Konfindustria: Ndërprerja nga BE e 110 mln eurove, ndëshkim për legalizimin e kanabisit!

“Konfindustria kërkon marrjen e masave ndëshkuese të jashtëzakonshme në të gjithë nivelet qeverisëse, përgjegjëse për skandalin e ndërprerjes nga BE për arsye korrupsioni masiv dhe keqmenaxhimi të financimeve dhuratë në bujqësi, agroindustri dhe agroturizëm”. Kjo deklaratë u bë nga Administratori i Përgjithshëm i Konfindustrisë, z. Gjergj Buxhuku.

Ndër të tjera, Konfindustria ka dyshime të forta se përveç arsyeve të dhëna publikisht nga KE për ndërprerjen e financimit prej 110 milionë eurosh për bujqësinë shqiptare, arsye të lidhura me korrupsionin në programin përkatës, “vendimi mund të jetë dhe ndëshkim për ekzekutivin shqiptar lidhur me miratimin e ligjit të lejimit të prodhimit të kanabisit”, thuhet në vazhdim.

Deklarata e plotë të z. Buxhuku, lëshuar sot dhe ku shprehet qëndrimi i Konfindustrisë mbi këtë skandal

“Konfindustria kërkon marrjen e masave ndëshkuese të jashtëzakonshme në të gjithë nivelet qeverisëse, përgjegjëse për skandalin e ndërprerjes nga BE për arsye korrupsioni masiv dhe keqmenaxhimi të financimeve dhuratë në bujqësi, agroindustri dhe agroturizëm.

Skandali në fjalë është provë nga më të rëndësishmet e deritashme për të treguar për qytetarët shqiptarë dhe partnerët ndërkombëtarë për shkallën e efektivitetit të reformës në drejtësi.

Konfindustria vlerëson, se përvec arsyeve të bëra publike nga Komisioni i BE për ndërprerjen e pagesave për IPARD2 në vazhdim si dhe pezullimit të mbi 110 milionë euro financime të IPARD3, vendimi mund të jetë dhe ndëshkim për ekzekutivin shqiptar lidhur me miratimin e ligjit të lejimit të prodhimit të kanabisit.

Vendimi i ndërprerjes së financimeve të BE për programin IPARD u shpall vetëm disa ditë para se Kuvendi i Shqipërisë të miratonte ligjin e shumë kundërshtuar të prodhimit të kanabisit mjekësor.

Në këtë rast Shqipëria mund të ketë marrë edhe paralajmërim të qartë negativ për vazhdimin e negociatave të anëtarësimit në BE.

Konfindustria vlerëson se skandali i korrupsionit dhe i keqmenaxhimit të agjencive qeveritare të financimeve prej qindra milionë euro dhuratë nga BE rrënon imazhin e vendit, prek themelet e demokracisë dhe është me pasoja të rënda për biznesin, fermerët, prodhimin vendor dhe ekonominë kombëtare në afatgjatë”.

About Redaksia

Check Also

KAYO dhe Guna Tactical, 17 milionë euro kontrata nga shteti për uniforma, mjete dhe pajisje ushtarake

Dy kompanitë me kapital shtetëror në ushtri, Guna Tactical dhe KAYO kanë marrë deri më …

Leave a Reply