Më shumë se një shekull më parë trupat koloniale gjermane kryen një genocid në Afrikë. Trashëgimtarët e viktimave sot kërkojnë një dëmshpërblim të drejtë.
Hijet e zgjatura të pemëve të akacies shtrihen mbi barin e thatë. Midis degëve fryn një fllad i dridhshëm dimëror. Mezi i shpëtuar nga dielli aktivisti namibian 59 vjeçar Jephta Nguherimo, një jetë e kushtuar drejtësisë shpërblyese për popullin herero, kap copëra të ndryshkura pajisjesh ushtarake, të cilave tani është e pamundur t’u gjendet përdorimi. Pastaj i hedh sërish përdhe. “Mendoj për të gjitha gratë dhe fëmijët që kanë vdekur këtu”, thotë ai. Jemi në vendin ku u zhvillua beteja e Waterberg. Në këtë rrafshnaltë më 11 gusht të 1904 ushtria koloniale gjermane masakroi hererot që qenë rebeluar ndaj dominimit të huaj dhe vjedhjes së tokave të tyre. Vrasjet qenë pjesë e një fushate raprezaljesh të vënë në veprim nga Gjermania midis viteve 1904 dhe 1908, që sot konsiderohet genocidi i parë i ‘900. Pasardhësit e Nguherimo nuk qenë thjesht viktima. “Lufta e tyre qe lufta e parë për rezistencë ndaj kolonializmit”, shpjegon ai.
Jephta Nguherimo ka lindur në një fshat namibian, por sot jeton në Shtetet e Bashkuara. Ka një mjekër të argjendtë dhe flet në mënyrë të përmbajtur dhe të vëmendshme. Si poet dhe njeri shumë shpirtëror, beson fuqimisht në drejtësinë për popullin e tij, por edhe në pajtimin me gjermanët që vranë dhjetëra mijëra herero, nama dhe san, popullsitë indigjene të asaj që në ato kohëra quhej Afrika Jugperëndimore. “Kam një respekt të madh për gjyshërit dhe prindërit e mi, për përpjekjet e jashtëzakonshme që kanë kryer për të na mbrojtur ne fëmijëve nga trauma transgjeneracionale e shkaktuar nga genocidi”, ka shkruar në një artikull të botuar në 2020. “Kur flisnin për luftën e 1904 nuk i referoheshin kurrë genocidit. Flisnin gjithmonë për rezistencë”. Në vitin 1884, në Konferencën e Berlinit, fuqitë europiane i ndanë territoret afrikane. Gjermania mori Namibinë. Në fillimin e ‘900 në vend erdhën rreth 5000 kolonë gjermanë që donin të qeverisnin 250000 vendasit. Dora dorës që kontrolli i ushtruar nga europianët forcohej, të drejtat dhe liritë e afrikanëve zvogëloheshin. Hererot dhe popullsitë e tjera u përzunë sistematikisht nga tokat e tyre dhe u detyruan të jetonin në “rezervate”.
Vendasit e njohur fajtorë se kishin shkelur ligjin ndëshkoheshin me goditje me kamzhik, nganjëherë me varje, ndërsa deri dokumentat zyrtare gjermane regjistronin raste të shumta ku kolonët e bardhë që kishin kryer krime të rënda, si përdhunime dhe vrasje, merrnin dënime më të vogla. Kjo dhunë e vazhduar, bashkë me çështjen e kontrollit të tokave, kontribuoi të përhapej zemërimi dhe mëria midis banorëve vendas. Në vitin 1904, të drejtuar nga kreu Samuel Maharero, hererot u rebeluan. Më 12 janar ushtarët e tyre me kuaj sulmuan qytetin Okahandja, duke vrarë më shumë se 120 persona, në pjesën më të madhe gjermane. Konflikti u intensifikua me shpejtësi. Fillimisht hererot patën sukses dhe arritën të kenë më mirë në vendbanimet koloniale e keqmbrojtura, ndërsa gjermanët kishin vështirësi të organizoheshin nën drejtimin e guvernatorit Theodor Leutwein. Në qershorin e 1904 perandori Vilhelm i II emëroi në vendin e Leutwein gjeneralin Lothar von Trotha, që ngriti menjëherë një qeveri ushtarake me objektiv jo paqëtimin, por shfarosjen. Brenda një kohe të shkurtër hererot u mundën.
