Kryetari i Grupit parlamentar të PD, Luçiano Boçi deklaroi sot se është e qartë se përjashtimi i tetë deputetëve të PD-së nga Kuvendi për dhjetë ditë është bërë me urdhër të Edi Ramës e madje me llogari, sepse periudha e përjashtimit përfshin dy seanca, pra opozitës do t’i mungojnë tetë zëra në parlament.
Para medieve, Boçi zbuloi skemën e kryeministrit të përdorur edhe në këtë rast ndaj deputetëve të opozitës: “Kemi kërkuar që të respektohet etika dhe rregullorja nga Sekretariati i Etikës dhe i Rregullores, që është bërë antietik, sepse në rregulloren e Kuvendit është e shkruar e zeza mbi të bardhë që në momentin e dorëzimit të kërkesës, kërkesa shqyrtohet për përjashtimin e deputetëve brenda 48 orëve. E ka neni 65/2 dhe kjo pikë e rregullores nuk është respektuar nga ky gjoja Sekretariati i Etikës dhe i Rregullores dhe sipas kësaj rregulloreje, çdo gjë është jashtë procedurës dhe afateve dhe mbledhja nuk duhej të ishte zhvilluar fare e përjashtimi i deputetëve as duhet të mendohej, jo më për t’u futur në argumente që janë qesharakë.
Zoti Boçi: Kush e vendos të bëhet ky komision?
Luçiano Boçi: E ka vendosur Edi Rama. Me urdhër të Edi Ramës! “Kush e ka vendosur” është zgjidhur tashmë ky rebus. Të gjitha bëhen me urdhra politikë, nëpërmjet telefonit, “bëjeni sot” sepse afati dhjetë ditor përfshin përjashtimin e deputetëve brenda dy seancave, seancës së ditës së hënë dhe ditës së enjte. Sepse po të ishte bërë brenda 48 orëve, që i bie nga e enjtja – ditën e hënë, dhjetë ditët ishin pa seancë dhe të gjithë deputetët do të ishin në dy seanca. Është matematikë e Edi Ramës, nga zyrat e tij, që opozitës t’i mungojnë tetë zëra në parlament dhe që opozitës t’i fiket zëri. Të eliminohet ajo brenda parlamentit sepse parlamenti normal është ai parlamenti i vdekur që drejtohet në mënyrë politike, që merr vendime kundër interesit politik në favor të klientelës së Edi Ramës, të vetë Ramës, ministrave të tij.