Thatcher: Kryqëzata ime për tregun
«Në vitet ’70 kuptova se në ndjeshmërinë politike të popullit britanik kishte ndodhur një ndryshim i thellë. Kishte humbur çdo besim tek socializmi, eksperimenti 30 vjeçar qartazi kishte dështuar dhe ishte gati të tentonte diçka tjetër. Ky ndryshim i thellë çoi në mandatin tim»
Mbi cilat ide bazohej ky mandat?
«Jam zgjedhur me një qëllim shumë të qartë: të transformoja Mbretërinë e Bashkuar nga një shoqëri e varur në një shoqëri të vetmjaftueshme, nga një komb “më jep diçka” në një komb “bëje vetë”. Në një Britani të Madhe “ngrihu dhe bëje” në vend të një “ulu dhe prit”. Kur shteti bëhet tejet pervaziv dëgjon që të vlejë gjithnjë e më pak. Shteti e varfëron shoqërinë jo vetëm duke mos i hequr pasurinë, por edhe iniciativën, vullnetin për të përmirësuar dhe rinovuar. Qëllimi ynë ishte të bëhej në mënyrë që njerëzit të dëgjonin se vlenin gjithnjë e më shumë. Detyrë e qeverisë është vetëm ajo që të garantojë një kuadër stabiliteti kushtetues dhe ekonomik. Duhej ta bratisnim idenë e të thënit njerëzve se cilat duhet të ishin ambiciet e tyre dhe si t’i realizonin ato. Thënë me fjalë të varfëra, unë besoj se një njeri ka të drejtë të punojë si të dojë, të shpenzojë atë që fiton, të ketë pronë, me një shtet që i shërben së shërbëtor dhe jo si padron. Ky është thelbi i një vendi të lirë dhe nga kjo liri varen të tjerat. Nuk ekziston liri pa liri ekonomike, por atëhere kur imperativët politikë dhe ekonomikë synojnë në drejtime të kundërta, nevojat ekonomike shkojnë në vendin e parë».
Pse?
«Dobësia ekonomike tërheq pas vetes gjithçka tjetër. Një shembull në këtë drejtim ndodhi me dështimin e ekspeditës së Suezit në vitin 1956, që qe rezultati i dobësimit tonë politik dhe ekonomik sesa një dështim ushtarak, pasi qeveria tërhoqi nga zona trupat e saj fitimtare në përgjigje të një kërcënimi agresioni ndaj stërlinës nga ana e qeverisë së Shteteve të Bashkuara. Megjithatë, cilatdo qofshin shkaqet e kësaj disfate, ajo mbetet gjithmonë e ngulitur në shpirtin e anglezëve, duke deformuar perspektivën tonë mbi vendin që Britania e Madhe zë në botë. Qe kështu që zhvilluam “sindromin e Suezit”: ndërsa më parë ekzagjeronim fuqinë tonë, tani ekzagjerojmë pafuqinë tonë. E vërteta është se, pavarësisht rëndësisë historike të saj, Britania e Madhe gjendet e dobësuar nga rënia ekonomike. Në vitet ’80, falë politikës time, kemi pushuar së qeni e “sëmura e Europës”. Kemi gjetur besim të ri, i lindur nga betejat ekonomike në atdhe dhe të vëna në provë e të verifikuara në vlefshmërinë e saj në 8000 milje distancë».
I referoheni luftës me Argjentinën për ishujt Falkland?
