Berisha: Vota ka vdekur, përballje me protesta të fuqishme për të rikthyer votën e lirinë!

Kryetari i PD, Sali Berisha tha se, në Rrogozhinë u manifestuan të gjitha fenomenet më të shëmtuara antiligjore të farsës së majit 2023. Berisha deklaroi në një konferëncë për shtyp se, vota ka vdekur, përballje me protesta të fuqishme për të rikthyer votën e lirinë.
“U mbyll në Rrogozhinë në mënyrën më kriminale, pasi mandati që ia dhanë qytetarët e Rrogozhinës, kandidatit të ‘Bashkë Fitojmë’, Shkëlqim Hoxha, ia rrëmbyen në mënyrë kriminale dhe antiligjore, institucionet e farsës elektorale.
Ia rrëmbyen pasi rezultati ishte përmbysur nga qendra e paligjshme e ngritur në burgun e Rrogozhinës, qendër të cilën, institucionet e farsës elektorale, e përjashtuan nga gara elektorale, por përsëri nuk shpallën me urdhër të partisë, fitues zotin Shkëlqim Hoxha.
Shkelmuan në mënyrë të padenjë, antiligjore, votën e qytetarëve të Rrogozhinës dhe urdhëruan një proces të ri zgjedhor, në të cilin unë ju them këtu se u manifestuan të gjitha fenomenet më të shëmtuara antiligjore të farsës së majit 2023.
Në rezultatin e mbrëmshëm, qëndron një terror i paparë i ushtruar për një muaj rresht ndaj qytetarëve, ndaj biznesmenëve, ndaj zgjedhësve të Rrogozhinës.
Një terror i të gjitha formave, fiskal, fizik e të tjera.
Në farsën elektorale u konstatuan manipulime të hapëta, fletë votimi të përgatitura paraprakisht, fotografim i fletëve të votimit në qendrën e votimit, votime në grupe, votime familjare, të gjitha format e shëmtuara.
E gjithë kjo farsë u drejtua nga Erion Veliaj, i cili në përfundim të saj, pranoi se shqiptarët nuk na duan. Pranoi se fituan, jo se na duan.
Natyrisht, të mendosh se shtohen votat kur pas skandaleve të tmerrshme si ajo e klanit Rraja, pas skandaleve seksuale të zyrtarëve, të mendosh se shtohen votat pas arratisjes së shekullit, të mendosh se shtohen votat pas shpërthimit të ri të gjirizeve të rinj të aferës më të tmerrshme korruptive, asaj të djegësve, do të thotë të jesh me një koeficient intelektual afër zeros.
Dhe Veliaj nuk bie në këtë pozitë, e thotë haptas me porosi të Ramës, se fituam jo se na duan, por se nuk duan Sali Berishën.
Pra, përsëri i ka tmerrin Berishës.
Dhe në fakt, këtu kanë të drejtë sepse PD opozitë e vërtetë, po u bën autopsinë kësaj kalbësire, po i bën autopsinë këtij regjimi të kalbur dhe po u tregon shqiptarëve se vota në Shqipëri ka vdekur dhe se rruga e vetme për të rikthyer lirinë, votën e lirë, është përballja me protesta të fuqishme me këtë bandë që drejton sot me metodat më mafioze, Shqipërinë dhe shqiptarët.

Ftoj qytetarët të luftojnë dhe të qëndrojnë për liri dhe dinjitet

Me vjedhjen e Bashkisë së Rrogozhinës, Edi Rama dhe Erion Veliaj jo vetëm nuk mbulojnë dot vjedhjen e shekullit, të djegësave, vjedhjen e tmerrshme me Pyllin Orbital, vjedhjet e tyre të tmerrshme që arrijnë në 138 miliardë lekë sipas KLSH, me vjedhje të tmerrshme që vetëm në dogana e tatime arrijnë në 104 miliardë lekë, por përkundrazi ftoj shqiptarët, në emër të shpresës, në emër të besimit të tyre te liria, të ngrihen kundër këtij regjimi, i cili është një armik i egër i qenies së shqiptarëve.
Opozita mbyll sot një etapë, në të cilën ajo nuk gjeti asnjë befasi. Ajo paralajmëroi shqiptarët tre muaj më parë se me Edi Ramën nuk ka zgjedhje. Por paralajmërimi ishte paralajmërim. Faktet, dokumentet, ishte detyrimi i saj t’i paraqiste para shqiptarëve dhe ketë ne e bëmë me vendosmëri gjer ditën e sotme.
Ndaj dhe ftoj çdo demokrat dhe demokrate, çdo qytetar dhe qytetare, që e do këtë vend, që beson se ai dhe fëmijët e tyre meritojnë një të ardhme jo si shtet mafioz, jo si narkoshtet, jo si shtet ku klanet e mafies bëjnë ligjin, asgjë nuk mund të mposhtë vullnetin e atyre që vendosin të luftojnë, të qëndrojnë për liri dhe dinjitet të vetin dhe vendit të tyre”, u shpreh Berisha.

About Redaksia

Check Also

Berisha: Është koha për sulm, t’u dëshmojmë partnerëve tanë se shqiptari i ndershëm nuk ka humbur kurrë besimin tek vota

Lideri i opozitës, Sali Berisha deklaroi se tashmë është koha për sulm, t’u dëshmojmë partnerëve …

Leave a Reply