Banorët e Bërxullës kanë rinisur protestën përpara Hipotekës. Ata kërkojnë të njihen me projektin e autostradës Thumanë-Kashar, që kalon mes për mes pronave të tyre dhe u rrëmbën shtëpitë dhe tokat bujqësore, por nuk po arrijnë të marrin asnjë informacion se ku do të kalojë e çfarë prek projekti.
Në një deklaratë për mediat, një përfaqësues i tyre tha se qeveria po e bllokon qëllimisht transparencën e projektit dhe se në fshatin e tyre po bëhet një masakër.
“Nuk kemi marrë asnjë lloj përgjigje, sepse vetë firma nuk ka, thotë se projekti është në studio për të parë se si do të veprohet për zhvillimin e rrugës. Nuk kanë as ata asnjë lloj dijenie sepse: na del kosto e lartë në të gjitha drejtimet, mbikalimi nuk na lejon këtu, nënkalimi nuk na lejon aty, sepse përmbytet”…
Por jo, nuk përmbytet, sepse investimi është, fondi është i pallogaritshëm, 260 milionë euro. Shkurt, nuk është vullneti, nuk kanë vullnet për t’i zgjidhur hallet”.
Banorët e fshatit Bërxull kanë muaj që janë ngritur në protesta, pasi qeveria kërkon t’i kompensojë në vlera të ulëta, pa lidhje me tregun, shtëpitë dhe tokat që do t’u shpronësojë.
Një javë më parë, këta banorë bllokuan rrugën e Rinasit duke kërkuar që Ministrja e Transportit, Belinda Balluku, të vijë dhe t’i sqarojë për shpronësimin; që kryetarja e IKMT Dallëndyshe Bici t’u ajpë çertifikatat e legalizimit të pronës, që vet Kryeministri të nxjerrë një VKM të re për kompensimin e pronave të tyre em vlerën reale të tregut.
Protestuesit kanë denoncuar korrupsionin që bëhet në Hipotekë dhe nga vetë zyrtarët e lartë duke treguar dokumentet e pronave të tyre sot nga përpara zyrave të Hipotekës, ku po zhvillojnë protestën e radhës.
Përfaqësuesi i tyre vërejti një element të qartë se si zhvillohet korrupsioni “në mënyrë ligjore”:
Duhet të kuptojmë vetëm një gjë: të gjithë këta që shihni, që janë në këto zyra, mos kujtoni se shkelin ligjin për të dhënë titullin e pronësisë, por ta bien në atë formë të shtrëngojnë që ti të paguash ryshfet për ta marrë, sepse ligjin nuk e shkel asnjë njeri për të shkuar në burg. Të jesh i bindur. Por kur paligjshmëria bëhet ligj, vetëgjyqësia bëhet detyrim, sepse je i detyruar ta kërkosh me forcë pra.
Ligjin nuk e shkel asnjë, se nuk i ka luajtur mendja atij se shkon në burg, por ty ta bie dhe të shtrëngon në çdo mënyrë që të japësh ryshfet për ta mbaruar hallin që ke. Me ryshfet mbarohet dhe pa ryshfet nuk bëhet e thotë “luftojmë korrupsionin”!
Korrupsioni luftohet kur i je drejtpërdrejtë o zotëri. Unë çfarë halli kam që jam sot këtu?! Kam aplikimet e njerezve dhe ti nuk i zgjidh. Ai ka që në 2005 që ka bërë aplikim, sot i thonë 2023 dhe nuk merr titullin e pronësisë. Tokën e ka me certifikatë, shtëpia nuk i bëhet!
Kjo zonjë e ka tokë të trashëguar dhe kunetërit e vet e kanë marrë çertifikatën e pronësisë, kurse kësaj i del shtet. Ja dokumentet i kam sjellë vet dhe një dokument gjendet, një nuk gjendet fare. Këtu nuk mban askush përgjegjësi dhe thotë gjeje letrën se nuk ke sjellë. Askush s’mban përgjegjësi”.