Dede Ahmeti, historia e rrallë e një shenjtori!

Nga Agron SEJAMINI

Të shkruash për një shenjt është gjëja më e lehtë në botë. Mbarësia dhe lehtësia nuk do të lodhë për të gjetur fjalinë e bukur… Mjafton të përshkruash thjesht e me vërtetësi, atë udhë hyjnore. Po, po! Hyjnore! Madje, që në bark të nënës…
Ishte shtatzënë, Miroja, gruaja e Myftar Ahmatajt nga Brataj i Vlorës. Cikma e dimrit kishte kohë që kishte filluar dhe nga oxhaku i asaj shtëpie, ende nuk kishte filluar të dilte tym. Kishin mbetur pa një cop dru, pasi i zoti i shtëpisë, punonte larg. Ndaj një ditë, pa u zbardhur ende, Miroja vendos të ngjitej vetë në mal për të bërë dru. Bashkë me të edhe Baloja, qeni laraman i shtëpisë. Pas gjysëm ore, lëshon përdhe litarët bashkë me sëpatën dhe merr pak frymë. Më pas, çohet dhe i drejtohet një peme disi e vetmuar. Mirëpo sa iu afrua për ta prerë, i pritet fuqia për të ngritur sëpatën. Nuk po arrinte të kuptonte se ç’po i ndodhte. Ulet e pafuqishme dhe e mjegulluar. Befas, mendja i shkoi te historia që kishte dëgjuar për një pemë të paprekshme. Në këtë pyll vinte e bënte dru i gjithë fshati, por një nga drurët ishte i veçantë, i kishte shpëtuar sëpatës dhe kishte vite që rrinte krenar mes drurëve të tjerë. Pema i largonte fshatarët nga vetja dhe kurora e saj nxirrte ca lebeti. Vetëm legjenda tregoheshin për të, pasi u mësua se askush nuk mundi ta presë… Deri në këtë ditë, pasi askushit tani iu gjet emri. Quhej Miro! Këtë ditë, ky dru nuk i shpëtoi dot sëpatës së kësaj shtatzëne. Në këtë dimër të acartë, pas shumë të rënave, ai dru magjik u shemb. Tek përkulej pak nga pak, nuk rreshtën për asnjë çast hungërimat drithëruese të qenit. Për një çast, Miroja shtangu. Trupi i saj po ndjente drithërima. Një lëmsh iu mblodh në grykë dhe vendi iu errësua. Trupi iu bulëzua në djersë. Që të mos ftohej, nxitoi, bëri gati litarët, ngarkoi drutë dhe u nis për në shtëpi. Ecte dhe më shumë se ajo peshë në shpinë po e lodhte një zë i brendshëm: “Po, ç’bëre moj korbë, ç’bëre!”. Përplaste edhe më fort hapat, për të shurdhuar atë zë, por ai përsëri e shqetësonte. Ajo lodhje e mundimshme, e vuri shpejt në gjumë. Po aq shpejt, iu shfaq edhe ëndërra… Përsëri ai zë, por tani, më shumë fjalë trishtuese: “Ti preve atë dru e do të ikësh nga kjo botë. Do të ikësh, pasi nga barku yt do të lindësh evlianë. Ti në bark po rrit një shenjt! Kur djali të ketë mbushur tre vjeç, ti nuk do jetosh më!”. Vijuan ditët, javët e muajt me halle dhe andralla aq sa Miroja, atë ëndërr edhe mund ta kishte harruar. Por… kur djali mbushi tre vjeç, e djegur dhe e zhuritur nga dashuria për dy djemtë dhe burrin, ajo iku nga kjo jetë!
