Skandali McGonigal/ BIRN: Kuvendi përjashtoi brenda një muaji 23 deputetë të opozitës

Deputetët e opozitës në disa seanca radhazi kanë kërkuar ballafaqimin e kryeministrit Edi Rama me pyetjet e tyre për lidhjet me ish-agjentin e FBI-së, Charles McGonigal, por janë penalizuar me masa disiplinore

BIRN

Me iniciativën e socialistëve, Sekretariati për Procedurat, Votimet dhe Etikën vendosi të martën të përjashtojë nga punimet e Kuvendit për 8 deputetë të Partisë Demokratike.  Gjatë seancës plenare të së enjtes, deputetët opozitarë përdoren bilbila dhe bllokuan foltoren e Kuvendit në përpjekje për ta kthyer në çështje të ditës debatin për lidhjet e Ramës me ish-shefin e FBI-së.

“Sekretariati konstatoi se deputetët z. Edmond Spaho, znj. Sorina Koti, znj. Elda Hoti, z. Oerd Bylykbashi, znj. Lindita Metaliaj dhe znj. Gerta Bardeli, penguan zhvillimin normal të seancës plenare, duke krijuar kaos që nga çelja e seancës e deri në përfundim të saj,”thuhet në vendimin e përjashtimit.

Masa parashikon përjashtim për 10 ditë nga komisionet dhe seancat plenare të Edmond Spahos, Oerd Bylykbashit, Sorina Kotit dhe Elda Hotit, me 5 ditë për Lindita Metaliajn dhe 3 ditë përjashtim për deputeten Gerta Bardeli.

Penalizimet e fundit e çojnë në 23 numrin e deputetëve të opozitës që kanë marrë masa disiplinore në harkun kohor të një muaji. Masat e ndërmarra ishin të dyfishta për disa deputetë si Sali Berisha, Edi Paloka, Flamur Noka, Edmond Spaho dhe Belind Këlliçi.

Deputetët e opozitës në disa seanca plenare radhazi kanë tentuar të bllokojnë zhvillimin e tyre, duke kërkuar paraqitjen e kryeministrit Edi Rama në sallë për t’iu përgjigjur pyetjeve për përfshirjen e tij në çështjen McGonigal, – ku një ish-shef i FBI-së akuzohet për takime të padeklaruara me kryeministrin shqiptar.

Për të kundërshtuar vendimin në mbledhjen e së martës ishte i pranishëm deputeti Spaho, i cili u shpreh se përjashtimet ishin urdhëruar nga kryeministri Edi Rama.

“Ku po shkoni kështu? Keni përjashtuar 1/6 e Kuvendit?,” dëgjohet të thotë Spaho në një video të postuar më pas në faqen e tij në Facebook.

Ai mbrojti sjelljen e tij në seancë si rrjedhojë e refuzimit të mazhorancës për të ngritur komision hetimor për lidhjet e Ramës me McGonigal.

“Sjellja ime është rrjedhojë e grushtit të shtetit që ka bërë kryeministri në parlament. Ka pezulluar të drejtat e mia kushtetuese dhe këto janë më të rëndësishme se figura etike,” shtoi ai.

Pas publikimit të akt-akuzës për ish-shefin e FBI-së, kryeministri Rama shmangu një seancë pyetjesh të paracaktuar në Kuvend në fillim të shkurtit dhe u shpreh në një intervistë televizive se do të shkonte në Kuvend “kur ta shihte ai të arsyeshme”.

Socialistët po ashtu kundërshtuan hetimin parlamentar për këtë çështje, me argumentin se nuk mund të ngrihej komision hetimor ndërkohë që ligji për komisionet hetimore po i nënshtrohet një procesi ndryshimesh.

Në seancën e fundit, mazhoranca pranoi të fusë në rend dite mocionin për debat me Ramën duke caktuar datën 2 mars, ku sipas zëdhënësit të tij, kryeministri do të jetë i pranishëm.

About Redaksia

Check Also

Këlliçi: Bashkia vijon të drejtohet nga një hajdut i pashembullt, Erion Veliaj!

Anëtari i kryesisë së PD, Bëlind Këlliçi gjatë fjalës në protestën që u zhvillua përpara …

Leave a Reply