Më 11 gusht, ndërsa mëngjesi ngrihej në rrafshnaltën e Waterberg, 50000 burra, gra e fëmijë u zgjuan në kasollet e tyre nga të shtënat e artilierisë. Burrat vrapuan të rrëmbenin armët, duke lënë prapa krahëve të tyre familjet, që më pas u masakruan nga 6000 ushtarët e Schutztruppe (ushtrisë gjermane në kolonitë afrikane). Edhe pse në inferioritet numerik, ushtarakët gjermanë qenë më mirë të armatosur dhe brenda pak kohe i shpartalluan hererot. Në fazat e para të betejës luftëtarët indigjenë thuajse ja kishin arritur t’i rezistonin artilierisë gjermane, por von Trotha urdhëroi të përdoreshin armët automatike. Breshëritë e tyre të shpejta i zmbrapsën hererot, duke i vrarë me mijëra. Të mbijetuarit ja mbathën drejt lindjes, në Omaheke, një rajon i shkretërisë së Kalaharit, mjedis jomikpritës dhe pa ujë. Mijëra vdiqën, shumë nga etja. Të tjerët u grumbulluan dhe u mbyllën në kampe përqëndrimi, ku u detyruan të bënën punë të detyruar. “Gjyshja ime më ka folur për popullin tonë dhe për arratinë drejt lindjes. Më ka treguar sesi vdiqën njerëzit tanë, për shpronësimin e detyruar të tokave dhe të kafshëve shtëpijake dhe për të gjitha vuajtjet e pësuara nëpër kampe”, pohon Nguherimo, duke parë përreth me pamje të menduar, ndërkohë që sistemon dreadlock mbi shpatulla. Bari shumë i bardhë dimëror valëzon nëpër erë, duke transportuar fjalët e tij.
Arsye të kuptueshme
Më shumë se 500 kilometra nga rrafshnalta e Waterberg, në qytetin bregdetar të Swakopmund, Anton von Wietersheim, një namibian gjerman i gjeneratës së tretë, qëndron i ulur në shtëpinë e tij të bukur, me pamje nostalgjikisht europiane. Dielli i hyn në dhomën e ndenjes nëpërmjet një dritareje të madhe. Përpara një filxhani me çaj, von Wietersheim ndan disa kujtime të familjes. “Pararendësi im i parë që erdhi në Afrikën Jugperëndimore të atëhershme gjermane qe një xhaxha, që u vendos në një fermë në Windhoek në vitin 1901. Qe ndër kolonët e parë që u sulmuan gjatë revoltës herero dhe mbeti i vrarë ditën e dytë të luftimeve, më 13 janar 1904. Me shpërthimin e luftës Perandoria Gjermane dërgoi përforcime. Gjyshi im nga nëna, që në atë kohë ishte 19 vjeçar, erdhi në shkurtin e 1904. Luftoi kundër hererove dhe namave, i mbijetoi luftës dhe mbeti në koloni për të punuar tokën”, rrëfen ai. “I kuptohj arësyet e revoltës”, vazhdon von Wietersheim. “Një vëlla i babait tim nuk e gjente të habitshme që hererot qenë rebeluar, pasi u qenë marrë tokat dhe tregëtarët qenë të pamëshirshëm. I merrnin kafshët shtëpijake në mënyrë të pandershme. Kuptohet pse vendasit qenë ngritur. Vetëm që në fund lufta është transformuar në një ndërmarrje genocidare”. Hererot kërkuan të riorganizohen gjatë arratisë në lindje dhe shpresonin se duke rezistuar në Waterberg do të siguronin fitoren. Gjermanët i lejuan që t’ia mbathnin në shkretëtirë, por më pas i pozicionuar trupat në mënyrë që t’i pengonin të shkonin aty.
