Kjo flakje tej e Ahmetajt i përket dhe vizionit ekonomik të qeverisë Rama gjatë këtyre 10 viteve

Nga Ndriçim KULLA

Shumë ngjarje të rënda duket sikur kanë mbuluar me hi harrimi e heshtje gjyqësie, skandalin më të madh korruptiv dhe shtetëror, që mund të ketë pasur ndonjeherë sistemi-vend shqiptar, skandalin e djegsave.

Përflitet se skandali i portit të Durrësit është akoma dhe më i tmershëm, i pjellë veç nga një babëzi halucinante, e denjë dhe në lartësinë e vet të etjes për pushtet, që mund të kaplojë në makthe e kllapi, vetëm kryeministrin tonë. Pse vallë flasim për një etje për pushtet? Pse nuk e lëmë në duart e drejtësisë këtë vendim? Le të bëjmë pak një skicim të historisë së qeverisjes Rama për këto 10 vjet.

Në katërvjecarin e parë dhe të dytë, derisa era e kanabisit përtej Shqipërisë mori dhenë e helmoi edhe ajrin e qeverive të Europës, ai ideoi planin e kanabizimit të gjithë vendit jo vetëm për të fituar dhe vjedhur, jo vetëm për të grumbulluar pasuri, ai dhe gjithë shpura e ministrave dhe rrjeteve njerëzore e patronazhiste të Rilindjes. Ishte një strategji e qartë dhe e mirë-menduar, që i kalonte caqet e babëzisë proverbiale, ishte një strategji që me paratë, favoret, shtrirjen e saj dhe potencialin e krimit, synonte të fitonte zgjedhjet.

Dhe ashtu ndodhi, zgjedhjet u fituan duke shfrytëzuar të gjithë këta elementë, u demaskuan si të vjedhura prej tyre, por drejtësia vetëm pas një ecejake pa fre e pa kuptim moral dhe logjik, arriti të dënojë Tahirin, ministrin e brendshëm të kanabizimit. Vetëm një fjalë e urtë është mëse e duhura për ta etiketuar drejtësinë shqiptare ndaj vizionit socialist të legjislaturës së parë : drejtësia e vonuar është padrejtësi.

U krye një reformë e tërë në drejtësi për të zhbërë pikërisht padrejtësi të tilla që ndikojnë në zgjedhjet dhe në votën në zërin dhe në të drejtën legjitime të një populli të tërë. Mirëpo SPAK, edhe një herë, ashtu si drejtësia e kapur prej pushtetit para tij, vërtetoi gjatë gjithë këtyre viteve po të njejtën padrejtësi ndaj popullit shqiptar. Edhe në legjislaturën e dytë vizioni socialist për të fituar pushtetin ishte skema e djegësve për pushtetin ekonomik dhe skema e ndërtimit të shtëpive të tërmetit, për pushtetin e zgjedhjeve selektive, zgjedhjeve të tarafit dhe dhënies së bonuseve ditën përpara zgjedhjeve, në kundërshtim të hapur të ligjit dhe moralit të ndikimit të zgjedhjeve.

E bëmë këtë histori të shkurtër, për të dhënë një ide sa më të saktë të vizionit të zhvillimit dhe ekonomisë që ka promovuar qeverisja e Ramës këto 10 vjet: ekonomi kanabisi, ekonomi djegsash, ekonomi rrugësh dhe qendra qytezash e fshatrash të fryra nga korrupsioni, pa kurrëfarë ndikimi thelbësor në rrogën, xhepat dhe ekonominë e familjeve shqiptare. Edhe një herë tjetër, si për rastin e Tahirit, drejtësia e vonuar për skandalin e djegsave është bërë normë e keqe, ligj i pashkruar i cironkave, një padrejtësi e madhe, e tmershme, shkatërimtare për besimin e çdo qytetari shqiptar ndaj politikës dhe pushtetit që kap gjithçka.

Por kësaj rradhe me vulën e SPAK, dhe cfarë është më e keqja në sytë e BE dhe Amerikës, që trumbetojnë dhe kërkojnë me ngulm fakte dhe veprime konkrete kundra korrupsionit. Tash, më kemi edhe një drejtues të ri SPAKU, e tani kemi dhe prova të reja, sikur të mos mungonin, që Ahmetaj ka gënjyer përpara komisionit për njohjen me Zoton, që Ahmetaj jo vetëm që është imoral dhe i korruptuar në gjithë këtë histori, por do të bëjë edhe arrogantin, sfiduesin dhe “tigrin” e tinzarllëkut ndaj shqiptarëve. I zhytur kokë e këmbë në lluksin e tarafit dhe paburrënisë, shpik e sajon sikur nuk e njeh, sikur nuk e ka takuar, nuk ka udhëtuar me askënd nga banda e djegsave.

E megjithatë drejtësia nuk vepron, nuk e “zhvesh lakuriq” me një vërtetim të thjeshtë fature hoteli, për ta flakur, ashtu sic e meriton në “suitën-qeli” të korrupsionit që gatoi me duart e tij. Pavarësisht se kjo mund të duket si mëkati i tij më i madh, për të tjerë mëkate ai duhet të “fshikullohet” moralisht, ashtu lakuriq dhe i zhveshur nga paburrënia e tij korruptive dhe gënjeshtare. Dhe kjo ka lidhje pikërisht me atë vizion të cilin ai udhëhoqi për gjithjë këta vite të pushtetit social, si krahu i djadhtë i Ramës për ekonominë, e shpeshherë dhe fytyra përligjëse e një dështimi total ekonomik të Shqipërisë, që prodhoi veç emigracion dhe shpopullim të këtij vëndi.

