Todo sobres mi padres

Shumë vite, pak vetmi. Djali i Gabriel Garcia Marquez (dhe i Mercedes) na çon prapa kuintave të një familjeje çuditërisht të lumtur. Deri në lamtumirën e dyfishtë. Intervista. 

Një djalë që pas vdekjes së prindërve u thotë atyre lamtumirë, midis mijëra dyshimeve dhe deri paksa turpi, një libër i shkurtër, i prerë, i sinqertë, emocionues dhe i thellë mbi muajt e tyre të fundit në jetë. Ky djalë është Rodrigo García, regjisor dhe producent televiziv e kinematografik dhe këta prindër janë jo më pak se Mercedes Barcha Prado dhe Gabriel García Márquez, nobelisti kolombian, ndër shkrimtarët më të famshëm të shekullit të XX, autor i “100 viteve vetmi”, një roman që ka ndryshuar imagjinatën e pjesës tjetër të botës mbi një kontinent të tërë, që është lexuar nga rreth 100 milion burra e gra, ndërsa fshati Macondo është bërë vendi letrar më real se shumë qytete të Tokës.

“Lamtumirë Gabo dhe Mercedes”, përkthyer nga Giulia Poerio për shtëpinë “ Mondadori”, është një ditar i mbushur me kujtime dhe ndjenja, një rrëfim që nuk kursen vizionin mbi shtratin e vdekjes së babait të vdekur që mezi zbret nëpër shkallë apo dhimbjen apo tronditjen përballë arkivolit që hyn në furrë për kremim. Me pak fjalë, ky libër është një lamtumirë e dhembshur dhe me cipë nga prindërit e tij në mish e kocka, jo nga personazhet e famshëm që kanë qenë. E megjithatë Rodrigo García shkruan: «Provoj hutim pasi po mendoj të mbaj shënime, turp sepse po mbaj shënime, hidhërim ndaj vetes teksa po i rishikoj këto shënime. Ajo që e bën çështjen të trazuar nga pikëpamja emotive është fakti që im atë ishte njeri i famshëm. Prapa nevojës për të shkruar mund të fshihej tentativa e rritjes së famës së tij, në këtë epokë vulgariteti». «Po, kam qenë vazhdimisht i zënë nga dyshimet», na konfirmon Rodrigo.

«Kur im atë është sjellë në shtëpi nga spitali, tashmë pa shpresë, kam reaguar duke mbajtur shënime mbi atë që po ndodhte. Nga kjo struktura e librit, me kapituj të vegjël, nganjëherë me një paragraf të vetëm, por nuk e kisha absolutisht idenë se çfarë të bëja me këto shënime. Kur Gabo vdiq, duke u kthyer në shtëpinë time në Los Angeles, kam shkruar gjithçka me shpejtësi të madhe, në anglisht, pasi zakonisht nuk shkruaja në spanjisht. Edhe atëhere nuk e dija në do ta botoja këtë tekst apo jo; për më tepër, isha i vetëdijshëm se ime më nuk do të ishte kurrë dakord. Atëhere e kam vënë menjanë për vite me radhë, deri në vdekjen e saj, më 2020, në kulmin e pandemisë. Në këtë pikë kam kuptuar se cila ishte vërtet tema që më interesonte: jo ajo e babait të famshëm, por ajo e lamtumirës së prindërve. Megjithatë kisha akoma dyshime. Pasiguri, ia kam lexuar tim vëllai, ime shoqeje, kunatës time dhe disa miqve që më kanë inkurajuar, por deri 5 ditë përpara se libri të dilte më ka ardhur një sulm pendimi, ndjenjë faji».

Por çfarë babai ka qenë për ju Gabriel García Márquez?

«Një baba shumë i pranishëm, pasi ka punuar gjithmonë në shtëpi. Nuk e ka pasur kurrë një zyrë, as kur jetonim në një apartament në Barcelonë, përpara se të vinim në Meksikë. I pëlqente që të hanim bashkë çdo ditë, ishte thuajse e detyrueshme. Po, ka qenë një baba shumë i pranishëm, sidomos për një burrë të epokës së tij, të gjeneratës së tij, që për më tepër nuk kishte pasur një raport shumë të ngushtë me babain e tij. Pastaj, kur kam mbushur 16, 17 vjeç, jetonte shumë jetën e tij, edhe pse pyeste gjithmonë se çfarë bënim, si shkonim në shkollë e të tjera. Natyrisht, si të gjithë fëmijët e njerëzve të famshëm, e kam pasur gjithnjë vështirësi të madhe të mbaja në kokën time babain e fëmijërisë dhe të adoleshencës time, babain e famshëm, shkrimtarin, shumëfishtësinë e identiteteve të tij. Fama dhe talenti i tij e bënin atë persona të ndryshëm dhe për t’i integruar në një të vetëm më është dashur të impenjohem shumë».

