Pse këta topa? Sepse kështu veprojnë të gjithë. Spiunazhi kinez nuk është më ai i dikurshmi: ja sesi është “amerikanizuar”.
James Lilley, ish ambasadori amerikan në Pekin, i dinte dy tre gjëra për Kinën dhe spiunazhin. Në Kinë ishte rritur (babai i punonte për Standard Oil). Pastaj për 30 vite kishte bërë agjentin e CIA në Hong Kong e në Taivan, në Kamboxhia, në Laos. I ka treguar aventurat e tij të spiunazhit dhe diplomatike në një libër të dendur me kujtime të dalë në 2004, China Hands: Nine Decades of Adventure, Espionage, and Diplomacy in Asia. Old China Hands, në zhargonin e profesionit, janë operativët në terren. Nuk është rastësi që Bushi baba, që ka qenë drejtor i CIA dhe përfaqësuesi i parë i Shteteve të Bashkuara në Kinën ende të Mao, kishte zgjedhur për të detyrën në Pekin. Lilley, një burrë i gjatë dhe i gëzueshëm, e kishte zakon ta shpjegonte kështu diferencën midis metodave të spiunazhit kineze dhe të tjerëve: “Nëse rusët janë të interesuar për pronësinë e rërës të një plazhi të caktuar, do të dërgojnë një nëndetëse natën. Do të zbarkojnë me gomone një skuadër, do ta mbushin me rërë, do ta çojnë në nëndetëse dhe do të largohen. Kinezët jo, do të dërgojnë 500 njerëz për piknik dhe ndoshta do të bëjnë plazh në atë plazh, secili do të marrë me vete ndonjë grusht me rërë kur të largohet”.
Një, njëqind, një miliard topa, sa grimcat e rërës? Por spiunazhi kinezë nuk është më ai i dikurshmi. Ashtu siç zanati nuk është më ai i James Bond të Ian Fleming, i agjentit Ashenden të William Somerset Maugham apo i legjendarëve “klandestinë të mëdhenj” të viteve ’20 apo ‘30. Dikur kinezët përdornin teknika krejtësisht të ndryshme nga ato perëndimore. Bëhej fjalë sidomos për spiunazh të “brendshëm”, për të individualizuar opozitarë apo disidentë aktualë. Tek libri i saj Nëpërmjet pasqyrës. Kina vajtje dhe ardhje (Storia e Letteratura, 2021) Silvia Calamandrei kujton kohën kur në fillore gjuante për “spiunët e Taivanit”. Vitet ’50 në Pekin, në ndjekje të babait Franco, paraardhësi im i menjëhershëm si korrespondent i “Unita” dhe ajo kishte denoncuar një shoqen e saj të klasës. Sepse bijë “latifondistësh”, pasi si e tillë nuk mund të ishin veçse në shërbim të Çiang Kai Shisë. Atëhere Pekini nuk kishe nevojë të paguante spiunë të huaj. Armiqtë qenë patjetër kinezë. Kinezë të Taivanit apo kinezë të Mao për pushtet. Ndoshta në drejtimin e Partisë Komuniste. Me amerikanët e kishin sepse patën “zgjedhur” Çian në vend të Mao. Me rusët sepse “revizionistë”, idhtarë të një drejtimi ndryshe për Partinë Kineze. Inteligjenca e huaj ishte katastrofike: pse nuk patën kuptuar asgjë nga ajo që po ndodhte patën humbur Indonezinë e Sukarno e të Aidit, pastaj Kamboxhian e Khmerëve të Kuq. I patën bërë luftë Vietnamit, më përpara akoma ia patën bërë Bashkimit Sovjetik, në Europë referimi i tyre i gjatë kishte qenë Shqipëria e Enver Hoxhës. Më pas patën filluar të bënin si amerikanët dhe, për pasojë, edhe të spiunonin si ata.
