Buletini i tenderave për këtë të hënë:
– Pasi u morr vendimi për ndërtimin e pistës së makinave në Elbasan “Auto Moto Park”, pasi u pagua për projektin, pasi u shpall fituesi për të kryer punimet, pasi Fondi Shqiptar i Zhvillimit po shpenzon 9 milion euro për infrastrukturën ndihmëse të pistës, Drejtoria e Shërbimeve të Transportit Rrugor “kujtohet” që projekti nuk ka studim fizibiliteti dhe plan biznesi. Tenderi është hapur dhe shërbimet e kësaj konsulence do të kushtojnë afërsisht 180 mijë euro.
– E njëjta kompani (Univers Servis) që kishte shërbimin e lavanderisë në Spitalin e Durrësit fiton tenderin e radhës për 3 vitet e ardhshme. Në vitin 2020 e njëjta kompani ofroi shërbimin me çmimin për njësi 297 lekë me tvsh. Këtë herë edhe pse volumi ishte më i madh, çmimi ishte 403 lekë me tvsh. Me këtë vlerë spitalit do t’i leverdiste më mirë t’i blinte çarçafët e rinj, se t’i çonte t’i lante. Tenderi ishte i kufizuar dhe Agjencia e Blerjeve të Përqëndruara vendosi se kush do të merrte pjesë.
Nga statusi i gazetares Ola Xama