Laookonti në mesazhet e Kadaresë që priste vdekjen dhe aktualiteti në kohën e monarkut të kohës sonë

Nga Ndriçim KULLA

Legjenda mbi Laokoontin hyn në legjenda më të njohura të mitologjisë antike. Monumenti historik që i bënë ata që e vranë pabesisht është një metaforë proverbiale që tregon si e transformojnë të vërtetën ata që bëjnë krimin.

Për hir të pushtetit dhe lavdisë, varrmihësit e lirisë dhe të së vërtetës, viktimës i bëjnë monument për të përfituar edhe më tej   në vazhdimësi prej së vërtetës së falsifikuar.

Mesazhi i Kadaresë, mbasi lexon poemthin e tij “Laokoonti” të shkruar nën diktaturë është universal.

Monarku i sotëm që sundon në Shqipëri me të drejta të pakufizuara, demokracinë, lirinë politike dhe pluralizmin i ka zëvendësuar me fasadën në kanavacën e pikturës së tij.

Diktaturat përmbysen, por në të vërtetë nuk mund t’u thuash kurrë atyre lamtumirë.

Monarku i kohës sonë të re në Tiranë ka krijuar instrumentet e tij specifikë për ta vrarë demokracinë, pluralizmin dhe kundërshtarët e tij politikë, duke u kompozuar këtyre viktimave statuja të gënjeshtërta politike.

Gjarpërinjtë e kohës antike që mbytën Laokoontin në kohën antike në muret e Trojës, sot i gjën të mëshiruar tek Sorosi dhe rrjetet e tij të pafundme, që me fasadën e një shoqërie të hapur po montojnë dhe mbajnë në këmbë diktaturat e reja, si Edi Ramën në Shqipëri, te kryespiuni FBI-së McGonigal, tek ish-ambasadorja amerikane Yuri Kim, tek ambasadori i sotëm britanik në Tiranë Alastair King Smith dhe mjaft të tjerë që veprojnë me instiktet pickonjëse të gjarprit në politikë.

Shpresoj se lexuesin tim do ta joshë leximi i kësaj pjese të shkëputur nga libri im i suksesshëm “Ylli i Shkrimtarit – një biografi për shkrimtarin Ismail Kadare nga koha e diktaturës dhe deri më sot”, për të kuptuar ngjashmërinë ndërmjet fatit të dikurshëm të shkrimtarit Kadare i cili priste vdekjen e mundshme prej diktatorit komunist dhe fatit të kundërshtarëve politikë të “monarkut demokratik” në Shqipërinë e ditëve të sotme.

Shqetësimi i shkrimtarit për të lënë mesazhe shpjeguese për të vërtetën e vdekjes së tij të mundshme nën regjimin komunist, bëhet edhe më i qartë te poezia “Laokoonti”.

Kjo është në fakt një poemë e fuqishme, të cilën Kadare “pafytyrësisht” siç thotë në rastin e romaneve që i dërgonte për botim si novela, e ka quajtur poezi, se e dinte që nëse do ta quante poemë nuk kishte asnjë mundësi që ajo të botohej ndonjëherë sa kohë ishte në fuqi regjimi komunist.

Arsyeja ishte e qartë: tema e poemës ishte ajo e romanit “Përbindëshi”, që nga ana e tij ishte paraqitur për botim nga Kadareja, “pafytyrësisht” si tregim.

Në poemën “Laokoonti”, të botuar në vëllimin poetik “Koha”, në 1976, Kadare e identifikon veten me Laokoontin dhe u drejtohet pas vdekjes së tij, lexuesve të tij, si atyre shqiptarë ashtu edhe atyre perëndimorë.

Shkrimtari shpresonte se në rast të vdekjes së tij të papritur, kjo poezi do të lexohej ndryshe. Kjo poezi e Kadaresë fillon kështu:

“Më shihni tek mbytem nga gjarpërinjtë

Në muze të Luvrit, në Madrid, në Nju Jork

Para syve tuaj e aparatesh turistësh

Qndra vjet kam që vuaj,

Nga që s’ flas dot.

Si të flas? A mundet një nofull mermeri

Të lëvizë një grimë, të korrigjojë diçka?

Vini re sytë e mi, te zgavrat e thella,

 Një enigmë si amebë të tharë atje ka”.