Çfarë kujtoni nga zakonet e babait tuaj kur shkruante? Si ishte atmosfera në shtëpi?

«Në përgjithësi, punonte nga ora 9 e mëngjesit deri më 14 e 30, teksa ne ishim në shkollë, për pasojë nuk ndërhynim me aktivitetet e tij dhe shtëpia për ne nuk duhej të bëhej një lloj vendi i shenjtë i heshtur. Ajo që kujtoj mirë ishte se kishte një aftësi të madhe përqëndrimi: nuk vinte muzikë, nuk përgjigjej në telefon, por kur ishte duke shkruajtur askush nuk mund ta bezdiste. Thoshte vetëm se nuk arrinte të shkruante kur kishte ftohtë. Nga ana tjetër, nëse hyje në studion e tij, ndoshta i dërguar nga ime më për t’i kërkuar diçka, të shikonte, por nuk të shihte dhe nuk të përgjigjej. Ishte vërtet i poseduar nga të shkruarit».

Ju shkruani: «Vetëm shumë më pas të dyzetave kam kuptur se vendimi im për të jetuar dhe punuar në Los Angeles dhe në anglisht ishte një zgjedhje e qëllimshme, për sa e pandërgjegjshme, për ta gjetur rrugën time përtej sferës së influencës së famës së tim eti». Ka qenë e vështirë të ishe djali i Gabriel García Márquez?

«Besoj se në fund të fundit nuk ka qenë e vështirë. Sigurisht, duhen vlerësuar pro dhe kundrat. Po, isha djali i Gabo, një prindër mbytës, por kisha një baba të zotin. Shumë fëmijë njerëzish të famshëm nuk e kanë dhe kushti im më ka hapur shumë dyer, jo për karrierën time, por për privilegjin e njohjes dhe të frekuentimit qysh nga fëmijëria i shumë njerëzve interesantë. Në shtëpinë tonë vinin Álvaro Mutis, Carlos Fuentes, Luis Buñuel, Carmen Balcells… Për më tepër, të mijtë nuk e kanë humbur asnjëherë aftësinë e bërjes miq të rinj, prandaj, pjesërisht atyre të një jete, kanë pasur gjithmonë miq të rinj dhe më të rinjë në moshë dhe besoj se kjo i ka mbajtur të rinj edhe ata. Pra, nëse bëj një bilanc, të jeshë djali i një personi kaq të spikatur ka qenë shumë pozitive për mua».

Çfarë efekti ka pasur shikimi i simptomave të para të demencës senile tek babai juaj, pasjes përpara të një prindim që dalëngadalë largohet megjithëse duke qenë aty?

«Në fillim procesi është kaq i ngadaltë sa që nuk e kupton, derikur papritmas simptomat nuk bëhen alarmuese, derikur i sëmuri nuk ta bën të njëjtën pyetje për 5 herë në 3 minuta. Atëhere po, sëmundja më ka ngjallur shumë preokupim dhe ankth, edhe pse Gabo ishte një person publik dhe duhej të ishe i vëmendshëm se mos thoshte gjëra të gabuara. Nuk kam dashur kurrë ta fsheh sëmundjen e tij, pasi vazhdonte të kishte një jetë sociale dhe njerëzit e kuptonin se ai po humbiste kujtesën. Pjesa më e vështirë ka qenë ai vit që përshkruaj në libër, vitin ku kishte vetëdije të plotë që kujtesa e tij po fillonte të venitej. Ka qenë një periudhë ankthi të madh si për të, ashtu edhe për ne që i qëndronim afër, sepse nuk mund të bënim asgjë për ta ndihmuar».

Për një shkrimtar kujtesa është akoma më e rëndësishme. Ju si keni reaguar?

«Me shumë ankth. Kërkonte vazhdimisht ndihmë, thoshte “Unë nuk punoj me kujtesën, është instrumenti im dhe lënda ime e parë. Nuk mund të punoj pa të”, dhe e përëriste deri në cfilitje. Ka qenë një vit shumë i rëndë, sidomos për time më. Pastaj ka pasur një periudhë në të cilën ka nisur të thotë “po humbas kujtesën, por për fat nuk e kujtoj se po e humbas”. Ka qenë atëhere që kam rilexuar “100 vjet vetmi”: ishte mjaft i pranishëm tek unë për ta lexuar, por nuk dije absolutisht nga ku kishin dalë gjithë këto gjëra. Në fund, nuk kam qenë as më në gjendje ta lexoja».

