1.4 milionë metra kator leje ndërtimi në 2022, si po bëhet pastrimi i parave në blerjen e apartamenteve cash

Xhoana Çollaku
Ermal Spahiu

1.4 milionë metra kator leje ndërtimi të dhëna në Tiranë vetëm gjatë 2022. Ekspertët flasin se si paraja e zezë arrin të futet në Shqipëri nga krimi i organizuar dhe se si arrin të investohet në pasuri të paluajtshme.

Nëse ke sot para cash dhe kërkon ti fusësh në vend e më pas të blesh një apartament, ky qëllim mund të realizohet tejet lehtë, ndonëse ligjërisht është e pamundur për shkak të kufizimeve në pagesat e lejuara me para në dorë. Gazetarët e ACQJ u infiltruan si të interesuar për të blerë një apartament me vlerë 200 mijë euro përmes pagesës me para në dorë, burimi i të cilave ishte nga jashtë vendit.

Duke pyetur aktorë të ndryshëm, nga oficerë policie në pikat kufitare, deri tek ndërtues e agjentë të pasurive të paluajtshme, u zbuluan disa skema që përdoren për të futur paratë në vend dhe më pas për të blerë një apartament në zonën qendrore të kryeqytetit.

Futja e parasë cash në Shqipëri, apo siç njihet ndryshe me termin pastrimi i parasë së zezë kalon në disa faza dhe procese.

Në skemën e ngritur për transportin e parave cash brenda kufijve të Shqipërisë, persona që kanë shuma të mëdha për të kaluar, shpeshherë nga burime të pajustifikuara, krijojnë kontakte me persona të cilët kanë një lidhje të drejtpërdrejtë apo të tërthortë me oficerë të policisë kufitare.

Në bazë të ligjit për parandalizimin e pastrimit të parave, të gjithë personat të cilët hyjnë në/ose largohen nga territori i Republikës së Shqipërisë, janë të detyruar të deklarojnë shumat në të holla, duke filluar nga shuma 10 000 euro, ose kundërvlerën e saj në monedha të tjera, qëllimin e mbajtjes së tyre, si dhe të paraqesin dokumentet justifikuese përkatëse mbi këtë shumë.

Megjithatë, ky ndalim shpeshherë mbetet në letër, pasi skema e ngritur garantonnë shumicën e rasteve kalimin e parave pa probleme të theksuara për dërguesin. Personi i cili krijon lidhjet me oficerët e policisë kufitare është personi përgjegjës që ka mbi supe të gjithë zinxhirin e kalimit të parasë cash në rrugë tokësore. Po ky person nëpërmjet bisedimeve dhe dakordësimit me persona pjestarë të autoriteteve policore në kufi, arrin të kalojë shumat e parave cash, pa hasur në ndalesa ligjore apo probleme me oficerë të tjerë të policisë.

Janë këto dy hallka të cilat në kompromis dhe nëpërmjet pagesës së një përqindje për këtë “shërbim” bien dakord për kalimin e parave nëpërmjet çantave të plaçkave apo mallrave të tjerë që klojnë në doganën e kufirit toksor.

Kjo formë e kalimit të parave cash përmes kufijve toksor, e përdorur nga rrjetet kriminale të trafikimit të substancave narkotike, është cituar dhe nga Qendra Europiane e Monitorimit të Drogave dhe Varësisë nga Drogat, në një raport të fundit mbi Kërcënimet shëndetësore dhe të sigurisë që lidhen me drogën në Ballkanin Perëndimor. Sipas këtij raporti, paratë e gjeneruara nga grupet e trafikut të drogës në Evropën Perëndimore dhe të pastruara në Ballkanin Perëndimor shpesh kontrabandohen përtej kufijve në ndarje të fshehura makinash dhe kamionësh.

Shoferët e kamionëve të intervistuar, përmes edhe një skeme tjetër, thonë për këtë raport por dhe raporte të tjera të mëparshme të botuara nga Global Initiative Agains Transnational Organized Crime, si korrierë të cash-it udhëtojnë rregullisht ndërmjet Shqipërisë dhe vendeve të BE-së, si dhe Mbretërisë së Bashkuar, duke mbajtur shuma relativisht të vogla (më pak se 10 000 euro) për të shmangur dyshimet.