Jeta vazhdoi. Gruaja e dytë e Myftar Ahmatajt, jo vetëm që nuk u bë nënë për ata jetimë, por u tregua më e keqja njerkë e kësaj bote. E pabesueshme ligësia e saj. Një ditë, kur lumi i Shushicës ishte i tërbuar nga shirat që kishin rënë gjithë natën, hedh në të shportën prej xunkthi, brenda së cilës ndodhej një fëmijë. Njerka i kthen kurrizin lumit dhe largohet rrëmbimthi. Fëmija tjetër, Kadriu, i kthen kurrizin shpirtkeqes dhe gjithë ankth, shoqëron me sy vëllanë që rrjedha e lumit e përpiu me vete, por nuk po e mbyste. Qante dhe thërriste në ndihmë shpirtin e nënës, për të shpëtuar të vëllanë. E ndërsa, lëvizte pa i shkëputur shikimin, për një çast sytë i mjegullohen nga lotët çurk dhe i rrëshqet këmba… Kur mendoi se u mbyt edhe ai, dora i preku shportën e dëshiruar… Uji i rrëmbyer e flaku vogëlushin me gjithë shportë, te disa degë rrapi. U kap fort, ndali, u tërhoq zvarrë dhe për çudi bashkë me shportën, doli në breg… Nuk ndjente të ftohtë, por zjarr! Pushtoi shportën me puthje dhe lot gëzimi… Ai e shpëtoi vëllanë apo vëllai i vogël shpëtoi atë?! Të dy bashkë, i madhi Zot!
Të drobitur dhe të bërë qull, rendën të kapur dorë për dore drejt shtëpisë. Priste një fëmijë, ajo ligësi, por hapet porta dhe hynë… dy!
I shpëtoi lumit, por pas disa muajsh do i shpëtonte edhe pusit. Nuk dihet saktësisht kush e shtyu, për ta mbytur përsëri me ujë, por klithma e bashkëmoshatarëve të tij, kur panë atë skenë rrënqethëse, tronditi mëhallën. E nxorën nga pusi pa ndjenja prej ujit, që kishte pirë dhe goditjeve që kishte pësuar në trup. Për çudinë e të gjithëve, ai vogëlush u përmend shumë shpejt… Tashmë, ai fëmijë duhej shkëputur një orë e më parë nga kthetrat e asaj njerke, që Zoti nuk e bëri kurrë nënë! Me interesimin e kryepleqësisë së fshatit, Ahmeti, u dërgua për t’u rritur në jetimoren e Vlorës. Pasi mbaroi shkollën 5-vjeçare, u dërgua në Shkollën Tregtare, në të cilën dalloi për sjelljen shembullore dhe rezultatet e larta në mësime. Mbushi moshën për ushtar dhe Bashkia e qytetit, nisur nga rrethanat e tij, e rregulloi që shërbimin ta kryente në Streblevë të Peshkopisë, me dy napolona flori në muaj. Mes shokësh ishte më i thjeshti, më i dashuri, më i ëmbli. Por tjetër gjë e bëri të veçantë në këtë shoqëri. Nuk përtonte dhe kishte aftësi, për t’u dhënë zgjidhje të gjitha problemeve që shfaqeshin në atë postë kufitare. Por, ajo që bëri bujë, ishte ndodhia në një familje fshatare. E shqetësuar vjen në repartin ushtarak, një grua plakë dhe pyet nëse dikush nga ushtarët merr vesh nga veterinaria. Buzëqesh, komandanti për këtë lloj ndihme që ju kërkua, por edhe më shumë e çudit gatishmëria e ushtar Ahmet Ahmatajt, për ta ndihmuar. Pas disa minutash, mbërrijnë te ahuri i kafshëve aty ku lopa e sëmurë ishte e shtrirë dhe rënkonte nga dhimbjet.
– Më sillni një enë me ujë dhe një brisk, ishin fjalët e para të Ahmetit.
– Nëse është puna për ta therur, e therim vetë, ia ktheu plaka.
