Ukrainasit e Izraelit

Presidentë, kryeministra, gjeneralë. Pionierë dhe shkrimtarë. Një pjesë e mirë e shtetit hebraik vjen nga qytetet nën bombat ruse.

Devorah Dayan e përmblodhi historinë e saj në një volum të botuar pas vdekjes në Francë. Historia e një vajze ukrainase të nisur nga Zashkiv dhe e përfunduar duke punuar dhe kultivuar tokën në kibutze dhe nëpër “moshav ovdim”, organizatën e punës dhe të jetës së një fshati hebraik në Palestinën fillimisht turke dhe më pas angleze. Kishte një burim, limona, fiq, dhe sidomos kishte hije. “Një zë më fliste brenda vetes dhe më thoshte: “Këtu di taë ndërtosh ekzistencën tënde, në këtë tokë do të rrisësh fëmijët e tu””. Ishte Nahalul, jo larg nga Nazareth, disa vite pas Luftës së Parë Botërore. Një fshat hebrejsh që qenë kthyer në Tokën e Premtuar për ta kolonizuar. Midis tyre ajo grua, me burrin dhe me një fëmijë, që një ditë do të bëhej komandanti më i madh i ushtarëve të Izraelit, Moshe Dayan (fëmija i parë që erdhi në botë në atë kibutz). Devorah Dayan ka vdekur në 1953, nuk ka asistuar në triumfet e të birit dhe botuesi francez Julliard ka botuar një libër të sajin, “Una mère en Israël”. E lanë Ukrainën për të punuar në Izrael jo vetëm një ndryshim jetese, por një “ndryshim shpirti”. Libri i Devorah Dayan është mallëngjyes, pa qëllimin që të jetë i tillë. Me ftohtësi përshkruan shkëputjen e papritur nga prindërit, që jetonin në një fshat të Ukrainës. E reja Devorah, ende një vajzë, kishte mbaruar studimet dhe do të mund të martohej, të bëhej një zonjë borgjeze e shoqërisë cariste në perëndim, por kupton se rreziku është aty dhe ndjehet e huaj.

Gjysma e klasës drejtuese të etërve themelues të Izraelit vjen nga aty, nga Ukraina. Nuk është vetëm historia e Babi Yar, e Stephan Bandera dhe e pogromeve para – Hitler, siç do të donte versioni zyrtar rus. Vendbanimi i pinionierëve të Rishon Le-Zion, sot qyteti i katërt më i madh i Izraelit, u themelua nga një grusht hebrenjsh ukrainas nga Harkovi në vitin 1882, 15 vjet përpara Kongresit të Parë Sionist të Theodor Herzl (ditë më parë kryebashkiaku i Harkovit ka thënë se “ukrainasit kanë shumë për të mësuar nga Izraeli”). “Nuk ka asnjë vend tjetër në botë që ka pasur kaq shumë influencë mbi kulturën herbaike dhe mbi sionizmin përpara Holokaustit”, shkruan “Israel Hayom”, gazeta më e shpërndarë izraeliane. “Disa prej sekteve më të mëdha hasidike në Izrael u themeluan në Ukrainë”.

Arkitrau i njërës prej shtëpive në Odesë reciton në ukrainisht dhe hebraisht: “Këtu ka lindur Izraeli modern”. Në këtë ndërtesë ndodheshin zyrat e “Komitetit të Odesës” që mblidhte fonde për pionierët e alijave të parë. Shumë prej udhëheqësve izraelianë kanë lindur në Ukrainë, si Ze’ev Jabotinsky, themeluesi i sionizmit të djathtë. Porti i Odesës është quajtur edhe “Porta e Sionit”, pasi si pikënisje për emigracionin në Izrael. Nga këtu, rabini Nachman u nis nga Breslav drejt Jaffa dhe alija i studentëve Ga’a u nis për Jeruzalem. Alijahu i tretë u nis më 1919 me nisjen e anijes “Ruslan” nga porti i Idesës me në bord 670 pionierë. Respektivisht kohës së sotme, është sikur 80000 emigrantë të arrinin në Izrael në një ditë. Kur udhëtohet drejt jugut arrihet në qytetin Uman, qyteti i rabinit Nachman nga Breslav. Ze’ev Jabotinsky, “ujku vetmitar” nga Odessa, kreu karizmatik dhe kumbari i politikanëve izraelianë, nga Menachem Begin tek Ariel Sharon deri tek Bibi Netanyahu. Poet, romancier, gazetar, agjitator, luftëtar dhe shtetar, Jabotinsky me një grup miqsh kishte themeluar në Ukrainë në 1904 shtëpinë botuese sioniste “Kadima” (Përpara). Emri i partisë së ardhme të Ariel Sharon. I vdekur në New York në vitin 1940 pas një ekzistence udhëtimesh dhe luftërash, shkrimesh dhe humbjesh, në një artikull të titulluar “Muri i Hekurt”, shumë përpara se ta kërkonin laburistët, Jabotinsky pranonte se arabët e Palestinës qenë një popull, se konflikti konsistonte në një përplasje midis dy aspiratave legjitime kombëtare dhe se sionistët do të arrinin në qëllimin e tyre vetëm po të ishin të aftë ta mbronin projektin e tyre nëpërmjet forcës. “Muri i Hekurt” ka mbetur doktrina revizioniste par excellance dhe çelësi i traktateve të paqes me Egjiptin dhe Jordaninë.