Të ardhurat e paligjshme të krimit transferohen gjithashtu nëpërmjet sistemit financiar, kompanive të transferimit të shpejtë të parave dhe operatorëve hawala, një sistemi të bazuar mbi transferta informale përmes rrjeteve të nëndheshme ilegale. Ky sistem mer parasysh depozitimin e fondeve nga nisësi pranë një “zyre”në vendin e origjinës, dhe njoftimin nga kjo e fundit të “degës” së saj në vendin pritës që depozita është bërë, duke hapur rrugë dorëimit të një shume cash ekuivalente tek pritësi i fondeve.

Sipas statistikave zyrtare të Drejtorisë së Doganave, në vitin 2021 numri i rasteve të diktuara që kanë tentuar të kalojnë para “cash” të padeklaruara mbi limitin që njeh legjislacioni ka qenë 36. Rruga tokësore ka qenë ajo që ka pasur më shumë raste të kalimit të parasë, ndërkohë që pika kufitare me më shumë raste të diktuara nga autoritetet ka qenë Aeroporti i Rinasit. Në shifrat e dhëna nga Drejtoria e Doganave, në rrugë tokësore janë tentuar të kalohen para në 20 raste, nga deti 4 dhe nga ajri 11. Në vlerë në total janë sekuestruar 391,780 paund britanikë, 1,218,695 euro, 33,100 dollarë dhe 424,500 Lekë.

Megjithatë, pavarësisht shifrave zyrtare të sasive të bllokuara, një person i përfshirë në skemën e kalimit të parave cash në pikat kufitare tokësore, kontaktuar nga agazetarët e ACQJ, pranon se praktika e kalimit të parave cash në kufi është tejet e zakonshme, dhe vetëm pak transaksione arrijnë të zbulohen.

Ish zyrtarë të agjencive kundër pastrimit të parave, nën kushtet e anonimatit, përmendën një tjetër formë të futjes së parasë së zezë në Shqipëri. Sipas tyre, kjo bëhet nëpërmjet mjeteve, mobiljeve të përdorura, të kushtueshme për blerësit që vijnë nga Belgjika, Anglia, etj, ku përmendën edhe rastin e “Toyota Yaris me 3.5 milion euro në brendësi”.

“Ka disa forma për futjen e parasë së zezë në Shqipëri në kesh, si nëpërmjet mobiljeve në brendësi të tyre dhe mjeteve të përdorura. Nuk është rastësi ajo e Toyota Yaris që ishte 3.5 milion euro njëherësh, por ka me raste të tjera që individ përdoren si transportues, të cilëve i jepen shumat përkatëse për kalim, dhe pasi grumbullohen në Shqipërishpërndahen mes personave të ndryshëm në shuma të cilat nuk tërheqin vëmendje dhe futen nëpër llogari bankare”, – u shprehën ata.

Nga para informale, tashmë pjesë e ekonomisë formale
Por çfarë ndodh pasi paratë arrijnë të futen në teritorin shqiptar? Pas mbërritjes së parave në vendin tonë, personi që zotëron këto shuma tenton të lidhet me kompani ndërtimi apo agjenci të pasurive të paluajtshme, për të kryer blerjen e një apo më shumë apartamenteve, një formë kjo e pastrimit të parave e cila ka gjetur zbatim të gjerë në vitet e fundit.

Oferta e apartamenteve është rritur vitet e fundit për shkak të shtimit të ndjeshëm të lejeve të ndërtimit në kryeqytet. Sipas të dhënave të INSTAT, në vitin 2021, sipërfaqja e lejeve të ndërtimit të dhëna nga Bashkia Tiranë arriti në 1.4 milionë metra kator, niveli më i lartë rekord, të paktën që nga viti 2005, vit në të cilin INSTAT ka filluar mbajtjen e të dhënave.