Në një prej kapitujve mbyllës të librit tim të fundit Drekë në Pekin (Feltrinelli 2022) guxoj se nuk ishte aq bizare përshtypja e plakushit Alexandre Kojève, ekspert i madh i Hegel, se “nëse amerikanët bëjnë figurën e kino – sovjetikëve të pasuruar, kjo ndodh sepse rusët dhe kinezët nuk janë veçse amerikanë ende të varfër, edhe pse në rrugën e shpejtë të pasurimit”. Kinezët po bëhen amerikanë edhe në fushën e spiunazhi dhe po e bëjnë duke humbur finesa të caktuara. Në prillin e 2001 një avion spiun amerikan u përplas në fluturim me një gjuajtës kinez. U detyrua të ulej për emergjencë në ishullin tropikal Hainan. Amerikanët kërkuan kthimin e mjetit fluturues. Kinezët ia kthyen, por vetëm pasi ua patën çmontuar, vidë për vidë. Në ishull nuk kishte pista mjaft të gjata sa për ta ngritur, preteksti. Një kryeveprë dinakërie diplomatike. Por pse topat e vjetëruar aerostatikë? Për motive sentimentale, sepse i përdorin topat për të spiunuar lëvizjet e armikut. Shumë por shumë kohë përpara mongolfierave të Napoleonit apo të Zeppelin, ka qenë dinaku Zhuge Liang, në Romanin e Tre Mbretërive të ambientuar në Kinë disa mijëvjeçarë më parë? E pamundur. Për të kursyer? Akoma edhe më e pamundur. Sepse një top, që të kujton lojërat e fëmijëve, është më pak kërcënues, më pak impenjues se instrumentet më të sofistikuara, prej star wars? Pse në një kuotë më të ulët, të ndërmjetme midis atij të një avioni dhe të një sateliti, duke lëvizur me ngadalë në vend se me shpejtësi të madhe, mund të kapen shumë më tepër gjëra, të interceptohen shumë më tepër sinjale?
Kështu bëjnë të gjithë, për ta thënë si Mozart. Një arësye do të jetë që Kina, e cila në fushën e inteligjencës artificiale dhe të teknologjive të tjera shumë të avancuara të zbatuara spiunazhit nuk është e dyta ndaj askujt, i dërgon topa të shfryrë Amerikës dhe, me sa duket, i vepron njëlloj edhe Amerikës, që nuk është e dyta ndaj askujt në fushën e instrumentave të sofistikuara për armiq e miq. Pasi e ka mohuar në mënyrë qesharake se bëhej fjalë për një instrument spiunazhi ushtarak (është një instrument i padëmshëm zbulimesh meterologjike, i përfunduar jashtë rruge, ka qenë reagimi i parë i Pekinit), kinezët kanë thënë edhe se amerikanët topa kanë dërguar edhe për ta survejuar Kinën. Pa llogaritur UFO (Unidentified Flying Object) e rrëzuar në Alaskë e Kanada, që as nuk kuptohet se çfarë janë, as nëse janë kinezë, rusë apo marsianë. Mund të bëhet fjalë për gjithçka. John Kirby, zëdhënësi i Biden, ka siguruar duke u tallur: “Nuk besoj se populli amerikan duhet të shqetësohet për alienët”. “Asnjë frikë, janë vetëm miqtë tanë që kalojnë…”, ka “cicëruar” Elon Musk, miliarderi që prodhon raketat ndërplanetare dhe satelitë më të sofistikuar se ato të NASA dhe kompanitë e të cilit kanë një PBB më të madh se ai i të gjithë Rusisë. Lajm i mirë. Nuk jemi në Luftën e Botëve, por edhe jo kaq e mirë.
Në vitet e mia të para si korrespondent nga Amerika Ronald Reagan kishte përdorur një metaforë për marsianët që ta ftonte Gorbaçiovin me një marrëveshje çarmatimi: “Do të bënim sikur të sulmoheshim nga marsianët”. Prej këtyre kohërave ka më shumë të ngjarë që të akuzoheshin rusët apo kinezët se janë maskuar si marsianë. Këto UFO të fundit përshkruhen si objekte “që lëvizin me ngadalë në kuotë të lartë me seksion të vogël ekspozimi ndaj radarëve”. Nuk emetojnë sinjale. Nuk emetojnë nxehtësi. Janë minidronë, të padukshëm si bombarduesit STEALTH? Drejtues të vegjël në miniaturë? Apo vetëm spacaturë hapësinore? “Në çdo moment janë mijëra topa që çlirohen në kuotë të lartë përreth Tokës dhe midis të shumtëve të lëshuar nga agjencitë qeveritare amerikane, nga Pentagoni, nga kërkues të pavarur apo nga amatorë privatë”, thotë Paul Fetkowitz. Të kuptohemi: drejton një kompani prodhuesve të topave në lartësi të mëdha, me seli në Florida.
