E çka fiton Serbia nëse Rusia e humbet luftën në Ukrainë?!

Nga Enver BYTYÇI

Rusia është një dështim në aventurën e saj kundër Ukrainës. Kjo tashmë shihet qartë. Një vit nga nisja e agresionit të Kremlinit kundër Kievit, Rusia gjendet gati në kufijtë e para 24 shkurtit 2022. Vetëm në Lindje dhe Juglindje të Ukrainës zhvillohet një betejë e ashpër për territorin. Pikërisht aty ku konflikti ishte i pranishëm edhe para asaj date. Ndërsa vizita e papritur e presidentit amerikan, Joe Biden në Kiev, dëshmon se fundi i tmerrshëm për Rusinë nuk është larg. Në fakt në Konferencën e Sigurisë të Mynihut Emmanuel Macron paralajmëroi një fund të tillë të politikave të Vladimir Putin, kur tha se ai nuk donte që Rusia të turpërohej. Madje shkoi më tej, duke thënë se Krimeja i duhet lënë Rusisë.

Këto zhvillime erdhën për shkak të asaj që Biden tha sot në Kiev, se Putin gaboi kur besoi që Ukraina “është e dobët” dhe se Perëndimi “ishte i përçarë”! Në Evropë vetëm Serbia nuk vendosi sanksione ndaj aleatit të saj, Rusisë. Mesa duket Beogradi po priste që të shihte se mos ndoshta Moska do të ishte e suksesshme në invazionin e saj ushtarak në Ukrainë e në Lindje të Evropës. Nëse do të ndodhte kjo, atëherë Vuçiç dhe të tijtë do të thërrisnin me të madhe “Lavdi Rusisë”!, “Rroftë Vladimir Putin“! Por duket se nuk do ndodhë kjo. Ndaj në Beograd po rivlerësojnë qëndrimin ndaj Kremlinit dhe presidentit rus, sepse po shohin që dështimi i Rusisë në Ukrainë tashmë është i qartë. Diskutimi zhvillohet rreth mundësisë së vendosjes së sanksioneve edhe nga Serbia. Ky qëndrim i udhëheqjes serbe synon disa objektiva:

Objektivi i parë dhe i ditës është që të favorizohet në raport me Kosovën. Një Serbi anti-ruse krijon avantazh në dialogun me Kosovën. Në kushtet kur presidenti i Serbisë vendos sanksione kundër Moskës, duhet pritur që presioni i SHBA-ve dhe aktorëve evropianë mbi Kosovën të rritet më shumë. Vetëm Britania e Madhe mund të jetë më e ekuilibruar. Ndoshta edhe Berlini. Por aktorët e tjerë do ta festojnë “kthimin serb drejt Perëndimit” si fitore të jashtëzakonshme. Kjo dhe për faktin se politika e diplomacia serbe po e shet ngritjen e sanksioneve kundër aleatit të saj shumë shtrenjtë.

Objektivi i dytë është që Serbia nga ky akt të përfitojë ndihma të mëdha ekonomike e financiare e të shndërrohet në superfuqi rajonale, një ëndërr kjo disa shekullore e saj. Dhe SHBA-të, të cilat, sipas Bill Clinton, e bombarduan Serbinë pikërisht që ajo të mos ishte më në gjendje të imponohej në rajon, do ta mbështesin kësaj radhe ambicien e Aleksandër Vuçiç. Një Rusi e dërrmuar nga lufta nuk mund të gjendet ekonomikisht e financiarisht pranë Serbisë. Ndaj dhe serbët pragmatikë duan të ndërrojnë kurs në aleancën e tyre strategjike. Por kjo do të jetë e përkohshme, disa dekadash!

Megjithatë ndërrimi i kursit nga ana e Beogradit në raport me Moskën me siguri që do të ketë një kosto. Kostoja lidhet kryesisht me të drejtën e vendimmarrjes ruse në Këshillin e Sigurimit. Nëse Serbia do të përpiqet të armiqësohet me Kremlinin, atëherë Rusia mund të hakmerret me heqjen e vetos së saj për mbrojtjen e interesave serbe në Ballkan. Pikërisht këtë mundësi duhet ta shfrytëzojë Kosova dhe lidershipi i saj. E di se shumë shqiptarë do t’i gëzohen rehabilitimit të Serbisë dhe rritjes së rolit të saj politik e diplomatik në rajon. Madje do të festojnë me eufori për këtë sukses të tyre. Në kushte normale duhet të festojmë të gjithë. Por jo me koston e shuarjes së shtetit të Kosovës!

Lidershipi shqiptar i përgjegjshëm dhe i pakompromentuar me politikat serbe duhet të ruajë balancën, të mos “harrojë gjenocidin serb në Kosovë” dhe me këtë armë të luftojë fort për të drejtën e saj. Nuk mundet që viktimat dhe masakrat serbe kundër shqiptarëve t’i injorojë as Perëndimi e as miqtë e Serbisë në perëndim. E shumta ata do të kërkojnë që “ta harrojmë të kaluarën”! Por kjo lloj oferte është dëgjuar prej 20 vitesh. E qëllimi ishte shumë i qartë: Rehabilitimi I Serbisë. Kosova dhe shteti shqiptar kanë mundësi që ta detyrojnë Serbinë të mbajnë përgjegjësi për krimet kundër njerëzimit në Kosovë dhe të fitojnë të drejtën që u takon, pa bërë kompromise me Serbinë.

Asociacioni i Komunave me shumicë Serbe në Kosovë është një lloj parapërgatitjeje për ta shpërblyer Serbinë në oreksin e saj për territore në Kosovë. Gjithnjë si premtim në këmbim të qëndrimit të saj anti-rus. Sepse për ta shpërblyer Serbinë duhen krijuar disa mekanizma. Asociacioni është mekanizmi më i përkryer, që nuk pengon askënd ta de-funksionalizojë shtetin e Kosovës e më pas ta shpërbëjë atë sipas projekteve serbe.

Mbajeni mend: Ky është kushti i Beogradit për ta ndërruar kursin e tij nga Lindja në Perëndim. Unë nuk e di nëse dikush i ka premtuar ose jo Serbisë për ta realizuar këtë projekt. Por fakti që Britania e Madhe është kundër asosacionit! Fakti që në politikën amerikane, numri një i diplomacisë dhe politikës së jashtme, Menendes, është kundër këtij Asociacioni! Zëra të tjerë gjithashtu në SHBA dhe në Evropë që janë kundër projektit serb të autonomisë për serbët në Kosovë, më bëjnë të kuptoj se këto personalitete njohin dhe kanë info për zhvillimet e mëvonshme, ta zëmë pas pesë vitesh!

Për mendimin tim, integriteti territorial i Kosovës dhe funksionaliteti I shtetit duhen ruajtur me çdo kusht e me çdo mjet, me aleanca fluide dhe diplomaci të shkathët, pa stereotipa dhe tabu politike e diplomatike. Kush i mbron këto dy atribute të Kosovës, ai është e duhet të konsiderohet mik i saj! Pavarësisht se çfarë emri ka! Kush nuk i mbron, edhe nëse e ka emrin Edi Rama apo Hashim Thaçi, ai duhet të injorohet!

About Redaksia

Check Also

Paradoksi i mbajtjes mbyllur të Urës së Ibrit në çerekun e shekullit XXI!

Nga Enver BYTYÇI Që kur është krijuar bota njerëzore i ka shpikur dhe përdorur urat për …

Leave a Reply