisi më 22 maj 1984. Atë …

Leave a Reply