Përmendja e Luvrit (Parisit), Madridit dhe Nju Jorkut ishte një mënyrë për t’ iu drejtuar perëndimorëve.

Diktatori mund të tregohej aq “zemërgjerë” sa t’ i bënte një monument atij shkrimtarit të parë të vendit, që ishte “martirizuar” për shkak se kishte bërë portretin e tij letrar dhe ky monument do të përjetësonte legjendën e gënjeshtërt të vdekjes së shkrimtarit.

Shkrimtari po iu drejtohej perëndimorëve duke iu thënë: “Regjimi komunist do të më bëjë edhe monument, po ai do të jetë një monument laokoontian. Veprat e mia do t’ i shikoni në libraritë e kryeqyteteve perëndimore, por gjithçka do të jetë e tjetërsuar për shkak të legjendës së gënjeshtërt të vdekjes sime”.

Në monumentin e tij shkrimtari do të paraqitej duke u vrarë nga antikomunistët, “armiqtë e popullit”, siç i quante regjimi. Dhe në këtë monument, ai, shkrimtari do të ishte i detyruar që të luante më në fund pikërisht rolin që donte regjimi, të ishte një shërbëtor i bindur i diktatorit, këtë herë i ngrirë në mermer.

Kjo do të ishte vuajtja më e madhe për shkrimtarin. Prandaj shkrimtari i nxit të gjithë të mos besojnë atë që do të thotë regjimi komunist për vdekjen e tij dhe kur të shohin monumentin për shkrimtarin, të kujtojnë poezinë “Laokoonti” dhe të nxiten të kërkojnë të vërtetën e vdekjes së tij në ato që kishte shkruar ai vetë:

“Një të fshehtë të madhe ndrydh brenda gjoksit

 Para syve tuaj në Paris, në Madrid,

 Ah, do të doja gjarpërinjtë dyfish të m’ i shtoni,

Veç sekretin e madh ta shkarkoja një ditë.

Tek më vini rrotull, unë them me vete

Kaq të verbër jeni sa të mos e ndjeni këtë,

Që ky ngërç e ky ankth në gjithë qenien time

S’ është nga gjarpërinjtë por nga tjetër gjë?

Këto vargje shprehin frikën e shkrimtarit se pas vdekjes së tij do të mbisundonte legjenda e thurur nga regjimi për vdekjen e tij, dhe vetë shkrimtari nuk do të ishte në gjendje të jepte asnjë shpjegim.

Pra, shkrimtari kishte frikë se mos pas vdekjes së tij, ai do t’ i shërbente regjimit komunist aq sa nuk i kishte shërbyer kur ishte i gjallë, duke pozuar i bindur para aparateve fotografike të të huajve që do të vizitonin Tiranën dhe kërkonte që ata të shikonin se shkrimtari i vdekur, po përdorej nga regjimi komunist ashtu siç nuk kishin mundur ta përdornin kur ishte i gjallë.

Shkrimtari kishte frikë laokoontiane se e vërteta e vdekjes së tij nuk do të mund t’ i bëhej kurrë e njohur botës dhe se pas vdekjes ai do të kishte aq mundësi për ta thënë të vërtetën, sa Laokoonti-statujë:

“Mijëra herë në mijëra net e ditë

Të vërtetën e frikshme përsëris pa pushim

Me shpresën e marrë se nga kjo përsëritje

Ndoshta mermeri pëson një ndryshim.

Por s’ ndërron ai kurrë.

Art i skulpturës

Gënjeshtrën mbi mua ka ngrirë përgjithnjë.

I mbërthyer në dëshminë e saj të rremë,

Të vërtetën kujtoj dhe qaj për të”.

I frymëzuar nga vuajtjet e Laokoontit, Kadareja vendos të bëjë diçka që dukej e pamundur për një njeri të vdekshëm, vendos të sfidojë kufijtë e jetës dhe të vdekjes dhe të nisë një mesazh nga pasvdekja që në kohën kur ishte gjallë.

Ajo që dukej e pamundur për çdo njeri, madje për çdo shkrimtar tjetër në Shqipëri, bëhej e mundur për Kadarenë, në sajë të funksionimit të kalendarit të tij të dytë, në të cilin ai ishte tanimë Laookont i vdekur, i përjetësuar në mermer, si një mit i rremë.