Zyrtarët e pastrimit të parave më tej theksojnë faktin se paratë e importuara investohen kryesisht në ndërtim, përmes kompanive të reja, të sapoformuara, të cilat praktikisht do ta kishin të pamundur të zhvillonin investimet për të cilat kanë marë leje ndërtimi, duke pasur parasysh kapitalin fillestar të tyre.

“Momenti i dytë i integrimit të parave të zeza është ta fshehin paranë, grumbullojnë atë. Këtë e bëjnë nëpërmjet kompanive të ndërtimit, si kompanive të mëdha të ndërtimit, po ashtu edhe kompanive të reja që jan futur rishtas në treg. Ti shikon që janë futur në treg kompani që nuk kanë pasur asnjë të ardhur më përpara, asnjë histori në ndërtime, etj. Në mes të ditës kanë të ardhura dhe fillojn e bëjnë kulla etj. Pra këto kompani nuk kontrollohen nga shteti, por i lejojnë vetë dhe fillojnë e i ndërtojnë me ato para.”- shtojnë ata.

Më tej, për sa i përket pastrimit të parasë në këtë sektor, ata theksojnë se praktika nuk shihet vetëm në kompanitë fantazëm, por ata rendisin një sërë elementësh përbërës të komplet industrisë, nga hekuri dhe betoni deri në pikat e karburantëve, të cilët kanë shtyrë krijimin e kompanive guackë në numra tepër të lartë për një vend kaq të vogël sa i joni.

“Në çdo vend jo vetëm ata që prodhojnë hekurin apo betonin, por nga hekuri, betoni deri tek ata që prodhojnë rafiniturat, suvaja, tek perdet, grilat, etj, po ti shohësh janë ndërmarrje apo pika shitjesh shumë herë më shumë sesa i nevoiten vendit tonë. Ashtu sikundër janë edhe karburantët e rrugës, ka karburante që ndoshta do i duheshin gjithë Ballkanit, dhe në fakt për çfarë janë ato? Po të kishim një llogari ekonomike të ligjëshme, ata nuk nxjerrin as harxhimet e tyre. Pra dikush u jep atyre para të pistë dhe ata përfitojnë nga vlera, për qindja e asaj paraje dhe ua kthejnë pastaj nëpërmjet xhiros”. – përfundojnë ata.

Blerja e apartamenteve në cash
Por cfarë ndodh pasi një person ka arritur të fusë lekët e tij në Shqipëri? Si mund ti investojë ai 200.000 Euro në blerjen e një apartamenti në Tiranë? Një agjent imobiliar, nën kushtet e anonimatit, i shpjegon ACQJ.

Në shumicën e rasteve, 50% e parave të padeklaruara i shpërndahen të afërmve në sasi të tilla që mund të deklarohen si kursime dhe të përfshihen në sistemin bankar pa ngritur flamuj të kuq. Këto fonde më pas i kalohen nga familjarët pas personit, në formën e aktdhurimeve apo transfertave të zakonshme me justifikime familjare ose hua të vogla.

“Pjesa e mbetur i jepet cash në dorë agjencisë imobiliare”- thotë ai.

Agjencia nga ana e vetë i kalon një pjesë të madhe të shumës së marë, rreth 30% të fondeve fillestare, në llogarinë e saj në formën e kapitalit për investim.

“Pjesa e mbetur e fondeve, pasi hidhet në llogari të agjencisë, dakordësohet mes administratorit të agjencisë imobiliare, drejtorit të bankës dhe personave pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave, se si të administrohet në mënyrë që shuma mos të tërheqë vëmendje nga palë të treta”. – përfundon ai.

Në momentin që paratë janë futur tashmë në sistem, e vetmja gjë që ka mbetur është lidhja e kontratës mes blerësit, agjencisë si ndërmjetës dhe shitësit të apartamentit, në praninë e një noteri, i cili e formalizon kontratën dhe gjithkush shkon në udhën e vetë.

Moneyval, mekanizimi i Komisionit Europian për parandalimin e pastrimit të parave, në raporet e tij për Shqipërinë ka konstatuar vazhdimisht se pasuritë e paluajtshme janë sektori më i brishtë ndaj pastrimit të parave.