«Po. Asgjë nuk ka mbetur më e gjallë në mendjen time se 11 javët e pranverës së 1982 kur Britania e Madhe fitoi luftën e Falkland. Posti në lojë ishte i lartë: ajo për të cilën luftonim në Atlantikun e Jugut nuk ishte vetëm territori dhe populli i Falkland. Mbronim nderin tonë si komb dhe parimet me rëndësi themelore për të gjithë botën. Sidomos parimit që agresorët nuk duhej kurrë dhe më pas kurrë t’ia arrinin në ndërmarrjen e tyre dhe se e drejta ndërkombëtare duhej të mbizotëronte ndaj përdorimit të forcës. Domethënia e luftës ishte e madhe si për besimin e Brtianisë së madhe në vetëvete, ashtu edhe për prestigjin e saj në botë. Qysh nga dështimi i Suezit, e gjithë politika jonë e jashtme kishte qenë në një tërheqje të gjatë. Bindja e heshtur e qeverisë britanike si e qeverive të huaja ishte se roli ynë në votë ishte i dënuar ta humbiste progresivisht rëndësinë. Fitorja e Falkland e ndryshoi skenën. Disa vite më pas një gjeneral rus më tha se sovjetikët qenë fuqimisht të bindur se ne nuk duhej të luftonim për ishujt Falkland dhe, edhe sikur të kishim luftuar, do të humbisnim. Do t’ju them më shumë: mbështetja unanime ndaj luftës dhe kushtet e lulëzuara ekonomike të vitit 1983 më siguruan fitoren më të lehtë në zgjedhje».
Gjithësesi, fillimisht politika juaj ekonomike pati një kundërgoditje të ashpër ndaj shoqërisë britanike.
«Siç e dini, shoqëria nuk ekziston. Ekzistojnë individët dhe ekzistojnë familjet. Qeveria nuk mund të bëjë asgjë vetëm në mes të personave dhe personat duhet të shikojnë të parat vetëveten. Personat mendojnë shumë për të drejtat pa u kujtuar për detyrimet, pasi nuk ekzison një e drejtë nëse dikush më parë nuk ka respektuar një detyrim. Vendimet që morëm qenë të imagjinuar për t’i dhënë shtytje ekonomisë, duke reduktuar inflacionin dhe peshën e sferës publike, por për momentin mund të parashikohej rënia e bizneseve tashmë në gjendje të keq dhe rritja e papunësisë. Shkurtimet mbi koeficentin e të ardhurave që të kompensoheshin duke i rritur taksat indirekte. Shkurtuam financimet për zhvillimin rajonal, reduktuam shpenzimet për zonat e zhvillimit dhe për investimet publike ndërsa rritëm tiketat për ilaçet. Nëse donim të kanalizonim një sasi më të madhe të kapaciteteve kombëtare në biznesin privat, krijuese e vërtetë e pasurisë, duhet të reduktonim pashmangshmërisht vendet e punës në sektorin publik. Duhej arritur nga 732000 në 630000 punonjës publikë. Nga e majta, “The Guardian” e quajti këtë bilanc, që duhej të ishte vendosur vetëm nga fillimi i legjislaturës kur mandati ishte akoma i freskët, si “mbi bixhozin më brilant politik dhe ekonomik në historinë parlamentare të pasluftës”. Por jo të gjithë kapitalistët kishin besimin tim tek kapitalizmi. Kujtoj një mbledhje me disa ekspertë të City: kishin mbetur të befasuar nga dëshira ime për t’i çliruar tregjet e tyre. “Mjaft”, mu tha. Dukshëm një botë pa kontrolle valutore, ku lëvizjet e kapitalit qenë të përcaktuara nga tregjet në vend se të qeverive, i linte të habitur».
Pse e gjitha kjo rezultoi kaq novatore?
«Sepse deri më atëhere, nën influencën e Keynes, mendohej se shteti mund të çlirohej nga limitet të cilat kishte vendosur në vend të jetës së individëve, familjeve dhe bizneseve. Në mënyrë të veçantë, teksa për një familje të shpenzohej gjithnjë e më shumë nga sa fitonte nënkuptonte shkatërrim, për shtetin, sipas një doktrine të re ekonomike, ishte rruga për mirëqenien. Ekzistonte ideja thuajse e pranuar universalisht se shpenzimi publik ishte moralisht dhe praktikisht e preferueshme ndaj shpenzimit privat pasi e drejtuar për objektiva më të larta dhe të zgjedhur më racionalisht. Nuk kisha lexuar në faqe të vetme të Milton Friedman apo të Alan Walters, por e dija tashmë se këto pohime nuk mund të qenë të vërteta. Kursimtaria ishte një virtyt dhe shpërdorimi një ves. Buxheti i famshëm i 1981 bazohej mbi kuptimin e kësaj të vërtete. 364 ekonomistë që botuan një deklaratë ku sulmohej strategjia e adoptuar prej nesh nuk kishin dyshime se përfaqësonte një sfidë ndaj ortodoksisë mbizotëruese».