Jephta Nguherimo është rritur pa e pasur vetëdijen e plotë e tmerreve të pësuar nga stërgjyshërit e tij. Vetëm kur ka dëgjuar historinë e stërgjyshes së tij dhe të arratisë së saj drejt Omaheke së thatë ka kuptuar se ka gjetur misionin e tij. “Stërgjyshja ime ishte tepër e moshuar, e lodhur dhe u braktis. U la të vdiste nën një pemë. Vdiq pa dinjitet. Sot dua ta kuptoj jetën e saj”, rrëfen ai. Familjet u detyruan në zgjedhje të pamundura: të sakrifikonin një jetë për të shpëtuar të tjera. Dhimbja e këtij vendimi ripasqyrohet nëpërmjet gjeneratave. Gjatë arratisë në shkretëtirë lufta gjermane kundër hererove u tranformua në një operacion të qëllimshëm spastrimi etnik. Gjenerali von Trotha i urdhëroi trupat që të vendosnin një linjë avampostesh disa qindra kilometra të gjatë në mënyrë që t’i pengonin hererot të ktheheshin në fermat dhe në fshatrat e tyre. Veç kësaj, urdhëroi të bllokohej aksesi ndaj ujit. Më 3 tetor 1904, pranë pusit të largët në shkretëtirën e Osombo zo Windimbe, von Trotha lexoi famëkeqin Vernichtungs befehl (urdhër shfarosjeje): “Unë, gjenerali i madh i ushtarëve gjermanë, i dërgoj këtë letër hererove. Hererot nuk janbë më nënshtetas gjermanë… Çdo herero që gjendet brenda kufijve gjermanë, i armatosur apo i çarmatosur, me apo pa kafshë shtëpijake, do të vritet. Nuk do të pranoj më gra e fëmijë: do t’i ridërgoj tek njerëzit e tyre ose do t’i pushkatoj”.
Të dëshpëruar dhe të mbaruar, hererot silleshin vërdallë në kërkim të vendstrehimeve apo të burimeve të ujit, shumë prej të cilave qenë helmuar apo dyllosur nga gjermanët. Vdiqën me dhjetëramijëra. Në fund përçmimi i ngjallur në Gjermani nga ky krim kolonial e detyroi perandorin që ta urdhërojë von Trotha ta tërheqë urdhërin më 8 dhjetor 1904. Nga fundi i atij viti namat, që pjesërisht qenë aleatë me gjermanët për të mbrojtur tokat e tyre, u kishte ardhur në majë të hundës nga mizoria e europianëve. I frikësoheshin armiqësisë në rritje dhe racizmit të hapur të të bardhëve kundrejt tyre. Lideri i tyre, Hendrik Witbooi, në atë kohë 70 vjeçar, mblodhi një këshill pleqsh për të dëgjuar përmbledhjet e mizorive. Pas kësaj i thirri të gjithë namave të luftonin kundër gjermanëve. Shumë klane u përgjigjën, përfshi atë të një lideri tjetër të njohur, Jacob Morenga. Ushtarët gjermanë luftuan kundër të nxehëtit, etjes dhe tensionit konstant të shkaktuar nga inkursionet e namave. Pati rreth 200 inkursione dhe përplasje përpara se Witbooi të plagosej për vdekje, në fundin e 1905. Kur vdiq, aleanca e drejtuar prej tij u shkri. Namat u vunë bashkë me të mbijetuarit e fundit herero dhe u dërguan në kampet e përqëndrimit. Në familjen e aktivistes Ida Hoffmann përcillet një histori e trishtuar: “Gjermanët vranë vajzën e stërgjyshit tim, Sara Snewe”, rrëfen Ida. “Sipas asaj që na është përcjellë me rrugë gojore, ishte shtatzanë. Gjermanët i çanë barkun, i nxorrën jashtë fetusin dhe e vranë me gjak të ftohtë”. Akoma sot pinjojtë e kujtojnë Sara Snewe pranë varrit të saj në shkretëtirë.