Vetëm National Weather Service, agjencia meterologjike amerikane, lëshon 60000 në vit dhe Alaska ka më shumë vende lëshimi se çdo shtet tjetër amerikan. Pa numëruar sasinë e frikshme të spacaturës hapësinore, mbeturina që vërtiten rreth planetit tonë. Atëhere, si është që prej kltyre objekteve të paidentifikuara kuptohet vetëm tani? Nga NORAD (Komanda e Mbrojtjes Aerohapësinore e Amerikës së Veriut) shpjegojnë se pas zbulimit të inkursioneve të topave spiunë kinezë, i kanë përmirësuar kapacitetet e tyre radarë: “Tani jemi në gjendje të shikojmë edhe objekte me lartësi që më parë injoroheshin dhe objekte jo në lëvizje, krejtësisht stacionare”. Ose ndoshta më parë mendonim se bëhej fjalë vërtet për pamje jashtëtokësorësh. UFO kanë qenë gjithmonë një top amerikan dhe jo vetëm në vitet ‘50. Midis marsit 2021 dhe gushtit 2022, do të sinjalizoheshin 247 pamje të reja UFO, dyfishi i atyre të sinjalizuara në 17 vitet e mpëarshme. Sidomos nga ana e pilotëve dhe e personelit të Marinës dhe Aeronautikës, pra jo nga njerëz kot. 163 prej këtyre qenë topa apo “objekte të ngjashme me topa”.
Kina nuk është më pak se Amerika në biznes. Nëse Jack Ma kishte kërkuar të imitojë Amazon dhe eBay me Alibaba e tij, një shkencëtar i Universitetit Beihang të Pekinit, në pararojë të kërkimit aeronautik dhe hapësinor, po kërkon të imitojë Elon Musk. Profesor Wu Zhe është Wernher von Braun i topave. Ka punuar për Departamentin e Përgjithshëm të Armatimeve të Ushtrisë Popullore Çlirimtare, kompleksi më gjigantesk industrialo – ushtarakoteknologjik – kulturor në botë. Kurrikulumi i profesorit 66 vjeçar thotë se ka kontribuar të projektojë gjuajtës bombardues dhe mjete të tjera, e tregon si ekspert në materiale të padukshme nga radarët, por pasioni i tij i vërtetë janë topat. Ndoshta ka qenë ai që mendonte Liu Cixin, shkrimtari më i lartë i fantashkencës bashkokohore, kur në njërin prej librave të tij imagjinon se Toka, orbita e të cilave po i afrohet rrezikshëm Diellit, si edhe e devijuar nga vela dhe topa kozmikë të mëdhenj. Qysh në 2019 profesor Wu kishte njoftuar një flotë topash të drejtuar në gjendje të uhdëtojnë botën në lartësi stratosferike, duke ju premtuar turistëve kinezë vizione të ardhshme dhe panoramika të paimagjinueshme në kontinente të ndryshme, përfshi Amerikën e Veriut dhe e Jugut. Programi quhej “Gjuetarët e Reve”. Në një video publicitare shikohet profesor Wu që tregon rrugëtimin e drejtuesit, nëpërmjet Azisë, Afrikës Veriore dhe Atlantikut, duke treguar një vijë të kuqe në ekranin e kompjuterit. “Ja, tani futesh në Amerikë”, dëgjohet ta përfundojë mesazhin.
Përveç shkencëtar, profesor Wu është një sipërmarrës brilant. Falë financimit të një grupi imobiliaristësh, ka nisur Beijing – Nanjiang Aerospace Technology dhe ka bashkëthemeluar Eagles Men Aviation Science and Technology Group një kompani me seli qendrore në Pekin, e specializuar për topa në kuotë të lartë, “të afta për komunikime me rezolucion të larë dhe shërbime rikonjicioni e navigimi, dhe gjëra të tjera akoma” (kështu premtonte uebsajti, tani i errësuar). U bëhej reklamë si të krahasueshme me sistemin Starlink të Elon Musk. Uebsajti mburrej se për herë të parë lëshohej një top i teleguiduar në gjendje të këqyrte të gjithë globin dhe të arrihej më pas të rikuperohej. Të vjen në mendje një prej rrëfimeve të para të fantashkencës moderne, The Balloon-Hoax e Edgar Allan Poe, i botuar në “New York Sun” e 13 prillit 1844. Buja konsistonte në botimin si lajm të një kalimi transatlantik si shpikje e pastër. Kompanitë e Wu janë midis atyre të sanksionuara nga Uashingtoni pas rasteve të topave spiunë.
