Kryetari i PD, Sali Berisha deklaron se opozita shkon para qytetarëve në 14 maj me kandidatët më të mirë.Gjatë ceremonisë së 32-vjetorit të themelimit të degës së PD Elbasan, Berisha tha se demokratët i besuan votës së lirë.
Gjithashtu, lideri i opozitës shtoi se PD vjen në këtë moment më e përgatitur se kurrë për të rrëzuar regjimin e Edi Ramës.
“Kjo histori është një trashëgimni frymëzuese për të ardhmen. Asgjë nuk na mban ne të shkuarën tonë, asgjë nuk na mposht ne në idealet tona. U bë gjithçka që të dështonte revolucioni ynë në vitet ’90, por ai triumfoi në mënyrë paqësore ashtu siç e përcaktuam ne.
Ne ishim për ndryshime epokale paqësore dhe i realizuam. U bëmë pothuajse copë e pikë në ’97, u ngritëm si Feniksi nga hiri, përsëri me idealet tona. Ata që erdhën në pushtet i përzumë me votën e lirë.
Ne jemi njerëzit që i besojmë votës së lirë dhe armë kryesore kemi vetëm votën e lirë.
PD-ja kaloi një periudhë të pashembullt, por e vërteta është se ajo përfundoi para alternativës ‘të jesh apo të mos jesh’. Kjo sepse njeriu që drejton ekzekutivin shqiptar është një njeri, politikan që nuk ka asnjë vlerë, asnjë parim, asnjë ideal, asnjë besim. Njeri i cili u vërsul mbi opozitën dhe shfrytëzoi dobësitë e drejtimit të saj. Mori peng kreun e saj. Shkatërroi votën e shqiptarëve, u rrëmbeu votën, e zhvlerësoi, e përzuri votën nga partia e tij. bëri që edhe në partinë tonë, 1958 të quhej 5200. Ky ishte realiteti. Por ne prap u ngritëm me idealet tona, në kushte të vështira, në një mision që shumë e shikonin si të pamundur. Por jo, ne patëm si leva të Arkimedit përsëri, lirinë dhe idealet tona të lirisë.
Ne vijmë sot në këtë moment para shqiptarëve, për të përmbysur monizmin e Edi Ramës më të përgatitur se kurrë. Ne paraqesim para shqiptarëve kandidaturat e lirisë, jo të shpellave, jo të zarfave dhe klaneve mafioze. Avantazh i jashtëzakonshëm. Ne kemi një aleancë të shkëlqyer me Partinë e Lirisë dhe të gjitha forcat opozitare të cilat besojnë se ky regjim duhet përmbysur një minutë e më parë”, u shpreh Berisha.