Atje ku dështoi Laokoonti, që ishte gjysmëperëndi, ia doli me sukses Kadareja, i cili ia arriti që ta thotë të vërtetën e vrasjes së tij të mundshme që në kohën sa ishte gjallë:

“Si çdo gjë e tmerrshme është i thjeshtë sekreti,

Që brenda boshllëku i gjoksit tim mban.

Afroni, pra, kokat të dëgjoni të vërtetën,

Mua s’më mbytën gjarpërinjtë, por trojanët më vranë”.

Kadareja shpresonte se pas vdekjes së tij të parakohshme këto vargje do të interpretoheshin në mënyrë të tillë që do të kuptohej se atë nuk e vranë antikomunistët, siç do të thoshte legjenda zyrtare, por e vrau vetë regjimi në fuqi. Më tutje, Kadareja-Laokoont damkos konservatorët të cilët kishin ndërmarrë fushatën kundër veprave të tij letrare:

“Ç’përralla kalamajsh, ç’trillim për budallenjtë.

Unë gjarpërinjtë do t’i mbrapsja me një shkelm.

Po ç’t’i bëja fushatës së tradhtarëve kundër meje,

Shantazheve, letrave anonime plot helm”. 

Këtu kuptohet se Kadare bën aluzion për fushatën e kritikave ndaj tij pas botimit të romanit “Dimri i vetmisë së madhe”, si dhe për kritikat që iu bënë pas botimit të poezisë “Pashallarët e kuq”. Kadare e sheh fushatën e kritikave kundër tij, si të tillë që i paraprin vrasjes së tij:

“Ditë e natë e me javë polemika vazhdonte

Nga shtresat e mesme gjer lart në qeveri.

Ishte vjeshtë.

Nën qiellin e hirnosur me erë

Kali i drunjtë përjashta priste në shi”.

“Kali i drunjtë” në këtë rast janë konservatorët, të cilët prisnin që të triumfonin, duke përdorur si kalë historinë e kritikës së romanit të Kadaresë.

Në vazhdim të poezisë “Laokoonti”, Kadare, duke dhënë variantin e tij për vdekjen e Laokoontit, që për shkrimtarin ishte vrarë, kërkon që në rast vdekjeje të tij të parakohshme, lexuesit të shohin këtu një paralelizëm, dhe të kuptojnë se shkrimtari që kur ishte në jetë u kishte dërguar një mesazh për t’ u lexuar pas vdekjes së tij:

“Në burg, me gotën e ujit, në mesnatë

Helmin më dhanë ata të pi,

Ata që ulërinin kundër dhunës dhe shpatës,

Që dinin të kafshonin tamam si gjarpërinj

Në mëngjes që pa gdhirë në breg të detit

Ma hodhën kufomën drejt mbi zhavorr.

Rapsodët aherë anembanë përhapën

Versionin fals të gjarpërinjve hyjnorë”.

Një natë Sigurimi i Shtetit mund të më arrestojë, donte të thoshte shkrimtari me këto fjalë, dhe ky më tepër se arrestim do të jetë një rrëmbim. Nuk do të pranohet zyrtarisht se shkrimtari u arrestua, por do të thuhet se shkrimtari u rrëmbye nga një bandë antikomunistësh dhe u vra prej tyre për hakmarrje, që për regjimin ishin “gjarpërinjtë”.

Kjo thotë Laokoonti-Kadare do të jetë kurorëzimi i fushatës së sulmeve kundër tij:

“Ky ishte mbarimi i polemikës për kalin,

Ju e dini me Trojën ç’ndodhi pastaj.

Tre mijë vjet rresht,

nga muzeu në muzera,

Unë hamalli i mermertë gënjeshtrën mbaj”.

Frika më e madhe e Kadaresë është se do të kalojnë shekuj dhe e vërteta e vrasjes së tij nga regjimi nuk do të merret vesh. Prandaj, Laokoonti-Kadare u drejtohet sa brezave të ardh­shëm:

“Më kanë lodhur shumë, besomëni ca fjalë,

Se kjo peshë e neveritshme gjarpërinjsh.

Ju që gjer në hënë keni shkuar si vallë

S’depërtoni dot gjer në gjoksin tim”.

……………………………………………….

Në pafshi ndonjë ditë të bëhem copëra;

Nga marazi, siç thonë, të plas, t’ia bëj ‘krak’,

Jo kujtimet e Trojës, as gjarpërinjtë monstra,

Por indiferenca juaj

Do të bëhet shkak”.