Në shkurt të vitit 2020, Task Forca për Veprim Financiar – FAFT, një mekanizëm i Moneyval, e futi sërish Shqipërinë në listën gri të pastrimit të parave, e ngritur fillimisht në vitin 2015. Deri në rishikimin e fundit të tetorit 2022, Shqipëria vijoi ende të mbetej në këtë listë, së bashku me Turqinë, dy shtetet e vetme evropiane në listë.

“Për sektorin e pasurive të paluajtshme problemet shtohen nga mosregjistrimi i plotë i titujve dhe në shumë raste nga mungesa e evidencave të besueshme të pronësisë, sidomos për pallatet e reja, çka përbën një brishtësi që mund të mundësojë pastrimin e parave”, – thekson Moneyval.

Në raportin e 3-të vijues të “Masave kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit” për Shqipërinë, majit të 2022, vihet re, se pavarësisht zhvillimeve të shumta pozitive në sektorë të ndryshëm në luftën kundër pastirmit të parave, sektori i agjencive imobiliare ishte ai që vuante më shumë nga mungesa e kuadrit rregullator për çështje të ndryshme, apo mosimplmentimit të tij.

Një raport i Nismës Globale Kundër Krimit të Organizuar, me qendër në Gjenevë, gjeti se “Sektori i ndërtimit është veçanërisht i ndjeshëm ndaj pastrimit të parave, për shkak të mënyrës së strukturimit të tij. Së pari, shitjet e ndërtimeve të reja në përgjithësi funksionojnë nëpërmjet parapagimeve, duke u shitur përpara se të fillojë ndërtimi. Industria është përgjithësisht e bazuar në cash, me agjentët e pasurive të patundshme në Shqipëri, që raportojnë se 40-50% e të gjitha shitjeve bëhen ekskluzivisht në cash”. Sipas raportit, për periudhën 2017-2019 vlerësohet të jenë pastruar në vend rreth 1.6 miliardë euro.

Për ekspertin e ekonomisë Pano Soko, më shumë përshtypje në blerjen e apartamenteve apo pasurive të paluajtëshme të bëjnë figurat politike, publike dhe më pas vijnë emigrantët që punojnë në të zezë jashtë vendit.

Sipas tij në këtë formë futen në lojë bankat, duke justifikuar të ardhurat pasi ata mundësojnë dhënien e kredisë për shlyerje të borxhit me anë të kësteve mujore.

“Skemë tjetër është kur gjërat janë më të komplikuara. Si më të komplikuara? Në këto raste flasim për persona të cilët janë më publikë; një politikan, apo drejtor. Nëse unë djalin nga Londra nuk e njoh fare dhe ai ka blerë 3 apartamente mund të mos më bëjë përshtypje fare. Drejtorin e doganës e njoh, publiku e njeh, dhe të bën përshtypje se për shembull ai me një rrogë prej 1 milion e gjysëm lekë ka mundësinë të blejë 3 apartamente. Kështu që këta duhet ta sofistikojnë pak dhe këtu futet në lojë banka. Bankat në përgjithësi kanë qenë ndihmuese, operacionale, janë pjesë e saj. Si futen në lojë banka? Unë nuk shkoj ti jap kesh kompanisë ndërtuese lekët, por shkoj dhe marr një kredi në bankë me kesh koletoral”, – shprehet Soko.

Të dhënat nga Banka e Shqipërisë tregojnë se kredia e re për pasuri të paluajtshme është rritur ndjeshëm vitet e fundit. Për 9 mujorin e vitit 2022, kredia e dhënë nga bankat për individët për blerjen e pasurive të paluajtshme arriti në 35 miliardë lekë (gati 300 milionë euro), dy herë më e lartë se në vitin 2020.

Pastrimi i parasë në sytë e ekspertëve ligjor
Eksperti ligjor dhe njëkohësisht avokat, Redi Ramaj thotë për ACQJ se shumica e blerjeve të apartamenteve në vendin tonë është bërë me para cash.