Nuk u tërhoq në atë që kërkoi dhe me gjakftohtësi ia nisi nga puna. I preu një copë të vogël nga veshi, i ra disa herë me një thupër të vogël për të dalë sa më shumë gjak. Mori tasin me ujë, i këndoi një lutje dhe me atë ujë i fërkoi kokën dhe kurrizin, pastaj ia vuri lopës për ta pirë. Ndodhi mrekullia. Lopa menjëherë u çua në këmbë… Jehona e ndodhisë, u përhap në të gjithë fshatin. Ditët në vazhdim, ai ushtar fitoi emrin dhe lavdinë e një gjenerali… Dora dhe mendja e tij bënin mrekulli! Shenjat e para që të tjerët e kuptuan se ishte shënjtëri. Tashmë, komandanti e hoqi edhe nga kryerja e shërbimive, duke u lënë i lirë për të zgjidhur të gjitha shqetësimet e familjeve fshatare. Nuk gatuhej më në atë postë kufitare, por i gjithë reparti ushqehej me dhuratat që i vinin Ahmetit. Ëmbëlsira dhe frutat ishin të përditshme. Dy napolonat flori, ia la repartit, për t’i përdorur për nevojat e brendshme. Mirësia, bollëku, përgëzimet dhe falenderimet i adresoheshin vetëm atij…
Pas shërbimit ushtarak, kur të gjithë iu drejtuan me gëzim familjeve të tyre, për Ahmet Ahmetajn, nënë e babë, motër e vëlla u bë teqeja bektashiane e Bllacës. Mes ngrohtësisë dhe përzemërsisë së Baba Zenelit, veshi petkun e klerikut.
Shumë besimtarë, ngarkuar me halle, sëmundje, shqetësime e probleme të ndryshme, për gjëra që pranohen në arsye e praktikohen nga Kurani qerim, kanë marrë qetësinë mistike për hallet që i kanë kumtuar Dede Ahmetit dhe kanë gjetur shërim në sëmundje të ndryshme.
Ja pse tani, merr fund rrëfimi ynë për t’i lënë vend, disa prej qindra rasteve që shpalosin shënjtërinë e Dede Ahmetit…
Shemsi Çela: Ishim të internuar në Drizar të Mallakastrës.
Një natë dimri të trazuar ku errësira, përtypi të gjitha dritëndriçimet, nuk kishim ushqim për të ngrënë.
Unë, Dede Ahmeti, Dervish Reshati, ishim në dhomën që e kishim bërë vetë dhe në dritare, në vend të xhamave, kishim vendosur beze. Po hanim disa krodha të forta bukë misri, thatë, duke i ngjyer me kripë aty, pranë zjarrit. Shkoi ora dhjetë e natës, njëmbëdhjetë, dymbëdhjetë. Pritnim që Dede Ahmeti të na thoshte që të shkonim për të fjetur. Por, në një çast, m’u drejtua:
– Bir i babës!
– Urdhëro, ejvallah! – i thashë unë. Kurrë s’ia bëja fjalën dysh.
– Ora e pritjes në shtëpinë e hynqarit nuk ka kohë! Merr fenerin, bir, e dil te qafa se kanë humbur njerëzit rrugën e nuk po e gjejnë dot teqenë. Vijnë për herë të parë, janë nga Kruja dhe Tirana. Fjala e Tij, asnjëherë nuk vihej në dyshim. Ndeza fenerin dhe dola menjëherë te Qafa e Drizarit. Pashë disa njerëz, të cilët digjnin gazeta e vinin rrotull. Dëgjova zërat e tyre:
– Për atë Sari Salltëjk, osht knej rruga!
– Por jo, mor jahu! – ia priste tjetri.
Nga dialekti e kuptova që ishin krutanë e tiranas, siç më tha dedei.
– Aty rrini se erdha! – u fola nga lart. Shkova, i mora e i prura në teqe. Kishin sjellë me vete një furnizim të tërë me ushqime, që nga kripa, buka, mishi e çdo gjë që na mungonte.
Ndërkohë dedei na u drejtua, mua dhe Dervish Reshatit: – Më falni, bijtë e mi, që ju lashë të hanit atë bukë të thatë e ju nuk nxorët zë. Më falni!
