Guvernatori i Teksasit dërgon Gardën Kombëtare në kufirin me Meksikën

Shqetësimi mbi krizën e emigrantëve në kufirin jugor të Shteteve të Bashkuara vazhdon të rritet, ndërsa Guvernatori i Teksasit Greg Abbott urdhëroi dislokimin e Gardës Kombëtare përgjatë një pjese të lumit Rio Grande. Një numër i madh emigrantësh hyjnë në Shtetet e Bashkuara duke kaluar lumin që ndodhet në kufirin me Meksikën.

Guvernatori i Teksasit, Greg Abbott, ka urdhëruar dislokimin e më shumë se 500 trupa të Gardës Kombëtare, së bashku me policinë e shtetit dhe agjentë të Patrullës Kufitare, përgjatë brigjeve të lumit Rio Grande në një pjesë kyçe të kufirit SHBA-Meksikë, midis qytetit amerikan El Paso në Teksas dhe atij meksikan Ciudad Juarez.

Trupat janë rreshtuar përgjatë bregut të lumit, ku janë vendosur tela me gjemba për të frenuar hyrjen e emigrantëve në Shtetet e Bashkuara përmes pikave të paautorizuara.

Por, duke marrë parasysh se urdhri ekzekutiv “Titulli 42”, që lejon dëbimin e menjëhershëm të shumicës së emigrantëve është ende në fuqi, pikat e autorizuara të hyrjes janë gjithashtu të mbyllura.

Ndërkohë, organizatat jofitimprurëse thonë se nuk kanë hapësira të mjaftueshme në qendrat e tyre për të strehuar emigrantët që tashmë kanë hyrë në vend në afërsi të El Pasos.

“U detyruam të mbyllnim librarinë, të pastronim korridoret në kishën tonë, për të strehuar më shumë njerëz, veçanërisht me kushtet aktuale të motit. Ne nuk duam që të ketë njerëz në rrugë. Por kërkesat kanë tejkaluar kapacitetin tonë. Tani po strehojmë familje, burra dhe gra, edhe në objektin e magazinimit matanë rrugës. Ne po përpiqemi t’u ofrojmë atyre më të mirën me atë që kemi”, thotë Rubí Tovar Rivera nga Qendra e Strehimit Misioni i Shpëtimit.

Komuniteti vazhdon të ndihmojë me donacione, ndërsa emigrantët vazhdojnë të kërkojnë strehim në mjedise të mbyllura për shkak të temperaturave të ulëta gjatë natës në rajon.

Shumë prej tyre thonë se nuk janë të shqetësuar nga mbipopullimi për sa kohë që kanë një çati mbi kokë dhe një vend ku mund të flenë të sigurt.

“Po, është shumë ngushtë këtu. Është pjesërisht vështirë, por edhe mirë. Shpresoj që ne të rregullohemi dhe të punojmë. Unë do të doja të punoja për ta përmirësuar gjendjen e familjes sime”, thotë Humberto Balboa, një emigrant nga Venezuela.

Guvernatori Abbott thotë se ai do të forcojë zbatimin e rregullave pranë kufirit derisa të ketë një vendim përfundimtar për urdhrin ekzekutiv “Titulli 42”.

About Redaksia

Check Also

Konservatorët fitojnë mandatin e tretë qeverisës në zgjedhjet në Kroaci

Partia konservatore në pushtet e Kroacisë, Bashkimi Demokratik Kroat (HDZ) e udhëhequr nga kryeministri Andrej …

Leave a Reply