Nguherimo kujton historinë e një stërgjysheje tjetër: “U kap në Omaheke pas tërheqjes së urdhërit të shfarosjes dhe u dërgua në Lüderitz, në kampin e Shark Island, ku të burgosurit qenë detyruar të punonin në kushte skllavërie. Pjesa më e madhe e njerëzve vdiq, por ajo qe ndër të paktat që mbijetoi”. Ndërpret, i menduar: “Ja pse sot jam këtu”. Shark Island, një gadishull i ngushtë në qytetin e vogël portual të Lüderitz, priste një prej pesë kampeve të përqëndrimit të krijuar në rajon, më famëkeqin. Këtu namat dhe hererot jetonin në kushte çnjerëzore. U ndërtuan rifuxho fati me mbulesa, lecka dhe dru të transportuara nga lumi për t’u mbrojtur nga erërat e akullta dhe mjegullat e ardhura nga Oqeani Atlantik. Për të ngrënë merrënin racione ushqimore të vogla dhe nuk kishte shërbime higjenike. Kështu përhapeshin sëmundjet, sidomos midis fëmijëve. Gratë përdhunoheshin. Shfrytëzimi seksual i afrikaneve jo vetëm që pranohej, por edhe dokumentohej në mënyrë entuziaste. Shumë foto pornografike të grave bëheshin kartolina për t’u dërguar në Gjermani. Të dënuarit më të fuqishëm dilnin nga kampet për të punuar në port apo në hekurudhën e afërt. Askush nuk e di saktë sesa persona ndodheshin në ato kampe. Të dhënat janë të paplota apo inekzistente, por flitet për mijëra të vdekur midis hererove dhe namave.
Kur vizitova Shark Island bashkë me Jephta Nguherimo, era ishte e fortë dhe e akullt dhe flak tej shkëmbinjte mbi të cilët është ndërtuar një kamping. Ajo ditë ishte boshe, por është qartazi në pritje të turistëve të paditur për historinë e vendit. Jephta është dukshëm i prekur. Flet me vështirësi: “Këtu stërgjyshërit e mi u mbajtën të burgosur. Historianët e quajnë një kamp vekjeje. Stërgjyshja ime ia doli, por pjesa më e madhe njerëzve vdiqën nga uria. Ky është Auschwit ynë, Dachau ynë. Në këto vende ka një kamping? Jo”, thotë duke treguar vendet përreth. “Është një vend i shenjtë. Këtu vdiqën njerëz dhe mbi ta u kryen eksperimente shkencore. Kishin frikë të shkonin në qendrën mjekësore sepse e dinin se nuk do të dilnin të gjallë. I vinin të zienin kafkat e njerëzve, pastaj gratë duhet të hiqnin lëkurë dhe ta zhvishnin mishin me copëra xhami”. Kryheshin edhe eksperimente të tjera të tmerrshme. Shumë të burgosur vuanin nga skorbuti, një sëmundje e shkaktuar nga një dietë e privuar nga ushqime të freskëta, dhe mjekët i injektonin opium, arsenik dhe substanca të tjera për të parë se çfarë efekti kishin. Pastaj seksiononin kufomat për t’i studiuar. Kafkat dhe mbetjet e tjera njerëzore dërgoheshin në Gjermani, ku përdoreshin në kërkimin e bazuar në pseudoshkencën raciste dhe eugjenetike. Shumë përfunduan në Kaiser Wilhelm Institute të Berlinit, ku në fillimet e viteve ‘40 studioi Josef Mengele, që do të kryente eksperimente mizore mbi të dënuarit në Auschwitz.
Ajo që u ndodhi afrikanëve në Namibi paralajmëroi dhunat e holokaustit nazist kundër hebrenjve dhe grupeve të tjera gjatë Luftës së Dytë Botërore. Kujtesa e këtyre ngjarjeve është e kontestuar, deri në Namibi. Tentativat e para për ta dokumentuar genocidin i përkasin vitit 1918, kur autoritetet jugarikane hartuan një raport të quajtur Blue book (libri blu), pas humbje së gjermanëve në Luftën e Parë Botërore. Unioni Jugafrikan, në atë kohë një koloni britanike, e kishte pushtuar koloninë gjermane të Afrikës Jugperëndimore më 1915. Fillimisht ishte ndodhur në vështirësi, por brenda pak kohësh kishte fituar avantazh ndaj forcave gjermane, që qenë dorëzuar në korrik të atij viti. Blue book vlerësoi se kishin vdekur rretj 65000 herero mbi një popullsi të përgjithshme prej 80000 njerëzve. Viktimat qenë midis namave kishin qenë 10000, gjysma e totalit të tyre. Disa mendojnë se këto numra janë të ekzagjeruar, por Nguherimo dhe aktivistë të tjerë janë të sigurtë se ato reale janë shumë më të larta. “Gjithësesi, çfarë rëndësie kanë numrat?”, pyet ai. “Veprimet e kryera qenë në vetëvete akte genocidi”.