Le të bëjmë një hap prapa në vite. Një mjet me formë shumë konike spiunon nga shumë kilometra sipër sipërfaqes tokësore. Është i padukshëm për syrin e lirë. Një raketë e rrëzon. Pason një shkëmbim akuzash dhe historishë jo të besueshme, njëra me shqetësuese se tjera, midis kryeqyteteve të dy superfuqive më të mëdha të planetit, të cilat, gjithnjë e më të zëna, akuzojnë njëra tjetrën. Janë në pragun e një krize të rëndë diplomatike, në mos në pragun e luftës, megjithëse ende vetëm të ftohtë, jo vetëm e bëjnë të gjithë. Dihet që është déjà vu. Kush e ka moshën time e ka bërë në kohë t’i lexojë tashmë nëpër gazeta. Në 1960. U2, një mjet spiun me konike thuajse fantastikoshkencore, ishte nisur nga një bazë në Norvegji dhe ishte rrëzuar teksa survejonte Siberinë. Fotografonte nga limitet e stratosferës. Bashkimi Sovjetik i Hrushovit përgatitet të festonte 1 majin me paradën tradicionale në Sheshin e Kuq. Kishte shpresë shtensionimi midis dy vendeve armike dhe të armatosur deri në dhëmbë me raketa bërthamore. Pas pak ditësh ishte në program një takim në Paris midis Hrushovit dhe Eisenhower. Fillimisht amerikanët e patën mohuar se një avion i tyre ishte rrëzuar apo edhe se kishte humbur.
Më pas u mësua se piloti i U2, 30 vjeçari Gary Powers, ishte parashutuar dhe, në vend që të gllabëronte pilulën me cianur me të cilën ishte pajisur, ishte shëndoshë si kokrra e mollës, bile po fillonte të tregonte pak si shumë. Presidenti amerikan Eisenhower u detyrua të pranojë se avioni ishte përdorur në një mision spiunazhi. Fluturimet e avionëve U2 u pezulluan, por refuzoi të kërkojë falje. Hrushovi anulloi samitin e Parisit, shtensionimi – kishte që shpresonin në një “muaj mjalti” midis Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Sovjetik – kishte përfunduar përpara se të fillonin. Saktësisht si rrëzimi i një topi ka përfunduar tentativa e njoftuar e dialogut midis Pekinit dhe Uashingtonit dhe është anulluar vizita në Kinë e sekretarit amerikan të Shtetit Anthony Blinken. Piloti Powers u shkëmbye më pas në Berlin me spiunin sovjetik Rudolf Abel. Filmi i fundit mbi ngjarjen, Ura e spiunëve, me Tom Hanks, insinuon – ka mundësi pa u larguar shumë nga e vërteta – se më shumë se vetë piloti amerikanëve u interesonte të dinin se çfarë Powers praktikisht u kish rrëfyer hetuesve.
Kështu bënin të gjithë, kështu bëjnë të gjithë. Përpara U2, në momentet fillestare të Luftës së Ftohtë, amerikanët përdornin topat. Ishte mënyra e vetme për të shkuar e rrmëuar se çfarë po ndodhte prapa Perdes së Hekurt, në territorin e pafundën të Bashkimit Sovjetik. Quhej Projekti Moby Dick. U pezullua në 1956, vitin kur tanket e Ushtrisë së Kuqe shtypën Hungarinë, kur zbulimi sovjetik i aparaturave fotografike në njërin prej topave që ishte shfryrë duke bërë shkëndija në raportet midis dy vendeve, tashmë të ndezura nga një sekuencë krizash të tjera. Kievi sapo ka njoftuar se ka rrëzuar dyzina me topa ruse që shqetësonin kundërajrorët ukrainas duke i bërë të shpenzonin raketa antiraketë.
(nga Il Foglio)
Përgatiti
ARMIN TIRANA