Gonxhe Mezini: … Fëmija u tremb. Ajo ishte duke luajtur me të vëllanë e nuk po fliste më, vetëm e shikonte në sy. Prindërit u shqetësuan dhe nuk lanë doktor e mjek popullor pa e vizituar vajzën e vetme, por asnjë përmirësim nuk pati për të.
Një ditë, ata morën rrugën për te Dede Ahmeti, t’i qanin hallin që i kishte gjetur. I priti me buzëqeshje dhe shikimi i Tij qe plot dritë.
– Lermëni vetëm me vajzën, tha Ai.
Pas dy orësh, Ai i thirri prindërit dhe u kërkoi që ta pyesnin të bijën si e kishte emrin. E ëma dhe i ati mbetën të shtangur, aq u hutuan. Atëherë Dede Ahmeti iu afrua vajzës dhe e pyeti:
– Si të quajnë, bija ime?
– F.. at… mira, – u përgjigj ajo. Lot gëzimi, përqafime. Ajo rron dhe e tregon këtë si një mrekulli.
***
Dede Ahmeti ishte dhe mbetet thellësi e përkushtimit hyjnor. Këndonte me shpirtin plot, duke afruar Zotin e qiejve. Një jetë plot çudira jeta e Tij. Në shtëpinë tonë do të shtronim një darkë të veçantë. Nuk mbaj mend me çfarë rasti, por kujtoj praninë e Dede Ahmetit në atë darkë. Ishte kohë e të ligut atëherë. Përgjuesit shikonin e dëgjonin. Komshinjtë, që i kishim përreth, e kryenin detyrën shoqërore partiake në masën e duhur, shërbenin me përkushtim. Kishim vërtet frikë se mos na shikonin se çfarë do të bënim, se kush hyri e kush doli. Dedei e nuhati gjendjen dhe i tha tim shoqi, Rizait:
– Vëllaçko, e di që ke një ndjenjë frike në vetvete. Mos m’u mërzit! Zoti do të rregullojë çdo gjë. Më jep mundësinë e më ngjit lart te ballkoni i shtëpisë. Rizai para e dedei pas, u ngjitën lart. Dedei përfshiu gjithçka me shikimin e Tij perëndues e me vellon mistike mbuloi shtëpitë përreth.
– Zbresim poshtë, vëllaçko ! – i foli Rizait.
Sa zbritën ata poshtë, erdhën njerëzit e thirrur prej dedeit.
Askush nuk i pa. Kaluam atë natë një darkë shumë të bukur: me biseda, me nefeze, me urtësi. Kënga e dedeit ishte porsi kënga e vetë Zotit. Zëri i dhembshurisë qante e tretej në versete kuranore.
Në mëngjes, u ngrita herët për të marrë qumështin. Në radhën e asaj kohe, takova dy komshie të miat dhe u them:
– Ju bëmë një çikë zhurmë mbrëmë… Kishim ditëlindjen e djalit të Besnikut.
– Jo moj motër, as kemi dëgjuar e as kemi parë. Meqë na e the, nipi të bëhet 100 vjeç. Rroftë e gëzoftë!
Kur u ktheva në shtëpi, dedei kishte dalë tek oborri bashkë me Rizain. Bisedonin.
– Hë, më tha mua. – Pyete komshinjtë në i shqetësuam apo jo? – dhe nisi të qeshte ashtu siç dinte Ai.
Isuf Guri: Njëherë, babai me gjithë dajë Myrton, Myrto Memon, dhe Dede Ahmetin shkuan në shtëpi të dajë Myrtos për darkë.
Rrugës, kishin biseduar lirshëm. Dedei e kishte kuptuar se si babai im, ashtu edhe dajë Myrtoja s’para besonin shumë, madje edhe ua tha këtë. Myrtoja e mori si me të qeshur, ndërsa babai im, si më i hollë që ishte, i tha dedeit:
– Edhe besojmë, Ahmet vëllai. Po, ne e respektojmë fenë, e duam. E respektojmë me festa e në gjithçka.
