Nga Enton DOÇI
Lyon
Pamje të tilla me qytete të mbuluara nga tymi jemi mësuar t’i shohim në vende konflikti si Siria, por këtë herë ato vijnë nga Parisi. Janë pasojë e revoltave gjithnjë e më të ashpra e masive, kryesisht nga komunitetet e emigrantëve, për vrasjen nga policia të një adoleshenti me origjinë afrikano-veriore, të zhvilluara për të tretën natë radhazi.
Tepër shqetësues është ky filmim, ku disa të rinj, që siç komentohet në rrjetet sociale janë me prejardhje nga familje emigrantësh shfaqen duke qëlluar në ajër me kallashnikovë nga një automjet në qytetin Ojonaks jo shumë larg kufirit me Zvicrën. Kaosi është shtrirë në çdo cep të Francës. Në mes të Parisit, u sulmuan edhe u grabitën dyqane luksoze.
As kërkesa e faljes nga polici që qëlloi ndaj 17-vjeçarit nuk i shoi zjarret dhe sulmet ndaj policisë që po shndërrohen në normalitet të këtyre protestave. Vetëm në natën e tretë janë arrestuar 667 protestues. Dhuna nuk u ndal pavarësisht angazhimit të 40 mijë policëve shtesë. Në media flitet se qeveria franceze mund të shpallë gjendjen e “shtetrrethimit“ dhe ushtria të marrë nën kontroll rendin publik.
Protestat kanë rezultuar deri më tani me arrestimin e rreth 900 personave. Pas një takimi të dytë krize me ministra të lartë, Macron pohoi se platformat e mediave sociale si Snapchat dhe TikTok luajtën një “rol të konsiderueshëm” në nxitjen e akteve të dhunës gjatë trazirave të kësaj jave.
Macron tha se qeveria e tij do të punojë me kompanitë e teknologjisë për të vendosur procedura për “heqjen e përmbajtjes më të ndjeshme”.
Ai nuk specifikoi përmbajtjen që kishte në mendje, por tha se pret një “frymë përgjegjësie nga këto platforma”.
Një zjarrfikës duke tentuar të shuajë zjarrin e një makine të djegur në Nanterre. 29 qershor 2023.
Autoritetet franceze planifikojnë gjithashtu të kërkojnë, kur është “e dobishme”, identitetet “e atyre që përdorin këto rrjete sociale për të thirrur për trazira ose për të përkeqësuar dhunën”, tha presidenti francez.
Macron tha se një e treta e individëve të arrestuar të enjten mbrëma ishin “të rinj, ndonjëherë shumë të rinj” dhe se “është përgjegjësi e prindërve” që t’i mbajnë fëmijët e tyre në shtëpi.
Deklaratat e liderit francez pasuan natën e tretë të trazirave në të gjithë Francën që kur një oficer policie qëlloi dhe vrau adoleshentin të martën në periferi të Parisit.
Protestuesit ngritën barrikada, ndezën zjarre dhe qëlluan fishekzjarrë ndaj policisë, e cila u përgjigj me gaz lotsjellës, topa uji dhe granata trullosëse.
Qeveria e Macronit ka vendosur 40,000 oficerë për të rivendosur rendin dhe për të bërë arrestime për sjelljen që ai e përshkroi si “të papranueshme dhe të pajustifikueshme”.
Macron nuk shpalli gjendje të jashtëzakonshme, një taktikë e përdorur nga një qeveri e mëparshme franceze në vitin 2005 për të shuar trazirat pas vdekjes aksidentale të dy djemve ndërsa ata iknin nga policia.