Në libër ju tregoni një episod të mrekullueshëm: ditën e vdekjes së Gabo, të Enjten e Shenjtë të 2014, në një dhomë të rrethuar nga vetrata, gjetët një zog të ngordhur në vendin ka zakonisht ulej babai juaj. Patjetër kishte hyrë në shtëpi dhe ishte përplasur me xhamat e mbyllur. Disa orë më pas, kur është përhapur lajmi i vdekjes, një mike ju kujton se edhe Úrsula Iguarán, matriarkia e “100 vjet vetmi”, vdes një të Enjte të Shenjtë dhe se, pas vdekjes së saj, disa zogj të çorientuar përplasen kundër mureve dhe bien në tokë të ngordhur …

«Është një episod që ka të pabesueshme dhe nuk kish sesi të mos e tregoja. Duket realizëm magjik, sikur të mos ishte që të gjithë romanet e mëparshëm e “100 viteve” nuk kanë asgjë nga i ashtuquajturi realizëm magjik dhe se im atë e ka refuzuar gjithmonë me vendosmëri këtë etiketë».

Libri është një lamtumirë edhe për nënën tuaj, Mercedes Barcha, që e kam menduar gjithmonë si një grua me karakter të madh. Nuk është e lehtë të jetosh përkrah një burri si Gabo apo t’i përshtatesh këtij papritmas, sukses i madh pa e humbur vetëveten…

«Vinin të dy nga aspekte shumë të largëta, nga Kolombia e viteve ’40. Vazhdojnë të më hapisin sesi njerëz që vinin nga një botë kaq e thjeshtë, jp e varfër, por e thjeshtë, kanë arritur të rriten në këtë mënyrë. Sigurisht, Gabo ishte një fenoment, ama Mercedes ka arritur të lëvizë sipas qejfit të saj midis presidentësh, mbretërish dhe njerëzish të famshëm, duke vazhduar të menaxhojë shtëpinë dhe të gjithë ne me mënyrën e saj, me grintë dhe me siguri të dukshme. Unë e di që kishte edhe shumë pasiguri, por zgjidhte me dëshirë sigurinë, edhe kur ishte e pasigurtë, dhe kjo i ka dhënë gjithmonë një forcë të madhe. Kishte frikë nga manifestimet e mëdha emotive, por me ne ka qenë gjithmonë shumë afektuoze, shumë e pranishme. Nuk bënte siç ne prindërit tani; këtu i quajnë prindër helikopter, sepse fluturojnë gjithmonë mbi fëmijët dhe u bëjnë hije atyre. E bënte me mënyrën e saj, pasi ishte e një gjenerate tjetër, por ka qenë gjithmonë e interesuar dhe e përfshirë në jetët tona. Pastaj ka rifilluar ta bëjë me nipërit dhe mbesat, për të cilët ka pasur dashuri dhe bashkëpenetrim të madh. Ajo që është e sigurtë është se ne fëmijët kishim, falë prindërve të mi, ndjesinë se përkisnin diçkaje, se kishin një bazë të cilës i referoheshim, një ndjesi që më ka zgjatur deri në të pesëdhjetat, pavarësisht se kisha jetën time, familjen time, karrierën time. Pastaj, kur im atë ka filluar ta humbasë kujtesën dhe ime më është vërë fizikisht e brishtë, ka ardhur momenti ku, si thuajse të gjithë, kam filluar të ndjehem si prindër i prindërve të mi».

Një pyetje të fundit: në çfarë pike janë xhirimet e serialit të nxjerrë nga “100 vjet vetmi”?

«Besoj se do të fillojnë pas 2 apo 3 muajsh. Unë jam një konsulent i serialit, por në distancë. E mbështes projektin, që më pëlqen shumë, nëse ma kërkojnë mendimin e jap, kam lexuar skenaret e para, që më duken shumë të mira, por nuk kam dashur të mbetem tërësisht i përfshirë: parasëgjithash sepse dua që seriali të realizohet nga kush e ka ideuar dhe pastaj sepse dua, po, të jetë i dobishëm, ama do të ishte shumë e rëndë që djali i autorit, që është edhe ai kienast, ndoshta aty, në fazë ideimi apo në sheshxhirim, t’u pante dërrasat. E sigurë është se, pavarësisht nga sesi do të dalë seriali, gjysma e njerëzve do ta dashurojë dhe gjysma tjetër do të ketë rezerva të forta, do të thotë se nuk është si libri. Do të shkojë kështu, është e pashmangshme».

(nga Il Venerdi della Repubblica)

Përgatiti

ARMIN TIRANA

About Redaksia

Check Also

VOA: Dhjetëra Monumente në “rrezik” në Shqipëri

18 Prilli shënon Ditën Botërore të Monumenteve, shumë prej të cilave janë në gjendje kritike …

Leave a Reply