Dede Ahmeti, mbasi i shikoi të dy, vuri dorën në një lis të madh qindravjeçar, që ndodhej pranë shtëpisë së dajë Myrtos, atje te bahçja, dhe e përplasi lisin sa në një krah në një krah… Dy-tri herë. Ata të dy ngelën. Babai ngriu. Ndërsa dajë Myrto bërtiste me të madhe:
– Jallah, Perëndi! Jallah, Perëndi! – dhe mbante duart lart në qiell.
Kur dedei e hoqi dorën nga lisi, nuk lëvizi më asgjë, nuk pipëtinte asnjë lloj zhurme. Të tre nuk folën më. Vajtën për ku ishin nisur, në heshtje…
Gani Merlika: U nisa me taksi për në teqenë e Drizarit, për t’u takuar me Dede Ahmetin. Në Vorë, taksia ndali për t’u furnizuar me benzinë. Sipas rregullores, zbritëm nga makina. U ula në një gur kilometrazhi aty pranë, për të pushuar në ajër të pastër. Pasi taksia u furnizua, vazhduam rrugën për në Drizar. Mbërritëm. U takuam me dedein dhe atë natë ndenjëm tek Ai. U kënaqëm. Të nesërmen u bëmë gati për të ikur. Vajta te dedei për t’u përshëndetur. Futa dorën në xhep për të nxjerrë portofolin, nuk kisha gjë. U preka. Dedei më pa drejt në sy, sikur aty do të gjente diçka dhe më tha:
– Ta pashë mërzitjen, biri im ! Mos m’u mërzit. Kur të kthehesh, ndalu tek ai guri, ku ti ishe ulur dhe shiko poshtë te kanali; aty do të gjesh portofolin me të gjithë lekët. Hajt, afrohu të përshëndetemi!
Flisja me vete: Ai nuk dinte gjë se si kishim kaluar rrugës. Kush i tha? Askush! I mora dorën e bashkë me të dhe uratën. Ikja rrugës i trazuar në mendime dhe me pikëpyetjet e mia. Në t’u kthyer, ndala taksinë pikërisht në vendin ku tha Ai shenjt. Kontrollova në kanal, pas gurit të kilometrazhit dhe… gjeta portofolin me gjithë lekë. E mora në dorë, ngrita kokën lart në qiell e nisa ta kërkoja mes reve.
“- Ja, allah! Mrekullia jote te lutësi yt, i vërteti Dede Ah­met! Të qofshim falë, o Zoti ynë, për çka na ke bërë dhuratë në gjirin tonë!
***
Ai, shkoi natën në teqenë e Drizarit të Mallakastrës, atje ku ishte internuar Dede Ahmeti, së bashku me Dervishin e tij, Reshatin. Mendimin e kishte të zi si nata dhe, në mes të errësirës, ngjiste kodrat. Edhe trokitja e derës së teqesë në atë orë të vonë, diçka fshihte.
– Urdhëroni, bujrum! – e ftoi Dede Ahmeti.
Njeriu i natës, i veshur me një xhup lëkure, me këmishë të bardhë dhe kollare, nuk dukej si vizitor i zakonshëm.
– Nga të kemi, more bir? Mos je nga Përmeti? – e pyeti dedei.
– Po, nga Kolonja, – iu përgjigj i panjohuri, tjetër për tjetër, pa e pasur mendjen.
Vështrimi i Dede Ahmetit e shqetësoi vizitorin e sakaq mundohej t’u shmangej pyetjeve.
– Rri i qetë, i tha dedei, qetësohu, hamë darkë dhe fjalosemi.
Dedei buzëqeshi e ndërkohë ravijëzoi portretin e trembur të njeriut. Sjellja, mikpritja, fjala dhe bukuria e pamjes së dedeit e turbulluan të panjohurin.
