“Hakmarrja për Drejtësi” hakmerret ndaj drejtësisë

Nga Basir ÇOLLAKU

Gjykata e lartë ka rrëzuar rekursin e Prokurorisë për “Hakmarrjen për Drejtësi” duke vendosur mospranim, pasi Apeli i ish-Krimeve të Rënda, i kishte shpallur të pafajshëm me 13 shkurt 2017. Vjen ky vendim duke i pafajësuar plotësisht të akuzuarit në tërë zinxhirin gjykues në Shqipëri, duke mbyllur një dosje 30 vjeçare, ndoshta më e thinjura në drejtësi.

Në këtë mënyrë Gjykata ka vendosur pafajësi për Orik Shytin, Leart Shytin, Altin Arapin, Dritan Hatën, Gent Cakën, Nikolin e Pasho Novruzajn, Gëzim Gjonin, Roland Shytin dhe Kreshnik Spahiun. Në ngarkim të tyre kanë rënduar akuza për 17 ngjarje penale, si vjedhje më dhunë më pasojë vrasje, vrasje, grabitje bankash, biznesesh, pengmarrje për arsye gjobëvënie. Ndër akuzat për vrasje, është edhe akuza për vrasjen për shkak të cilësive të veçanta të detyrës, e Bujar Kaloshit, ish drejtor i përgjithshëm i burgjeve, vrarë në korrik të vitit 1996.

Arrestimet e parë të të akuzuarve për këtë organizatë janë bërë në vjeshtën e vitit 1996 dhe me trazirat e vitit pasardhës ata u larguan jo vetëm nga qelitë por edhe nga Shqipëria. Qëndruan në vende të Evropës pa mundësi arrestimi dhe ekstradimi, duke përfituar nga sherri politik në Kuvend në emër të tyre. Ky debat si shpeshherë e mbivendosi drejtësinë, duke e kompleksuar dhe pamundësuar të shkojë deri në fund të së vërtetës për shumë akuza.

Kanë qenë socialistët në pushtet kur nisi gjyqi në vitin 1998, në ngarkim të 11 anëtarëve të organizatës së quajtur “Hakmarrje për Drejtësi” pesë vite hetim dhe gjykata vendosi pafajësi por shkalla e dytë e riktheu sërish çështjen. Politizimi i saj u bë i tejskajshëm dhe kjo ndikoi edhe në vendimmarrjet e gjykatave herë pas here. Të akuzuarit dhe dënuarit u rikthyen në liri me rrokadën e pushtetit.

Qeveria e Edi Ramës ka duart e saj në drejtësi me proces de-reformimi dhe vetting duke ndikuar jo pak në mjaft çështje.Në vitin 2017 pafajësia nisi për tu bërë përfundimtare në Gjykatën e Lartë ditën e mërkurë të 22 shkurtit. Kështu e quajtura organizatë “Hakmarrje për Drejtësi” u hakmor ndaj Drejtësisë, pa kuptuar se sa drejtësi meritonin ngjarjet e shumta në dosje ku ka edhe viktima.

Dosje dhe ngjarje të rënda të cilat tani drejtësia do të duhet ti vlerësojë si ngjarje pa autor, sepse të akuzuarit 30 vjeçarë nuk janë më të tillë. Me hetimin e këtyre dosjeve për 11 të akuzuar, janë angazhuar në këto 29 vite shumë oficerë policie, oficerë të policisë gjyqsore, hetues, prokurorë, gjyqtarë. Puna e tyre, përkushtimi, sakrifica, nuk ka qenë e pavërtetë.

Nëse veprimet e tyre kanë qenë të pamjaftueshme dhe të akuzuarit nuk janë autorët, atëherë ka të tjerë autore për këtë numër të madh ngjarjes. Sepse ngjarjet kanë ndodhur. Grabitjet me dhunë kanë ndodhur. Vrasjet kanë ndodhur. Nëse akuzat kanë qenë politike mos është edhe fajësia dhe pafajësia e tillë.?! Dyshimet janë të shumta.

Ajo që po ndodh sot fatkeqësisht në Shqipëri është e hidhura reale. Edi Rama, është njëherësh Kod Penal, Kodi i Procedurës Penale, Kod Civl e Tregtar. Mesazhet e tij janë vendimet dhe çvendimet, për shumë prokurorë dhe gjyqtarë.

About Redaksia

Check Also

1200 kryevepra në një muaj! Çfarë do më tepër ky popull?

Nga Lutfi DERVISHI Në një përpjekje të pafundme për të qëndruar në kontakt me qytetarët, qeveria …

Leave a Reply