Kur llogaridhënia shndërrohet në tallava

Nga Elona CASLLI

Çdo shqiptar në të përditshmen e tij kryen një punë të caktuar që i mundëson pagesën e faturave në fund të çdo muaji. Çdo shqiptar jep llogari apo i kërkon llogari dikujt në të përditshmen e tij.

Në çastin kur je i punësuar nga dikush, i jep llogari punëdhënësit tënd. Në çastin kur je i vetëpunësuar i kërkon llogari dhe i jep llogari vetes. Në çastin kur ke punësuar dikë i kërkon llogari atij mbi ecurinë e një pune të caktuar. Pra, askush nuk shpëton nga llogaridhënia.

Nëse unë në të përditshmen time, teksa do të më duhej të raportoja mbi ecurinë e një projekti përballë punëdhënësit tim, do t’i thoja këtij të fundit se nuk kisha përgatitur asnjë raport, por kisha vendosur të këndoja një këngë, do të pushohesha nga puna me shikim. E theksoj, do të mjaftonte vetëm shikimi i punëdhenësit dhe asgjë më shumë për të humbur vendin e punës nëse në vend të llogaridhënies, do të këndoja një kënge.

Mora shembullin personal duke qenë krejt e vetëdijshme se nuk është veçse shembulli im personal, por shembulli i shumë shqiptarëve të tjerë.

Gjendemi përballë Partisë Socialiste e cila qeveris vendin prej tetë vitesh dhe po zhvillon fushatën e zgjedhjeve vendore. Në një situatë normale duhet të kishim nga kjo parti një proces llogaridhënieje i cili duhet të konkretizohej në një raport ku pasqyrohen premtimet e mbajtura në dy mandate dhe premtimet për mandatin e tretë.

Nuk ekziston asnjë raport i tillë. Ekziston vetëm një tallava shoqëruar me kërcime të deputetëve me popullin që trajtohet si dordolec propagande. Deputetet bëjnë llaç, hipin në traktor, punojnë tokën, hanë qofte, këndojnë dhe kërcejnë. Pra, deputetët rilindas bëjnë gjithçka veç llogaridhënies.

Tasksapaguesit shqiptarë, që janë punëdhënësit e forcës qeverisëse, duhet të kuptojnë se tallavaja është proces i mirëfilltë poshtërimi për çdo shqiptar.

Është koha që tallavaja të ndëshkohet me votë. Është koha t’i thuhet ” Stop” poshtërimit. Është koha të rifitohet dinjiteti qytetar.

Post Scriptum- Vota kundër tallavasë është dinjitet.

About Redaksia

Check Also

Kur mediat nuk kanë interesin publik primar, por pagesat nga inceneratorët…

Nga Adriana KALAJA Sot gjithë mediat që paguhen nga inceneratorët, dhanë lajmin e dosjes së …

Leave a Reply