Alba KEPI
Dhunë verbale gati fizike, grupe mbështetëse pranë dyerve ku ligjêrisht nuk u takon të hyjnë, pabesi politike, fyerje e sjellje rrugaçerie ndaj gazetarëve që raportojnê të vërteta e votim partiak i komanduar; ky është skenari i mbledhjes që u hap dje dhe u mbyll sot nga ajo brinjë e PD që media e quan Partia Demokratike zyrtare.
Gjithçka ngjan kaq shumë me çka u pa e u dokumentua në shumë qëndra votimi të zgjedhjeve të 14 majit. Çuditërisht!?!
Çka u gatua gjatë këtij viti u vu në pjatë në këtë natë mëngjesi e që vërtetoi se asgjë demokratike e ideologjikisht të djathtë pati në këtë mbledhje e qasje politike.
Mllefe personale, lojë cinike pushtetesh e garë force fizike orientuan me urgjencë ditën e votimit me farsën se fituesi ka dal pa nisur zgjedhjet.
Më shumë mediokre e banale se sa naiv propozimi për të nxjerrë mësime nga analiza e votës së 100 mijë shqiptarëve e që me dashakeqësinë e injorimit fyejnë duke harruar të kujtojnë 500 mijë të tjerë, pra pesë fish më shumë që votuan bashkimin e PD.
Çfarë gatuat gjatë këtij viti vutë në pjatë e përtypët brenda një nate.
Kjo nuk është PD e as platforma ideologjike ku duhet të ringrihet e djathta shqiptare!
Rama nuk mundet me këtë rrugë përkundrazi forcohet.
Pushteti autokratik mundet me ide kombëtare e kjo brinjë e PD që media e quan zyrtare, vërtetoi këtë natë se nuk ka ide e as platformë politike.
Jepini fund kësaj loje shtrigash të komandueshme nga mllefi personal e pabesia e pushtetit.
Kthehuni në shtëpinë tuaj e investoni për ta bërë PD faktor për shpëtimin e kombit.
Integriteti politik nuk dhurohet, fitohet duke i dhënë peshë së pari të vërtetave e 500 mijë votues të djathtë janë një nga të vërtetat thelbësore.
Kush i injoron të ulet tjetërkund!