– Baba Ahmet, unë nuk mundem, nuk mundem! – tha ai me një zë të dridhur. Papritur, nxori dhe vendosi pistoletën në tavolinë.
– Mirë, bir, mirë, të kam falur!
Ai e pa veten si qenie e një dashurie hyjnore, jo si një antidashuri, jo si një urrejtje. Jetën e ushqeu me dashuri…
22 shkurt 1916. Lindi në Brataj të Vlorës.
1924-1929. Kreu Shkollën Qytetëse.
25 mars 1937, shkoi ushtar në rrethin e Dibrës dhe pasi u lirua, veshi petkun e klerikut bektashi, për t’u bërë dervish në teqen bektashiane të Bllacës, te baba Zeneli, ku qëndroi deri në vitin 1939. Më pas, shërbeu në disa teqe të tjera, si në atë të baba Muharremit në Elbasan, në Turan të Tepelenës dhe në Vlorë.
1942-1944. Luftoi në radhët e Ushtrisë Antifashiste Nacionalçlirimtare. Rreshtohet në Brigadën XVIII, në batalionet partizane të Martaneshit, Kavajës, Elbasanit, të Pezës.
Në batalionin e Pezës emërohet me detyrën e komisarit të batalionit.
1943. Internohet në Porto Romano të Durrësit. Pas internimit, kaloi në çetën partizane të Shijakut, ku edhe plagoset rëndë.
1945 – 1948. Shërbeu në teqenë e Kuzum Babait në Vlorë, me titullin e babait. Në këtë teqe, Ai afroi shumë dashuri dhe respekt ndër njerëz e besimtarë, jo vetëm nga Vlora, por nga e gjithë Shqipëria, duke i shërbyer popullit të Tij e mbi të gjitha Atdheut. Periudha për ndërtimin e vendit do ta gjente në ballë të punës, në aksionet për ndërtimin e pyllëzimin me ullinj të kodrave të Vlorës.
1948 – 1958. Emërohet në postin më të lartë: Kryegjysh Botëror, në Selinë e Shenjtë të Bektashinjve në Tiranë. Nën udhëheqjen e Tij, bektashizmi në Shqipëri mori një zhvillim shumë të madh dhe njëherazi, paraqitja e tij në arenën ndërkombëtare ishte me dinjitet.
1958-1967. Internohet në teqen e Drizarit në Mallakastër.
Zgjuarsia, oratoria, sjellja e thjeshtësia e Tij, fuqia drejtuese dhe organizuese afruan në të gjitha teqetë bekashiane respekt e dashuri. Zotërues i gjuhës arabe dhe turke, ai udhëhoqi grupe pune me stafe të specializuara në teologji dhe në histori – gjuhësi, duke përkthyer shumë literaturë në dobi të bektashizmit. 1967-1980 (vit në të cilin kaloi nga jeta), megjithëse i sëmurë me plagë lufte ende të pambyllura, Dede Ahmet Ahmataj me thjeshtësi e dashuri, jetoi në familjen e vëllait të tij, Kadri Ahmataj, në Tiranë, mes besimtarëve e dashamirësve, të cilët e deshën me forcën e zemrës, duke mos iu ndarë kurrë, derisa mbylli ciklin jetësor.
Për merita të veçanta në Luftën Nacionalçlirimtare dhe në periudhën e rindërtimit të vendit, i janë akorduar një sërë dekoratash dhe urdhrash.
16 korrik 1993. Presidenti i Republikës, Sali Berisha i akordon “URDHËRIN PËR VEPRIMTARI PATRIOTIKE TË KLASIT I”

 

About Redaksia

Check Also

Si nisi revolta e Qafë Barit më 22 maj 1984

Nga Bedri BLLOSHMI Revolta në burgun e Qafë Barit nisi më 22 maj 1984. Atë …

Leave a Reply