Ishte një njeri gjenial, shkruante në hebraishten klasike dhe ka përkthyer Dante, ka qenë i huaji i pari i bërë oficer i ushtrisë britanike, i dënuar me vdekje për mbrojtjen e hebrejve në Jeruzalem në vitin 1919. Jabotinsky u “akulturua” si një hebre tipik rus i borgjezisë ukrainase të kohës. Admiruesi i ri i Paul Verlaine dhe i Arthur Rimbaud, estet kozmopolit dhe ultranacionalist, sheh një zgjidhje të vetme tek antisemitizmi: një atdhe hebraik për t’u arritur nëpërmjet emigracionit masiv dhe ripërvetësimit të forcës. Në nëntorin e 1938 Jabotinsky shkroi dhe i dërgoi një studenti të ri jugafrikan një letër që ka bërë epokë, aq sa të futet 30 vjet më pas në Encyclopaedia Judaica, një lloj fjalori universal i popullit hebraik të botuar në Jeruzalem nga viti 1971. “Pse të jetosh?”, pyet Jabotinsky teksa Europa po transfohej në kasaphanën e judaizmit. “Vetëvrasja është më keq se frika, është dorëzimi. Në 10 vitet e ardhshme do ta shikojmë shtetin e Izraelit jo vetëm të shpallur, por një realitet”. Vdiq duke kërkuar të bindë amerikanët në pjesmarrjen materiale dhe morale të hebraizmit ndaj kauzës antinaziste.

Mbrëmjen e 11 qershorit 1961, presidenti i Izraelit Yitzhak Ben-Zvi, edhe ai i lindur në Poltavë të Ukrainës, u paralajmërua nga një mik i vjetër, gazetari izraelian Benjamin Vest. Po e këshillonte kategorikisht që të anullonte “takimin ukrainas” (Kenes Ukraina) që ishte programuar për javën e ardhshme pranë rezidencës së presidentit izraelian. Vest ishte dënuar në Moskë për përkatësi në lëvizjen sioniste dhe në 1925 u deportua nga “parajsa sovjetike” në Palestinën britanike. Kjo ishte hera e parë në historinë e Izraelit që kreu i shtetit të saj kishte vendosur t’i mblidhte hebrenjtë nga vendi ku vetë ai kishte lindur. Ben-Zvi kishte marrë një letër nga Vest, që e nxiste të mos i priste atë mbrëmje të lindurit tnë Ukrainë, nga frika se mos shkaktonte një reagim nga ana e Moskës. Edhe vetëm të thoje “Ukrainë” do të mund të interpretohej nga qeveria sovjetike si një mbështetje ndaj nacionalizmit ukrainas në shtëpinë e presidentit të Izraelit. Të grindeshe me Moskën për fjalën “Ukrainë”?

Yitzhak Shimshelevitz (Shymshelevych në ukrainisht), presidenti i ardhshëm Ben-Zvi, lindi në Poltavë në një familje pinjolle nga një dinasti rabinike, midis të cilëve Rashi. Babai i presidentit të ardhshëm, Zvi Shimshelevitz, ishte një mësues i hebraishtes. Në 1904 2 vjeçari Yitzhak bëri udhëtimin e tij të parë në Tokën e Izraelit. E gjithë familja Shimshelevitz u deportua në Siberi, por Yitzhak arriti të largohej përtej kufirit. U kthye në Rusi, u arrestua dy herë dhe më pas u arratis prapë. Në fund e la Perandorinë Ruse në pranverën e 1907. U vendos në Jaffa, më pas në Jeruzalem, bashkë me gruan e tij të ardhshme, Rachel Yanait, me origjinë nga qyteti i vogël Malyn afër Kievit. David Ben Gurion, kryeministri i parë i Izraelit, ishte një mik i familjes. Uri Zvi Greenberg (1896 – 1981), mjeshtër i poezisë hebraike dhe fitues i Çmimit Izrael në fushën e Letërsisë (1957), u ftua nga presidenti në “takimin ukrainas” si një yll në shkallë kombëtare. Greenberg kishte lindur në një familje hasidike në qytetin Bilyi Kamin, afër me Zolochiv, në Ukrainën Perëndimore. Një vit më pas, familja u transferua në Lemberg (Leopoli), ku u formua si poet. Këtu, në 1912, botoi poezitë e paraë në hebraisht dhe jidish. Shmuel Yosef Agnon, një mik i familjes dhe nobel i ardhshëm për Letërsinë, edhe ai i lindur në Ukrainë, ishte i shtëpisë. Ditët e kaluar Jeffrey Saks, drejtor i Agnon House të Jeruzalemit, ku shkrimtari fitues i Nobelit ka jetuar dhe punuar për pjesën më të madhe të jetës si tij, ka bërë një takim Zoom me homologun e tij pranë Agnon Literary Center të Buchach në Ukrainë, që po përgatiste valixhet për t’i shpëtuar luftës. Saks, një rabin i rritur në New Jersey, dhe Mariana Maksymiak, një ukrainase johebreje, kanë të përbashkët pasionin për Agnon. Buchach, qyteti ku ka lindur dhe rritur Agnon, ndodhet në pjesën perëndimore të Ukrainës. Agnon e la Buchach në moshën 20 vjeçare, kur emigroi në Izrael. Hebrenjtë e Buchach vuajtën në pushtimin rus gjatë Luftës së Parë Botërore dhe nën pushtimin socjetik nga 1939 deri më 1941, kur e panë jetën e tyre komunitare të mbyllur apo të detyruar të dilnin në klandestinitet.

