“Ta tregoj unë ty kur të takohemi nga afër”.
“Mbaje mend çfarë do të bëj”.
“Ajo që ka ndodhur nuk është asgjë para asaj që do bëj”.
Këto janë disa nga mesazhet që mbërritën në llogarinë e Facebook të Lulzim Majës, të afërmit të dy të dhunuarve Jashar dhe Bilbil Maja nga fisi Rraja ne një lokal në Borizanë të Fushë Krujës.
Përmbajtja e tyre tashmë është në duart e hetuesve të Policisë së Tiranës, ku 43-vjeçari bëri kallëzim. Mesazhet janë dërguar nga disa adresa false, të cilat po verifikohen nga njësia krimeve kibernetike.
Vetë Lulzim Maja mësohet se ka deklaruar se mesazhe të tilla kërcënuese ka marrë edhe para dhunës së ushtruar ndaj dy kushërinjve të tij.
Nisur nga kjo grupi hetimor po heton për veprat penale “Kanosja” dhe “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike”.
Përsa i përket dhunës së ushtruar ndaj Jashar e Bilbil Majës, policia vuri në pranga 4 persona dhe shpalli në kërkim 6 të tjerë, mes të cilëve dhe djalin e ish-deputetit Rrahman Rraja, i cili dorëzoi mandatin si pasojë e kësaj ngjarje.