DEKLARATË PËR MEDIA KRYETARI I FRPD, BESART XHAFERRI
Miku i Ramës, Charles McGonigal sipas New York Times, dhe mediave të tjera me ndikim në Amerikë, do të pranojë fajësinë për të dyja aktpaditë kundër tij.
Si për dosjen e Uashingtonit, që heton raportet e dyshimta me Edi Ramën dhe sekserët e tij, përshirë paktin për të sulmuar kundërshtarin politik Partinë Demokratike, ashtu edhe për dosjen e Nju Jorkut, që ka në qendër lidhjen McGonigal-Deripaska, ish-agjenti i lartë i kundërspiunazhit do të dorëzojë në gjykatë të gjitha dijenitë e tij për çështjet, duke marre mbi vete fajin.
Për Partinë Demokratike, e cila ka qenë e bindur për fajësinë këtu nuk ka lajm. Lajm vazhdon të mbetet fakti që SPAK nuk e konsideron marrjen në hetim të një cështjeje të ndërkombëtarizuar së pari, që përfshin raportet me aleatin tonë kryersor strategjik, SHBA, së dyti, dhe që, së treti çka duhet të ishte konsiderata kryesore e prokurorëve special, përfshirjen e kryeministrit Rama, ministrave, deputetëve etj., në një aferë korrupsioni me disa shtresa, nga ai monetar e deri te ai politik.
Pranimi i fajësisë e bën SPAK-un fajtor për këtë gjumë të gjatë, në një çështje që ka lidhje direkte me qeverinë e Shqipërisë. Krejt ndryshe ka qenë reagimi i institucioneve ligjzbatuese amerikane, që janë angazhuar me hetime nga bregu Lindor në bregun Perëndimor, duke ngritur në këmbë disa degë të Departamentit të Drejtësisë.
Pranimi i fajësisë nga McGonigal dhe mbyllja e dosjes së Uashingtonit, që duhet konsideruar edhe si dosja shqiptare, ia lehtëson punën SPAK, duke e lejuar të përdorë burimet amerikane për implikimet shqiptare në dosjen e agjentit të kundërzbulimit.
Çdo vonesë, tashmë kur gjërat janë të qarta, dhe kur vetë subjekti i hetimit e ka pranuar përfshirjen me Ramën dhe qeveritarë të tjerë shqiptarë, dhe fajësinë në raportet me ta, e bën SPAK të duket si një institucion me agjendë politike.
Më mirë vonë se kurrë, Prokuroria Speciale duhet të kthehet në krye të detyrës, çka përfshin hetimin e korrupsionit deri në majë të pushtetit. Loja me porta të vogla, duke dënuar aktorë të dorës së dytë dhe të tretë, për afera që mund t’i lejojnë dhe iniciojnë vetëm aktorët e dorës së parë, e bën emrin e SPAK të duket si një nga ato targat speciale që ‘çunat e Londrës’ vënë në makinat e tyre.
Me pretendime madhështie, por që janë guaskë e kotësisë.