Për deputetin demokrat Tritan Shehu akuza se Opozita po blen vota ëshhtë një akuzë qesharake e tragjike! Ndërsa arrestimi i kandidatit të saj në bashkinë e Himarës, Fredi Bejleri është një ngjarje alarmuese.
“Opozita po blen vota- akuzë qesharake e tragjike! Pamje alarmuese ato të “rrëmbimit” mbrëmë nga policia të kandidatit në Himarë.
Imitim qesharak i veprimeve anti-terroriste, diku në Botë! Pikërisht për të fshehur deformuesit e vërtetë të demokracisë, për të hequr vëmendjen nga e vërteta:
Blerjen e votave, presionet mbi administratën e biznesin, njerëzit në tërësi, “investimet” korruptive elektorale, etj, vepra anti-ligjore të këtij regjimi.
Pse nuk hetoni në Qarkun e Gjirokastrës? Kemi deklaruar disa herë shkeljet! Në Libohovë pa asnjë tabelë, transparencë, hidhet një pseudo-asfalt, nga një kompani që nuk do të identifikohet. Por thuhet “Kapllani”!
Po kështu edhe në Gjirokastër vijnë makina me beton pa asnjë kriter … E njëjta gjendje në Përmet, Këlcyrë, Memaliaj, etj… A nuk është kjo një tentativë “blerjeje” votash?!
Me çfarë fondesh e projektesh këto? Kush paguan e kush po vjedh këtu?! Opozita po i bën? Ashtu si po ndodh edhe me para të “thata”, por asnjë hetim nuk ka.
Në Memaliaj ndalohen aktivistë të opozitës vetëm se po bëjnë fushatë normale… E më tej, policia në komunikatë falsifikon realitetin. Janë publike këto, por asgjë më tej, askush nuk lëviz nga organet, që duhej.
Ndërsa sot pashë një “aksion” të tillë qesharak në pamje, por tragjik në përmbajtje për katandisjen e nivelit të shtetit ligjor. Keq përdorimin ekstrem të tij.
Megjithatë askush nuk mund ta ndryshojë rezultatin e 14 Maji. Fitoren e Opozitës, Koalicionit tonë, të PD në qendër të tij!”, shprehet ligjvënësi demokrat, Tritan Shehu në reagimin e tij përmes rrjeteve sociale.