Tokë dhe kujtesë
Rreth 120 vite më pas pajtimi midis gjermanëve, hererove dhe namave duket ende larg. Në Namibi shumica dërrmuese e popullsisë afrikane është e varfër. Në periferi të qytezës turistike të Swakopmund, Nguherimo më çon të më njohë me Lourens Ndura në një vendbanim të keqmbajtur të quajtur Drc. Radhë e radhë shtëpishë të thjeshta, të shoqëruara nga baraka, mbushin hapësirat e shkreta. Nuk ka asnjë vegjetim dhe era rrotullon rërën nëpër rrugët e shkreta. Lourens mban veshur një tshirt të kuq të sindikatës, kujtim i kohëve të mira, kur kishte punë me kohë të plotë si zjarrfikës në një minierë. 10 vite më parë thatësira dhe uria e kanë detyruar ta sjellë familjen në Drc dhe janë në pritje të dëmshpërblimeve. “Stërgjyshim im u mbyll në Shark Island. Gjermanët duhet të paguajnë për atë që na kanë bërë sepse për ne është një plagë prej shumë, shumë kohësh”, deklaron ai. “Vetëm paratë mund t’i ndryshojnë gjërat. Për të blerë toka dhe kafshë”. Tregon me një gjest barakën prej llamarine, gjëja e vetme që është në gjendje t’i ofrojë familjes së tij. “Këtu jetojmë sikur të ishim në një kamp përqëndrimi”. Toka dhe kujtesa janë dy fije që mbesin thellë të ngulitura për hererot, namat dhe namibianët me origjinë gjermane.
Nguherimo takon Gerd Wölbling, një bujk i thjeshtë namibian gjerman që posedon një fermë prej 15000 hektarësh në vendin ku u bë beteja e Waterberg. Familja e tij është pronare e fermës nga viti 1907 dhe Wölbling është rritur midis hererove. Flet shkëlqyeshëm gjuhën e tyre. Stërgjyshi i tij ka pasur 3 fëmijë me një grua herero. “Qenë vëllezër dhe motra për baba të babait tim. Kemi ende raporte shumë të ngushta”, tregon përpara një kafeje dhe një birre të ftohtë. Megjithatë ai dhe Nguherimo janë të ndarë kur flitet për historinë e trazuar e vendit. “Cila e kaluar është më e rëndësishme?”, pyet Wölbling. “Historia thotë se një popull ka zëvendësuar një tjetër. 100 vite përpara 1907 hererot nuk banonin në këto zona. Nuk mund t’i rivëmë gjërat në vend duke i rikthyer”. Nguherimo dëgjon me vëmendje, nuk e kundërshton Wölbling. “Po mohon se ka ndodhur një genocid?”, e pyet ndërsa strehohen nga dielli nën një pemë. Wölbling ngre duart për të shpjeguar. “Nuk i vë në dyshim vuajtjet e shkaktuara hererove. Kanë humbur pjesën më të madhe të tokës së tyre, të kafshëve të tyre dhe, le ta pranojmë, edhe gjysmën e popullsisë së tyre”. ama mohon faktin që ka ndodhur një genocid. “Nuk ishte qëllimi dhe, sipas meje, lidhja me holokaustin është e tepruar”. Por në vitin 1985 raporti Whitaker i Kombeve të Bashkuara e klasifikoi si genocid atë të hererove dhe të namave. Në majin e 2021 edhe qeveria gjermane e njohur formalisht. Në një deklaratë të përbashkët me Namibinë, është impenjuar t’i derdhë qeverisë së Windhoek 1.1 miliard euro në 30 vitet e ardhshme, me kusht që të shpenzohen në zonat ku sot jetojnë pinjojtë e viktimave.
