Tritoli/ Sipërmarrësi italian ikën nga Shqipëria, iu vu gjobë 100 mijë euro

Në sulmin me lëndë plasëse që u shënua pak ditë më parë në një biznes të një sipërmarrësi italian, Policia duke gjurmuar një djalë të mitur, zbuloi një ngjarje të rëndë kriminale, pas së cilës fshihej një gjobëvënie dhe një kërcënim.

Sipas të dhënave, 16-vjeçari ishte fiksuar nga kamerat e sigurisë teksa kishte kryer aktin, por identifikimi i tij mori disa ditë kohë. Pas shoqërimit të tij, rezultoi se djali ishte një person me precedentë të mëparshëm kriminalë, por për shkak të moshës ai ishte lënë i lirë, fakt ky që sërish mund ta ndihmojë të përfitojë ulje të dënimit të tij.

Pasi adoleshenti është arrestuar, Policia ka mundur të zbulojë mekanizmin me të cilin ai është çuar deri aty për t’i vënë një sasi të vogël eksplozivi biznesit të shtetasit italian që operon në vendin tonë prej shumë kohësh.

I mituri i ka treguar Policisë të gjithë planin që ka zbatuar vetë dhe që pritej të vijohej edhe më pas, për shkak se biznesmeni ka refuzuar t’i japë një gjobë të majme “punëdhënësit” të tij. Ky i fundit është vënë në pranga pas dëshmisë së të miturit, por nuk ka pranuar asgjë nga deklaratat e djalit që e ka “spiunuar”.

Sipas të dhënave, biznesmeni italian ka ikur nga Shqipëria, ndërkohë që ende nuk dihet se si ka nisur përplasja mes gjobëvënësit dhe biznesmenit italian që kishte në vendin tonë një fasoneri, në të cilën punësonte gra shqiptare.

POLICIA PËR ARRESTIMET

Gjobëvënia në vlerën e 100 mijë eurove ka qenë shkaku i vendosjes së eksplozivit në derën e fasonerisë së biznesmenit italian Roberto Del Gaido, në zonën e Freskut në Tiranë.

Sipërmarrësi nuk pranoi të paguajë shumën që i kërkohej nga Edmond Arapi, 46 vjeç, pas mosmarrëveshjeve që dyshohet se nisën për çështjen e fasonerisë. Policia ka pohuar se 46- vjeçari e ka kërcënuar disa herë Del Gaidon duke i kërkuar të paguante shumën, përndryshe do ta pësonte keq.

Dhe kështu ndodhi në orët e mbrëmjes së 25 majit, kur një shpërthim u regjistrua në hyrje të fasonerisë në rrugën “Fadil Deliu”. Agjentët e Komisariatit nr. 4 arritën të gjurmojnë autorin që vendosi lëndën plasëse dhe bëhet fjalë për një 16-vjeçar, i cili kundrejt pagesës ishte pajtuar nga Edmond Arapi për të vendosur lëndën plasëse artizanale në derën e fasonerisë.

Sipas policisë, dyshohet se 46-vjeçari i ofroi të miturit shumën e 100 mijë lekëve për të vendosur eksplozivin, pasi një gjë të tillë e kishte bërë edhe më parë. Policia fillimisht arriti në gjurmët e 16-vjeçarit pas këqyrjes së shumë kamerave të sigurisë në zonë, duke i gjetur atij edhe biçikletën dhe rrobat e përdorura në ngjarje.

Ishte i mituri, i cili pas arrestimit u dha detaje hetuesve në lidhje me ngjarjen ndërkohë që menjëherë pas shpërthimit, Edmond Arapi ishte larguar në drejtim të Himarës ku u bë edhe arrestimi i tij.

Gjatë marrjes në pyetje 46- vjeçari ka refuzuar të japë detaje, ndërkohë që hetuesit po kërkojnë edhe dëshminë e sipërmarrësit Roberto Del Gaido, i cili pas shpërthimit në biznesin e tij është larguar në drejtim të Italisë. 16-vjeçari i arrestuar nga policia nuk ishte emër i panjohur për agjentët e Komisariatit nr. 4.

Disa muaj më parë ai u arrestua si autor i vendosjes së lëndës plasëse në një tjetër ngjarje në zonën e Alliasit. Adoleshenti që sipas të dhënave të policisë është banues në Kamëz, pas arrestimit, u la në masë më të butë nga gjykata për shkak të moshës por implikimi në veprën penale të radhës e ka rikthyer sërish në qeli.

Tashmë pritet të merret në pyetje edhe shtetasi italian, për të hedhur dritë mbi gjithçka ka ndodhur mes tyre.

About Redaksia

Check Also

Shpalli ‘non grata’ Berishën dhe liderë konservatorë, por jo Maduron, letra pëvëluese e Rubio për Blinken

Letra e senatorit Marco Rubio dhe kolegëve të tij konservatorë drejtuar Presidentit Biden dhe Sekretarit …

Leave a Reply