Ishte ky i ashtu-quajtur ekspert që me “mediokritetin” ideologjik dhe propagandistik të tij, ai që vetëm për të fituar zgjedhjet, përdori teorinë e taksave të ulura për 95% të Shqiptarëve, një teori që siç tregoi koha, ishte jashë fokusit të duhur që duhet t’i jepej ekonomisë shqiptare dhe manaxhimit të burimeve dhe risurseve të saj. Po dështak rezultoi të qe vizioni i tij gjatë legjislacionit të parë, për shlyerjen e borxheve ndaj biznesit vendas duke shpërfillur dhe diskriminuar nevojat reale të tyre, për t’u kthyer kështu në vizionarin e “pompuesit të parave publike për oligarkët”.

Edhe skemën e PPP-ve ishte ai që në thyerje të çdo ligji e shpuri në një “perfeksion paligjshmërie”. Po kështu, ishtë përgjegjësia e tij profesionale dhe morale për të bërë transparencë dhe për t’i përdorur me nikoqirllëkun më të madh të mundshëm, të gjithë atë 1 miliard euro që bamirësia e ndërkombëtare dhuroi për popullin shqiptar dhe aspak vizioni dhe fokusi ekonomik i qeverisë. Mirëpo “përfeksionisti i mos-transparencës” që dilte si bufon-i pallat pas pallati të rindërtuar, vizionit të propagandës socialiste i shtoi alokimin e paligjshëm dhe dërgimin e bonuseve të tërmetit, pikërisht disa ditë para zgjedhjeve, për të zgjidhur në mënyrën më kriminale të mundshme të demokracisë, problemin e fitimit të zgjedhjeve për mandatin e tretë socialist.

Nuk i mjafton ideuesit vizionar e marifetçi të gjithë asaj skeme të pashëmbull korrupsioni të djegsave, shërbimi prej eunuku moral e intelektual ndaj Kryeministrit Rama gjatë gjithë këtyre viteve kur ai po drejton Shqipërinë.Ai duhet të përgjigjet edhe për “profesionalizmin” mjeran e kriminal, të pashpirt dhe shkatërimtar që i ka bërë manaxhimit, drejtimit dhe fokusimit në rrugën e duhur të mundësive reale që ka ekonomia shqiptare, duke qenë përgjegjësi kryesor i atij rrënimi vizionar që politika e fuqizimit të oligarikisë dhe jo individit dhe familjes shqiptare, ka bërë për të ushqyer arratinë e shqiptarëve dhe shpopullimin e saj.

Politikat e këqija të mos-rritjes së pagave, në të gjithë sektorët e adminstratës publike, për të mbështetur rritjen e përvitshme të inflacionit, politikat e goditjes dhe seleksionimit ideologjik të ndihmës ekonomike, politikat e mbështetjes me thërrime të biznesit dhe individëve gjatë kohës së pandemisë, janë pjellë e ideologjisë dhe paaftësisë së tij. Por më kryesorja, vizioni i tij i dështuar ekonomik, për vite me radhë u valëvit si flamur suksesi nga qeveria socialiste. Po sot, si duhet të valevitet, kur SPAK duhet ta ketë prioritet të gjykojë urgjentisht abuzimet dhe impikimin e tij flagrant në gënjeshtrat ndaj publikut dhe cdo qytetari shqiptar.

Ajo që duhet të dënohet është edhe vizioni i qeverisë Rama, që deri dje mburrej me kanakarin e vet të parapëqlyer si ideolog dhe propagandues i mashtrimit, ndërsa sot, për të shpëtuar mbytjen e anijes së korrupsionit të tij, e ka flakur tej si limon i shtrydhur. Kjo flakje tej nuk i përket vetëm Ahmetajt, kjo flakje tej i përket dhe vizionit ekonomik të qeverisë Rama gjatë gjithë këtyre 10 viteve. Është ajo që do të ndëshkohet bashkë me gjithë ato aferë skandaloze, në emër të gjithë atyre shqiptarëve që vuajnë nga pagat e ulëta, nga mungesa e shpresës, e punës, e barazisë në mundësi dhe risurse, dhe janë detyruar të arratisen apo presin një rast të vetëm për të lënë Shqipërinë.

E kjo gjë nuk duhet të ndodhë si me Tahirin. Faji duhet të ndëshkohet nga drejtësia shqiptare në kohën e duhur, përpara se zgjedhësit të shkojnë në votime, përpra se të fillojnë aferat e rradhës me të cilat do blihen zgjedhjet. Edhe cdo ditë që kalon është krim, kur nuk vendoset drejtësi, kurse drejtësia e vonuar është padrejtësi. Kurrë më!

About Redaksia

Check Also

Zyra e BE-së reagon ndaj protestave, por jo ndaj krimit!

Nga Milaim NELA Reagimi i Zyrës së Bashkimit Europian sot ndaj protestës së qytetarëve tē Tiranës …

Leave a Reply