Osman STAFA
Kam dashur fort të besoj që PD zyrtare të ishte një frymë ndryshe sa i përket lirisë së fjalës, lirisë së mendimit, lirisë së medias. Përderisa akuzonte PD-në e Berishës, se bënte të kundërtën sa i përket fjalës së lirë. Por ngjarjet e orëve të para të kësaj të mërkure, treguan të kundërtën.
Disa individë mbështetës të Bashës ushtruan dhunë verbale, kërcënime, sharje dhe tentativat për dhunë fizike ndaj gazetarëve pranë selisë së Partisë Demokratike. Këto ngjarje janë një këmbanë alarmi jo më vetëm për lirinë e medias, por edhe për sigurinë fizike të gazetatëve.
Një grup personash të cilët qëndronin jashtë dyerve ku po zhvillohej mbledhja e kryesisë së PD, pasi shanë dhe ofenduar disa deputetë të PD që dolën nga mbledhja, këcënuan gazetarët që të fiknin kamerat, telefonat dhe të mos regjistronin asgjë.
Më pas ata shanë, ofenduan dhe tentuan të dhunojnë fizikisht edhe gazetarët. Të mos kishte qënë për disa individë dashamirës ndaj medias, pjesë e grupit Basha, dhuna fizike ndaj nesh do kishte qënë e paevitueshme.
5 gazetatët që ndodheshin aty disponojnë video dhe incizime audio nga e gjithë skena, për aq sa na u lejua.
Siguria e gazetarëve është rrezikuar seriozisht sot në të gdhirë, ndaj politikanët e lartë të PD duhet urgjentisht të urdhërojnë mbështetësit e tyre që të ndalojnë menjëherë këto sjellje të rrezikshme që dëmtojnë lirinë e medias, dhe vënë gazetarët në rrezik.
Si një gazetar që kam mbuluar prej rreth 5 vitesh ngjarjet në PD, kjo ka qënë hera e parë kur jam ndjerë i kërcënuar, së bashku me kolegët e mi.