Veliaj, 32 milion euro për asfalt elektoral, 104 tendera në 2 muaj

Bashkia e Tiranës ka tenderuar mbi 32 milionë euro nga taksat e qytetarëve për asfalt elektoral në dy muajt e fundit para zgjedhjeve lokale.

Janë gjithsej 104 procedura tenderuese të përfunduara nga bashkia e drejtuar prej Erion Veliaj për asfaltim, rehabilitim, rikonstruksion dhe rikualifikim të rrugëve e rrugicave në cepa të ndryshëm të Tiranës.

Thuajse të gjithë kontratat për asfalt elektoral kanë afat 1-mujor dhe përfundojnë para 14 majit 2023, dita kur shqiptarët do t’u drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur kryebashkiakët e rinj.

Praktika e asfaltit elektoral është përdorur gjerësisht nga socialistët në pushtet gjatë fushatave zgjedhore për pushtetin qendror dhe vendor në vitet e fundit.

Por, fushata me asfalt elektoral e Erion Veliaj kësaj radhe ka tejkaluar çdo shpenzim të ngjashëm në zgjedhjet e kaluara, duke dhënë një sinjal të fortë që ai është më i pasigurt se kurrë për karrigen e kryebashkiakut.

Të dhënat zyrtare tregojnë se tenderat për asfaltim zënë shumicën absolute të procedurave të zhvilluara në dy muajt e fundit nga Veliaj. Janë plot 92 të tilla, me fond limit rreth 11 miliardë lekë të vjetra.

Ndërkohë, në periudhën shkurt-prill 2023 janë mbyllur 10 tendera për rikualifikim urban në rrugë e rrugica të ndryshme të kryeqytetit, me fond mbi 20 miliardë lekë të vjetra.

Gjithashtu, janë përfunduar së fundmi edhe dy procedura për rikonstruksion rrugësh, me fond mbi 2 miliardë lekë të vjetra. Të gjitha procedurat e asfaltit elektoral në Tiranë përllogariten në rreth 35 miliardë lekë të vjetra ose mbi 32 milionë euro, referuar kursit aktual të këmbimit. /Syri.net

About Redaksia

Check Also

KAYO dhe Guna Tactical, 17 milionë euro kontrata nga shteti për uniforma, mjete dhe pajisje ushtarake

Dy kompanitë me kapital shtetëror në ushtri, Guna Tactical dhe KAYO kanë marrë deri më …

Leave a Reply