Domethënë?
«I referohem ortodoksisë laburiste që lavdëronte planifikimet dhe rregullimet, kontrollet dhe subvencionet. Vizioni i saj për të ardhmen ishte ai i një Britanie të Madhe si rrugë e tretë midis kolektivizmit të Europës Lindore dhe kapitalizmit amerikan. Në këtë ortodoksi bënte pjesë edhe pushteti i tepruar i sindikatës, një prej tre baluardëve, me Partinë Laburiste dhe administratat lokale, të së majtës së pandalshme».
Për këtë qe e pashmangshme larja e hesapeve me sindikatën e minatorëve?
«Pas fitores elektorale të 1983 dhe humbjes më shkatërrimtare të shkaktuar ndonjëherë socialdemokracisë në Britaninë e Madhe ishte e parashikueshme që t’i takonte sindikatës kombëtare të minatorlve, e udhëhequr nga presidenti marksist i saj Arthur Scargill, të furnizonte trupat sulmuese për sulmin. Qe një vendim i gjatë dhe i ashpër ku u ndodhëm përballë tentativës për ta zëvendësuar ligjin e rrugës me atë të shtetit. Vendimi mbi puset antiekonomike ka qenë në realitet një grevë politike rezultati i së cilës kishte një domethënie që e kalonte sferën ekonomike. Nga viti 1972 deri më 1985 opinioni i zakonshëm ishte se Britania e Madhe mund të qeverisej vetëm me konsensusin e sindikatave. Qeveria nuk do të mund t’i rezistonte një greve dhe në veçanti një gereve minatorësh. Marksistët donin ta sfidonin ligjin për t’i përmbysur ligjet ekononmike, por dështuan».
Fillimisht vizioni i juaj u sulmua edhe nga shumë konservatorë.
«Është e vërtetë. Sigurisht që nuk duhet harruar se Partia Konservatore në termat e politikës ekonomike ishte ambivalente. Në linjë parimore, retorikisht dhe nga opozita, predikonte ungjillin e biznesit të lirë me shumë pak kufizime, por në sjelljen e saj politike, sidomos në qeveri, Partia Konservatore nuk bëri kurrë një tentativë serioze për ta kthyer marshimin e gjatë drejt së majtës. Rezultati qe se laburizmi e shtynte Anglinë drejt një shtetarizmi më të madh; konservatorët nuk tërhiqeshin; qeveria e ardhshme laburiste e shtynte vendin ende më majtas. Konservatorët luftonin bustin e socializmit, por nuk e hiqnin kurrë. Për sa më përket isha për disa konservatorë të gardës së vjetër një fyerje, në shumë aspekte. Jeta ime nuk ishte ajo tipike e një kryeministri konservator tradicional dhe për këtë isha edhe më pak e frikësuar nga rreziqet e një ndryshimi. Kishte njerëz në partinë time që besonin në politikën e konsensusit. I konsideroja si kuislingë: tradhëtarë. Këtë e them me të vërtetë. Unë nuk jam politikane që kërkon konsensusin. Jam një politikane që bazohet tek bindja. Megjithatë, sipas përvojës time, shumë politikanë me të cilët jam gjetur duke trajtuar i zbulojnë pikërisht këtp karakteristika që kërkojnë t’ua atribuojnë grave: kotësi dhe paaftësi për të marrë vendime të vështira. Lidhur me këtë më vjen të them se në politikë nëse do që diçka të thuhet, pyete një burrë; në rast se do që diçka të bëhet, pyete një grua. Natyrisht që në sytë e këtyre konservatorëve që ju kundërviheshin shkurtimeve, unë nuk isha vetëm një grua, por ajo gruaja, një njeri që nuk ishte vetëm me seks ndryshe, por i një klase ndryshe, një njeri i bindur që vlerat dhe virtytet e klasës së mesme angleze do të mund të zgjidhte problemet e krijuara nga politika e konsensusit e establishmentit. Më në përgjithësi është e drejtë të kujtohet se kolegët e mi më të moshuar qenë ndoshta tejet të prirur ta pranonin Partinë Laburiste dhe sindikatat si interpretues autentikë të dëshirave të popullit. Për ta kapitalizmi ishte diçka e huaj dhe e ashpër; për mua familjar dhe kreativ. E ndjeja se nuk kisha nevojë për interpretues për t’ju drejtuar njerëzve që flisnin të njëjtën gjuhë timen. E ndjeja si ishte një avantazh të jetuarit si ta».