Bërja e hesapeve
Nguherimo dhe Ida Hoffmann janë të zhgënjyer nga marrëveshja. “Negociatat, praktikisht unilaterale, të kryera mga qeveria namibiane me atë gjermane janë dhe mbesin të papranueshme”, thotë Hoffmann. Marrëveshja ka ngjallur shumë pakënaqësi. Aktivistët nama dhe herero kanë kërkuar një rinegociim, për të destinuar më shumë fonde komuniteteve të dëmtuara. Veç kësaj, duan të jenë më të përfshirë në diskutime. Në realitet asnjë prej dy qeverive nuk e ka firmosur marrëveshjen. Ajo namibiane ka propozuar negociata të mëtejshme, por parlamenti gjerman ia ka refuzuar kërkesën dhe nuk ka sinjale për një zgjidhje të shpejtë të ngërçit. “Duket”, vëren Nguherimo, “se qeveria namibiane po merr pjesë sërish në traktativa sekrete, pavarësisht se njerëzit kanë kërkuar publikisht përfshirjen e liderëve të komunitetit”. Shumë herero dhe nama konsiderojnë se partia në qeverisje, South West Africa People Organization (SWAPO), nuk i ka përfaqësuar në mënyrën e duhur, pasi baza e konsensusit të saj më e fortë është midis ovambove, popullsia me origjinë nga veriu i vendit. Qeveria thekson se është zëri i të gjithëve dhe se nuk mund ta kufizojë miratimin e marrëveshjes vetëm me hererot e namat. Phanuel Kaapama, një prej njerëzve që kanë kryer negociatat për qeverinë, ka referuar se për momentin është në zhvillim “një proces konsultimesh të brendshme për ta forcuar konsensusin”. Ruprecht Polenz, i Dërguari Special i qeverisë gjermane, i është përgjigjur nëpërmjet emailit se nga maji i 2021 “në Namibi po flitet për deklaratën e përbashkët, e konsideruar e diskutueshme. Qeveria federale po e ndjek debatin dhe është në pritje të rezultatit”. Në Waterberg, Nguherimo ulet në gjunjë për të grumbulluar një grusht rërë. E vendos pak në gojë për ta bekuar, sipas traditës së mësuar nga gjyshja, dhe hedh poshtë pjesën tjetër. Qëndron në heshtje për një kohë të gjatë, pastaj ngrihet me ngadalë. “Po i bëj homazh, e di se stërgjyshërit e mi kanë këtu për të na thënë që t’i kujtojmë përgjithmonë këto vende”.
I ka sytë me lot. Shesh në heshtje panoramën nën diellin e mëngjesit. Ngadalë nis të flasë me zërin e tij prej poeti. “Është e vështirë të bëhen hesapet me fatin. Gjermanët që na kanë mundur i posedojnë këto hapësira. Kanë blerë tokën, por nga kush? Do të luftojmë për të pasur dëmshpërblime dhe dinjitet. Jemi mundur, por jemi ende të fortë. Një ditë do ta rikemi tokën tonë, tokat tona stërgjyshore duhet të ndahen me ne. Ky vend. Këto pemë, gjithçka më flet, pikërisht tani. Në erë ndjej shpirtërat që më thonë: “Trego historinë”. Ndjej energjinë e kujt ka vdekur, erënë e kujt nuk ka pasur varr, erën e rezistencës, zogjtë që këndojnë, gjithçka më thotë diçka nëse e dëgjoj me vëmendje”. “Nuk ndjej zemërim, por ndjej shpirtin timë thellësisht të lidhur me atë të stërgjyshërve të mi. Nuk i shërben asgjëje të qenit i zemëruar”, konkludon ai. “Jam i nderuar që mund të flas me ta”.
(Hamilton Wende për Al Jazeera)
Përgatiti
ARMIN TIRANA