Regjisori i njohur Edmond Budina apelon për përshkallëzimin e protestave në vend për rrëzimin e qeverisë “Rama”. Sipas tij, që të largohet qeverisja, nuk duhen bërë protesta paqësore dhe të qeta, por qytetarët duhet t’i përgjigjen qeverisë “dhëmbë për dhëmbë”.
Në një intervistë për “Panorama TV”, Budina deklaroi se në protestat e dhunshme mund të ketë edhe të lënduar, por kjo është e vetmja mënyrë për të larguar qeverinë. Duke komentuar çështjen “McGonigal”, regjisori shprehet i bindur se Rama është i zhytur “kokë e këmbë” në korrupsion me ish-agjentin e FBI-së.
“Protesta paqësore e kemi provuar ne. Për 4 vite ne protestuam përpara Teatrit Kombëtar dhe sërish erdhën natën dhe e prishën. Këta janë ca kriminelë që përpara interesave të tyre nuk pyesin për asgjë. Protesta duhet të vazhdojë deri në rrëzimin e kësaj qeverisje. Me qetësi, dashuri dhe logjikë kjo qeverisje nuk ikën. Po të kishin një pikë ndërgjegje këta duhet të kishin kërkuar dhe një ndjesë. Por këta nuk e bëjnë.
Pa diskutim që duhet të përshkallëzohet. Nuk është e thjeshtë se njerëzit lënë kockat atje. Kur arrin sharra në kockë, njerëzit duhet të reagojnë dhe ta përshkallëzojnë padyshim. Çdo qytetar ka të drejtë për të hyrë atje në Parlament.
Unë kam qenë kundër vrasjeve të 21 janarit. Punë e madhe nëse do e shkatërronin kryeministrinë? Nëse jetët e njerëzve shkatërrohen, çfarë vlere ka një institucion? T’i përgjigjen dhëmbë për dhëmbë dhunës së qeverisë”, u shpreh z.Budina.
Ai e quan Edi Ramën frikacak që kërkon të shmangë ballafaqimin për aferën “McGonigal”. Budina tha gjithashtu se ai nuk rrëzohet pa një përplasje të fortë dhe protesta të përshkallëzuara.
“Skandalet në qeverinë Rama nuk kanë munguar. Rama është një frikacak dhe nuk do të përballet me njerëzit. Ato në Parlament janë ministruçka. Më erdhi turp dje për ato që thoshin dje në Parlament se ndihemi të fyer nga Sali Berisha, kur Rama përdor një fjalor prej rrugaçi.
Ato janë kukulla të Edi Ramës dhe ai fshihet pas fustanit të grave. SPAK duhet të kishte zbardhur minimum vetëm aferën e Teatrit Kombëtar, por është e dukshme që e gjithë kjo reforma në drejtësi, ka çuar ujë në mullirin e Edi Ramës”, u shpreh Budina.
Lidhur për përfshirjen e Edi Ramës në skandalin “Mcganigal”, regjisori beson se Kryeministri është i zhytur thellë në aferë me ish-agjentin e FBI-së.
“Nga ato që kam lexuar, është i zhytur në batak. Unë jam i bindur që janë të zhytur thellësisht në këtë skandal. Këto janë rrjedhojë e një politike të caktuar që kanë bërë për vite të tëra. Sidomos tani që kanë një pushtet të madh ekonomik. Ata janë zhytur deri në majë dhe nuk dalin dot prej andej. Shihni çfarë ndodhë në Parlamentin Europian. Doli ajo eurodeputetes i gjetën një valixhe me lekë. Ata mbrojnë interesat e tyre.
Në gjithë Europën ka një tendencë të korrupsionit të politikës. Është për të ardhur keq. Qytetarët duhet të reagojnë kundrejt kësaj. Më tepër se çdo kush në Europë, shqiptarët e kanë provuar këtë korrupsion. Ambasadorja amerikane nuk ka pse të ndërhyjë në politikën shqiptare. Në Shqipëri, mund të jenë të rralla kur pasanikët të jenë bërë me para të pastra. Biznesmenët ta them unë që kanë paguar që të mos jenë në listën e zezë “nongrata”. S’më çudit fare. Politika amerikane ka shërbyer edhe në grushtet e shtetit në Amerikën e Jugut. Edhe në Amerikë ekziston korrupsioni në Amerikë. Ja rasti i fundit i këtij të FBI-së është i dukshëm”, theksoi Edmond Budina.
Ai foli edhe për aksionin opozitar në prag të zgjedhjeve lokale të 14 majit. Budina deklaroi se protestat nuk duhet të ndalen, ndërsa shtoi se në një vend normal kryeministri do kishte dhënë dorëheqjen pas skandalit McGonigal. “Protestat duhet të jenë një akt demokracie. Protesta duhet të vazhdojë nuk duhet të ndalet. Duhet të dimë se çfarë qëllimi ka pasur PD.
Njerëzit u mblodhën dhe shprehën opinionet e tyre. Ka një problem. Unë që jam personalisht që protestat duhet të jenë më të forta, por nga ana tjetër është edhe fakti se deri ku mund të shkojë. Është një problem i madh si duhet të zhvillohen ngjarjen. Ne nuk kemi një kulturë demokratike. Në një vend normal po të kishte plasur ky skandal kryeministri duhet të kishte dhënë dorëheqjen”, deklaroi Budina.
Sipas tij kushdo që sulmon opozitën në këto momente çon ujë në mullirin e Edi Ramës pasi duan ta mbajnë atë akoma më shumë në pushtet. Opozita nuk duhet të ndalë protestat e saj.
Situata është e tillë që nuk mund të tolerohet më. Nuk është normale të vazhdohet të qeveriset në këtë mënyrë. Ka një pjesë opozitarizmi që më shqetëson shumë. Të gjithë kemi gjëra që nuk na shkojnë por kjo nuk do të thotë se duhet të sulmojmë opozitën. Ata çojnë ujë në mullirin e Edi Ramës dhe duan ta mbajnë sepse janë mirë kështu. Këta janë mafiozë që arrijnë të blejnë zgjedhjet. E keqja më e madhe e Shqipërisë janë këta. Ata që mendojnë se duhet të rrëzohet Edi Rama duhet të bashkohen në një front të përbashkët. Nuk mund të vijë asnjë i ri dhe të thotë dua të bëhem udhëheqës.
Duhet të ketë një alternativë. Mirë apo keq, Sali Berisha mbledh njerëz pas vetes. Kush nga këta mbledh aq njerëz sa mbledh Sali Berisha”, deklaroi Budina.