Forca e klasës së mesme…
«Jam rritur në një familje as të varfër, as të pasur, duhej të bënim ekonomi të përditshme për të gëzuar ndonjë luks të rastësishëm. Përvoja e tim ati si shitës ushqimoreje nganjëher është cituar si baza e mendimit tim ekonomik. Është e vërtetë. Faktikisht ia detyroj gjithçka tim ati dhe është thellësisht interesante për mua që gjërat i kam mësuar në një qytet të vogël, Grantham, qyteti im i lindjes, në një shtëpi shumë modeste, janë saktësisht ato që, besoj, se kanë shërbyer të fitohen zgjedhjet. Përpara se të lexoje një rresht të vetëm nga ekonomistët e mëdhenj liberalë, e dija tashmë nga shpjegimet e tim ati se tregu i lirë ishte si një sistem i madh i brendshëm nervor, që ju përgjigjej ngjarjeve dhe sinjaleve të të gjithë botës për të lotësuar nevojat gjithnjë të ndryshueshme të njerëzve, me një lloj indiference dashamirëse për kushtet sociale të tyre. Faktikisht ishte pajisur qysh nga fëmijëria e vizionit mendor, e instrumentave të analizës ideale, duke filluar nga një mendje logjike dhe po aq prozaike, për të rindëtuar një ekonomi të shkatërruar nga socializmi i shtetit».
Ju keni thënë se jeni bijë e Luftës së Dytë Botërore. Çfarë do të thotë?
«Jeta ime, si ajo e shumicës së popullsisë të planetit, u transformua nga Lufta e Dytë Botërore. Nga dështimi i tentativave të paqëtimit nxorra leksionin se agresionit i duhet rezistuar gjithmonë me vendosmëri. Por si? Kombet e dobëta nuk do të mund t’i rezistonin në mënyrë efikase Hitlerit dhe praktikisht këto kombe nuk mund ta përmbanin atë. Kështu nga Lufta e Dytë Botërore nxorra një mësim tejet ndryshe nga ajo e armiqësisë e demonstruar nga disa shtetarë europianë. Mënyra ime e të shikuarit ishte dhe është akoma tani se një internacionalizëm efektiv mund të ndërtohet vetëm nga vende të forta. Këto ide u bënë për mua bindje të patundura kur, përballë kërcënimit sovojetik, institucione si NATO, që përfaqësonin bashkëpunimin ndërkombëtar midis shteteve kombëtare të forta, u demonstruan tejet efikase për t’i rezistuar këtij kërcënimi që jo institute si Kombet e Bashkuara, që mishëronin një internacionalizëm sipërfaqësisht më ambicioz, por në realitet më i dobët».
Në këtë pikë është e pashmangshme të mos përmendet tema e integrimit europian.
