Banorët e fshatit Bërxullë të Tiranës kanë vendosur t’i intensifikojnë protestat e tyre për shpronëismin e drejtë të tokave bujqësore dhe të banesave me çmimin real të tregut. Ata nuk do të presin ditën e diel këtë radhë për të vazhduar revoltën, por nesër do të mblidhen sërish përpara Kadastrës për të kërkuar legalizimin e atyre pak pronave që kanë mbetur pa u çertifikuar në kushtet kur presin shpronësimin.
Protesta e banorëve të Bërxullës u mbyll për sot në orën 11, pasi bllokuan për disa orë aksin rrugorë Rinas-Tiranë duke pritur ardhjen e ministres Belinda Balluku për marrëveshje me ta.
Ata më parë protestonin çdo të diel, kurse sot e përshpejtuan protestën, pasi shkak u bë takimi pas takimi dhe përgjgija që morën nga kryebashkiaku i Vorës Blerim Shera dhe nga përfaqësuesit e firmës kontraktore për kryerjen e punimeve.
Atyre iu tha se projekti ende nuk ka përfunduar dhe nuk dihet nëse do të ketë nënkalime, siç kanë kërkuar dhe se deri tani nuk ka një plan për dëmshpërblimin e tyre sipas vlerës së tregut. Kjo përgjigje i rrëzoi shpresat e banorëve dhe i shtyu të nxisin revoltën.
Nesër ata kanë paralajmëruar një tjetër protestë pranë zyrave të Kadastrës për të kërkuar çertifikim të atyre pak pronave që janë të paçertifikuara ende; janë 25 banesa që preken nga ndërtimi i autostradës Thumanë-Kashar dhe mbi 35 ha tokë bujqësore.
Nga deklarata e banorëve u mësua se toka bujqësore që është baza e ekonomisë, sivjet nuk është mbjellë sepse prisnin që firma të fillonte punimet, ndërkohë që nuk kanë asnjë ifnromacion se si do të trajtohen veç një VKM-je të vitit 2016 që thotë se do të kompensohen me 4 euro për metër katror që nuk ka lidhje me çmimin e sotëm të tregut, kur pronat në këtë zonë shiten mbi 50 euro, metri katror.