“Shumica e transaksioneve në Real Estate janë bërë me lek cash sepse duket nga vlera e ulët që bëhet deklarimi i kontratës për një apartament, ndonëse çdo ditë e më tepër është bërë e vështirë që të blihet një apartament në Tiranë , qoftë në periferi, qoftë në qendër. Në qendër kanë shkuar çmimet në ekstrem dhe disa kontrata të deklaruara që kemi parë dhe ne gjatë proçeseve ose në gjykatë ose institucione të tjera, kemi vënë re që vlera e transaksionit është e ulët që do të thotë që një pjesë është likuiduar në bankë e pjesa tjetër me para cash”, – u shpreh ai.

Pavarësisht kësaj, Ramaj ngre një tjetër shqetësim ku shprehet se kreditë tregtare të marra në bankë janë në nivele të ulëta.

“U bënë disa vite tashmë dhe ndërtimi është në nivelin më të lartë historik, që do të thotë se ndërtuesit kanë gjetur burime të tjera financimi në ndërtimin e tyre përtej bankës dhe kredive që do të thotë se është para e zezë.”– thekson ai.

Tjetër aspekt që evidentohet është dhe rritja e çmimeve, edhe pse të ardhurat personale mesatare janë të ulëta, çmimi i apartamenteve rritet çdo ditë.

“Ka kërkesë për blerje sepse çmimi shton kërkesë ofertë dhe kërkesa për blerjen vjen vetëm nga paraja që vjen në të zezë, sepse mundësi që të rritet çmimi me këtë lloj ritmi nuk ka, kështu që mendoj se është problematike”. – përfundon ai.

Sipas Indeksit Fischer të Çmimeve të Banesave, i llogaritur nga Banka e Shqipërisë, çmimi mesatar i banesave të shitura gjatë 6-mujorit I 2022 është rritur me 28.4% në krahasim me gjashtëmujorin e kaluar dhe me 39% në krahasim me një vit më parë.

Në krahasim me vitin 2013, kur banka e Shqipërisë filloi të llogarisë këtë indeks, çmimet janë rritur me rreth 110%. Në qendër të Tiranës, çmimet luhaten nga 4000-5000 euro për metër katror, brenda vijës së verdhë 1200-2500 euro dhe në periferi të Tiranës nuk ma më lirë se 700-800 euro për metër katror.

Ramaj ‘akuzon’ shtetin si aktorin kryesor që e ka lejuar ndër vite fenomenin e pastrimit të parave. “Vetë shteti dhe vetë qeveria ka toleruar në faktin që këto veprime të kryhen, qoftë nga agjensitë qoftë nga individë sepse ka interes në këtë vullnet për të mbajtur ekonominë besoj gjallë dhe në funksionim, të lejojë veprime të kutpueshme që bëhen si evazion fiskal pra si vepra penale. Ekonomia është në gjendje kritike dhe paraja e zezë dhe besoj ndihmon shtetin momentaisht dhe kjo është afatshkurtër, dhe afatjgatë kjo e dëmton sepse krijohen kanale paraje në të zezë që do sjellin dëmtime afatgjatë për shoqërinë shqiptare”, – u shpreh për ACQJ Ramaj.

Pavarësisht situatës së faktuar nga ekspertët, agjencitë kombëtare të zbatimit të ligjit, institucionet ndërkombëtare apo edhe raportet e organizatave që monitorojnë pastrimin e parave, ka më shumë se dy vjet që qeveria insiston në zbatimin e një nisme të re, e cila parashikon formalizimin e parave të emigrantëve nga jashtë shtetit, përmes zbatimit të një amnistie fiskale dhe penale. Kjo nisëm është kundërshtuar jo vetëm nga ekspertët ekonomikë, por dhe nga institucionet ndërkombëtare financiare, si tepër e rrezikshme, dhe që i hap rrugë parasë së krimit për induksion në tregun formal.

ACQJ

About Redaksia

Check Also

AJCCI takim me ambasadoren japoneze/ Ponari: Intensifikim i marrëdhënieve në biznes mes Shqipërisë dhe Japonisë

Anëtarët e Dhomës së Tregrisë dhe Industrisë Shqipëri-Japoni (AJCCI) u takuan ditën e djeshme me …

Leave a Reply