Një ditë pas prangosjes së Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Financave Arlind Gjokutaj, së bashku me drejtorin e personelit në këtë institucion, Fatmir Hoxhaj dhe përmbaruesit Alban Rulit, vijon zbardhja e dosjes hetimore për zyrtarët që akuzohen për “Shpërdorim detyre” , ndërsa dëmi i shkaktuar buxhetit të shtetit është rreth 1.2 mln euro.
Në dosjen hetimore, sqarohet mënyra se si qytetari nën hetim Ilir Thana, ka përfituar para të paligjshme nga Ministria e Financave.
“Ilir Thana ka bërë tërheqje të shumta nga llogaria e motrës së tij, i pajisur me prokurë të posaçme duke bërë tërheqje thuajse çdo ditë të shumave që variojnë deri në 1 milion lekë të reja. Tërheqjet nga ky shtetas rezulton se janë kryer për periudhën 11.10.2022 deri në 14.12.2022. Ka dyshime se veprimet e përmbaruesit të Ministrisë së Financave dhe personave të tjerë, kanë shpërdoruar detyrën duke vjedhur nga buxheti i shtetit deri në këtë fazë shumën 48.118.366 lekë dhe tentuar për të vjedhur pjesën e mbetur.”, thuhet në dosje.