«Nuk besoj se shtetet kombëtare do të zhduken në Europë, por jam e bindur se kush merr pjesë në jetën politika kombëtare duhet të punojë në kontakt të ngushtë me kolegët e vendeve të tjera me të njëjtat tendenca, më shumë nga sa nuk ka ndodhur tani. Megjithatë e quaj faktin që dalja ime nga Downing Street në 1990 më ka penguar ta përballoj problemin e ndryshimit të shpejtë të skenës europiane. Kisha paralajmëruar tashmë, në 1988, kundër tentativave për të futur vendet me një lloj identikiti të personalitetit europian. Kur presidenti i Komisonit Europian Jacques Delors tha se donte që Parlamenti Europian të ishte trupi demokratik i komunitetit, që Komisioni Europian të ishte ekzekutivi dhe që Këshilli i Ministrave të ishte senati, përgjigja ime ka qenë një e vetme: “Jo. Jo. Jo”. Një Europë demokratike e shteteve kombe mund të jetë një forcë lirie, biznesi dhe hapjeje tregëtare, por nëse krijimi i Shteteve të Bashkuara të Europës do t’i tejkalojë këto objektiva, atëhere Europa e re do të jetë Europa e subvencioneve dhe e proteksionizmit, por mbetem besimplotë mbi përjetësinë e centralitetit të kombeve pasi gjendja shpirtërore popullore, jo vetëm në Britaninë e Madhe, po shkëputet nga burokracitë e vjetëruara, duke synuar në rikuperimin e identiteteve lokale dhe kombëtare të rrënjosura në histori».
Si lindi sintonia juaj me Reagan?
«Kur ishte guvernator i California kisha lexuar shumë prej diskutimeve radiofonikë të tij ku kërkonte shkurtime taksash për ta rilançuar ekonominë dhe një mbrojtje të fortë si alternativë ndaj çtensionimit. Isha dakord me të gjithë linjën. Atëhere Reagan ishte likuiduar nga pjesa e madhe e elitës politike amerikane, por jo nga elektorati, si një i izoluar i djathtë për të mos u marrë seriozisht, një argument që e njihja mirë! Vendosmëria jo ndaj Bashkimit Sovjetik qe vendimtare siç e pranoi në 1990 presidenti bullgar Želju Želev kur tha se presidenti Reagan dhe unë kishim meritën që i kishim dhënë lirinë Europës Lindore dhe se askush nuk do ta harronte. Ndoshta vetëm lideri i një vendi të shtypur nga dekada terrori komunist mund të kuptonte se çfarë kishte ndodhur në botë dhe pse. Një transformim i të cilit qe protagonist edhe Gjon Pali i II, zgjedhja e të cilit si Papë e kisha konsideruar gjithmonë si hyjnore pasi kishte ndezur në revolucion në Europën Lindore që tronditi në thellësi Perandorinë Sovjetike, kjo demonstron se nuk duhet të preokupohemi vetëm për të mbrojtur vlerat tona në kuadër të kombeve respektive apo të komunitetit europian. Liria meriton jo vetëm që të mbrohet, por edhe të eksportohet. Nuk duhet të lodhemi së mbrojturi të vërtetën e shoqërisë së lirë dhe duhet të kapim me kurajo rastet që na ofrohen. Nëse jo ne, kush? Nëse jo tani, kur?».
Le të kalojmë tek Italia. Ju i keni takuar shumë herë liderët e Democrazia Cristiana. Çfarë përshtypjesh keni nxjerrë?
