Kryetari i PD, Sali Berisha u shpreh nga Lushnja ku po prezanton kandidatin e PD se, 14 maji është një datë që ndan historinë. Ai tha se, me votën tuaj ju përzgjodhët për qytetar të parë Eduart Sharkën.
“Të dashur demokrate e demokratë, qytetare e qytetarë, banorë të Lushnjes, përshëndetjet më të përzemërta, nderimin më të thellë, respektin më të madh, për ju, për lushnjaret dhe lushnjarët kudo që janë sonte, në këtë rreth të bekuar, në Shqipëri, emigracion e kudo që ndodhen.
I nderuar z. Baçi, deputet dhe kryetar i grupit drejtues të PD-së, për qarkun, të nderuar ish-deputetë, z. Murrizi. Të nderuar kandidatë të bashkive të qarkut, vëllezër e motra, zonja e zotërinj.
Është nderi veçantë të flas sot para jush, të diskutoj me ju në këtë moment kritik, në këtë moment kur në thellësitë e kësaj toke, të shpirtit të çdo shqiptari buron një kushtrim, buron një thirrje; të bëjmë gjithçka për të ndaluar këtë rrokullisje të madhe të Lushnjes dhe Shqipërisë, këtë shkretim të madh të kombit shqiptar.
Në këtë kontekst, 14 maji është një datë që ndan historinë, sepse ju me 14 maj pas 32 vitesh jeni të ftuar të votoni kandidatin që ju keni zgjedhur me votën e lirë, që nuk ua ka emëruar as kryetari as kryesia e Partisë. Erdha këtu 1 vit e gjysmë më parë në këtë sallë dhe në çdo sallë ku shkova, demokratët me të drejtë kërkuan; ti emërojmë ne me votën përfaqësuesit tanë dhe kjo sot është një realitet.
Me votën tuaj ju përzgjodhët për qytetar të parë Eduart Sharkën, njërin nga qytetarët shembullorë, një nga njerëzit më punëtorë, më të aftë, i cili e do me shpirt Lushnjes dhe e njeh në të gjithë problematikën e saj, një njeri i cili, një specialist, ekspert, demokrat i gatshëm për të vendosur të gjithë energjitë e tij, dijen, ndershmërinë përkushtimin në shërbimin tuaj. I gatshëm të shndërrojë bashkinë e Lushnjes në shtëpinë e parë të qytetarëve të Lushnjes.
I gatshëm të bëjë gjithçka që çdo qindarkë e taksave tuaja të shndërrohet në mirësi, përmirësim të infrastrukturës, jetës së banorëve të këtij qyteti”, u shpreh Berisha.