Më pas qyteti u pushtua nga nazistët dhe e gjithë popullsia hebraike u vra në një seri vrasjesh masive. Sot në Buchach ka një bust të hebreut fitues të Nobelit. Në nderim të Agnon, komuna e Buchach ka kontribuar edhe në financimin e qendrës letrare. Yitzhak Rabin, që do të mishërojë kuintesencën e “sabras”, hebreut izraelian, ishte rritur në Jeruzalem, por në një familje të aristokracisë sioniste të ardhur nga Ukraina. Po nga Ukraina vinte edhe ai që David Ben Gurion e quajtur “burri i vetëm i vërtetë në qeverinë time”. Në të “dielën e gjakut” të 1905, dy vajza 7 vjepare po luanin në një rrugë të Kievit, një fshatar i kapi papritmas, duke ua përplasur kokat njëra me tjetrën. “Kjo është ajo që do t’ju bëjmë hebrenjve, do t’ua përplasim kokat deri sa t’ua çajmë”. Njëra nga këto vajza e mishte kokën e fortë: Golda Meir (atëhere Mabovitch). Nuk qau, nuk i tha asgjë të atit, një zdrukthtar. Në kapitullin e saj të autobiografisë së saj (“Jeta ime”), lexohet: “Duhej të kem qenë shumë e vogël, 3 vjeç e gjysmë apo 4 maksimumi. Atëhere banonim në një shtëpi në Kiev dhe mendoj se kam dëgjuar të flitet për një pogrom që po përgatitej të na binte mbi kurriz. E ulur në shkallë, shtrëngoja duart e një vajze dhe shikonim baballarët tani që nxitonin të barrikadonin hyrjen me copa dërrase. Isha e frikësuar dhe e tërbuar kur zbulova se gjithçka që im atë mund të bënte për të më mbrojtur ishte gozhdimi i katër dërrasave…”. Kur Izraeli ka hapur një spital fushor në Mostyska të Ukrainës Perëndimore, emri që i kanë vënë nuk ka qenë i rastësishëm: “Kochav Meir” (Yll i ndritshëm) edhe në nderim të Golda Meir.

Nga Ukraina vijnë 8 etër themelues të shtetit hebraik që janë të gjithë në bankënotat e shtetit hebraik. Kryeministra si Levi Eshkol e Moshe Sharett, presidentë si Ephraim Katzir, baballarë të sionizmit si Aaron David Gordon (i lindur në Zihtomir); Naftali Hertz Imber, autore i ha-Tikwa, himni kombëtar izraelian, i lindur në ukrainasin Solochiv; shkrimtari i mbijetuar Shoahut Aharon Appelfeld dhe poeti Haim Bialik; themeluesi i Histadruth, sindikatës legjendare hebraike, Avraham Hartzfeld; Yaakov Dori, i lindur në Dostrovsky, komandanti i fundit i Haganah dhe shefi i parë i shtabit të përgjithshëm të ushtrisë izraeliane, Tsahal, të Odesës, shefi i shtabit të përgjithshëm i forcave të armatosura që mundi ushtritë arabe pushtuese kur u krijua shteti hebraik, dhe më pas akoma fshati i vogël Voronkov, ku lindi Sholem Aleichem, romani i të cilit ka frymëzuar muzikalin “Violinisti mbi çati” të modeluar sipas një shtetli në Ukrainë. Në Donjetck, në tokën e separatistëve rusë ku luftohet egërsisht, ka lindur Natan Sharansky, disidenti hebre më i famshëm i epokës sovjetike, “refusnik” që rusët e shkëmbyen në urën Glienicke të Berlinit në këmbim të 2 spiunëve komunistë. Një pjesë e mirë e Izraelit vjen nga atje, nga barku i Dnieprit. Ndërkaq, hebrenjtë ukrainas gjenden sërish në shënjestrën e historisë dhe siç thotë Tevye, qumështshitësi tek “Violinisti mbi çati”, Zoti qoftë me ta.

(nga Il Foglio)

Përgatiti

ARMIN TIRANA

About Redaksia

Check Also

Pse duhet ngritur shtëpia muze për 146 shkrimtarët dhe artistët që u torturuan në burgjet e ferrit komunist

Nga dr. Mujë BUÇPAPAJ studiues i letëesisë  PSE DUHET NGRITUR SHTËPIA MUZE NË NDER TË …

Leave a Reply