«Aldo Moro ishte një figurë e shkëputur, akademike, e së majtës së partisë dhe nuk mu duke se e pashë shumë të bindur për atë që thoshte. Kam pasur biseda të shumta me plakun e madh të politikës italiane, Amintore Fanfani, dhe edhe me një prej ministrave më inteligjentë dhe aktivë të Financave italiane, Filippo Pandolfi. Anasjelltas, më goditi negativisht Giulio Andreotti kur mbështeti një ndërhyrje tronditëse të presidentit francez Valéry Giscard d’Estaing që ishte lëshuar në një mbrojtje të animuar të Keynes për ta refuzuar prerë sistemin e bazuar mbi tregun e lirë, duke e quajtur më kot deflacionist. Ashtu si Giscard, Andreotti nuk i kishte simpatitë e mia. Ky anëtar i domosdoshëm i të gjitha qeverive italiane përfaqësonte një linjë politike që nuk mund ta pranoja. Dukej se kishte një antipati reale për parimet, bile bindjen e thellë që një njeri parimesh të dënohej se ishte qesharak. E shihte politikën si një gjeneral i shekullit të XVIII shikonte luftën: një skenar të gjerë dhe kompleks manovrash parade për ushtritë që nuk do të impenjoheshin kurrë vërtet në luftim. Ndoshta sistemi politik italian kërkonte një talent për gjestet politike të dukshme më shumë sesa një njohje të bindur të realiteteve politike; por unë nuk mund të rrija të dëgjoja pa një lloj përçmimi të caktuar për ata që e praktikonin. Dua të përfundoj duke kujtuar se shumë individë demokristianë mund ta meritojnë respektin dhe mbështejen tonë, nga ata konservatorët kanë pak për të mësuar».
Është folur shumë për raportet e vështira midis të «dy grave të pushtetshme», ju dhe Elisabeta e II. Si i përgjigjeni?
«E takoja Madhërinë e Saj një herë në javë, kryesisht të martën. Ndoshta është e ligjshme të bëhen dy vërejtje mbi këto takime. Kushdo që imagjinon se janë një formalitet i pastër apo një ceremoni e kotë, bën një gabim të rëndë: qenë mbledhje të qeta pune dhe Madhëria e Saj demonstronte një njohje të jashtëzakonshme të problemeve ekzistuese dhe një përvojë shumë të madhe. Pavarësisht se shtypi nuk mund t’i rezistojë tundimit për t’i theksuar kontrastet midis Pallatit Mbretëror dhe Downing Street, e kam gjetur gjithmonë qëndrimin e Mbretëreshës ndaj punës së qeverisë korrekt dhe të interesuar. Natyrisht që duke pasur parasysh rrethanat, historitë mbi mosmarrëveshjet e supozuara midis dy gravë të fuqishme qenë tejet bindëse sepse nuk gjendej asnjë i gatshëm t’i shpikte. Kështu në periudhën që mbeta në pushtet shkruan ka mundësi më shumë budallallëqe mbi të ashtuquajturin faktor femëror se mbi çdo argument tjetër. Lidhur me këtë më është pyetur shumë herë sesi ndjehej të ishte një kryeministre femër. Gjithmonë i jam përgjigjur: “Nuk e di, nuk e kam eksperimentuar kurrë alternativën”».
Për ju ka qenë e vështirë të pranonit mosbesimin e partisë tuaj dhe daljen nga skena si kryeministre?
«Po, jam dorëhequr pasi partia nuk më ka rinovuar besimin. La ndodhur pikërisht teksa fillonte era e re që presidenti Bush e quajti “një rend i ri botëror”. Më 22 nëntor 1990 kam mbajtur fjalimin tim të fundit si kryeministre në Dhomën e Komuneve. Kjo nuk është thjesht një institucion legjislativ si një tjetër. Në raste të veçanta bëhet një mënyrë thuajse mistike qendra e ndjenjës kombëtare; nuk qeshë e vetma të provoja të njëjtën emocion të thellë atë pasdite. Kujtoja rolin të pasur prej meje në përfundimin e Luftës së Ftohtë dhe në rilindjen e vetëdijes së fatit të këtij vendi. Shekujt e historisë dhe të përvojës janë të garantuar nga fakti se duhen mbrojtur parime, rreshtuar për të mirë dhe mundur të keqes, Britania e Madhe do të ngrihet në armë».
(nga La Lettura)
Përgatiti
ARMIN TIRANA