Poezia “Laokoonti” është në fakt një poemë, qoftë edhe për shkak të gjatësisë së saj. Por Kadare me sa duket nuk ka dashur ta quajë atë poemë, se kështu do të tërhiqte vëmendjen për përmbajtjen e saj, dhe mund të bënte që poema të mos botohej fare.

Në vitin 1976 Kadareja la dhe një mesazh të tretë për shpjegimin e vdekjes së tij të mundshme të parakohshme.

Këtë gjë e bëri te novela “Emblema e dikurshme”, një tjetër roman ky që shkrimtari e paraqiste si novelë. “Emblema e dikurshme” u shkrua në kohën që shkrimtari ishte i mënjanuar në një fshat të largët të Myzeqesë dhe ishte në një gjendje të rëndë shpirtërore, të cilën e kam përshkruar më parë në këtë libër.

Në novelë shqyrtohet një vrasje e vjetër e mbetur e pazbuluar:

Ata i lexuan copat e prera të gazetave të vjetra që flisnin për krimin, por njoftimet e tyre ishin të pakta dhe të turbullta. Krimi kishte ndodhur duke u gdhirë 29 tetori 1943, në një natë me vetëtima.

Rojtari i famullisë ishte gjetur i vrarë në shkallët e saj, goditur në kokë me një hekur të rëndë. Gjithashtu qe dëmtuar bareliefi i shekullit XIV, për shkak të të cilit famullia e braktisur prej kohësh qe shpallur monument kulture.

U dyshua se vrasja kishte lidhje me dëmtimin e bareliefit, por nuk u gjet dot arsyeja. Dyshimet ranë në fillim për një ekspeditë kërkimore të huaj, kombësia e së cilës nuk saktësohej, që po kalonte ditët e fundit në Shqipëri.

Edhe për llojin e ekspeditës njoftimet e gazetave ishin të paqarta. Disa e quanin ekspeditë për kërkime sizmike, disa folkloristike. Në një lajm të mëvonshëm thuhej se dyshimet për ekspeditën u hodhën poshtë krejtësisht, sepse u vërtetua alibia e të katër anëtarëve të saj.

Në të vërtetë asnjë gjë, sipas gazetave, nuk përligjte dyshimet për njerëzit e ekspeditës, përveç faktit që disa kohë më parë ata kishin fotografuar me shumë kujdes bareliefin, që u dëmtua ose u shkul natën e vrasjes.

 – Kurse për pjesën e shkulur nuk thuhet asgjë, – tha ai, duke i zgjatur asaj copën e fundit të gazetës

Ka një paralelizëm mes rojtarit të famullisë dhe shkrimtarit Kadare. Rojtari i famullisë është një simbol për njeriun që mbron vlerat kulturore të kombit. I tillë është padyshim edhe shkrimtari.

Vrasja e rojtarit të famullisë në novelë, shpresonte Kadareja, do të fitonte një simbolikë të re, në rast të vdekjes së parakohshme të shkrimtarit.

Bareliefi i shkulur simbolizon veprat që do të kishte shkruar shkrimtari në të ardhmen, në qoftëse nuk do ta kishin vrarë.

Rrëzimi i alibisë së kapuçonëve të zinj për vrasjen, ka kuptimin se asnjë alibi që mund të përhapë Sigurimi i Shtetit për mospjesëmarrjen e tij në vrasjen e shkrimtarit, nuk do të ketë vlerë, se do të jetë pjesë e legjendës së gënjeshtërt.

Mesazhi për Perëndimin, për popullin, për brezat: “Regjimi kërkon vdekjen time, duan të më vrasin. Në qoftëse vdes para kohe, më ka vrarë Sigurimi i Shtetit”.

Me këtë novelë Kadareja u kërkon brezave të ardhshëm që të mos besojnë në variantin e regjimit në rast të një vdekjeje të tij të parakohshme, por të hetojnë për të zbuluar të vërtetën. Vetë shkrimtari po u le të dhëna të mjaftueshme për të zbuluar të vërtetën.

Në kohën që Kadareja niste mesazhe të tilla, në veprën e tij shfaqet si lajtmotiv nguti i personazheve të gjendur në rrezik, për të lënë mesazhe për të ardhmen. Te “Ura me tri harqe”, murgu Gjon shkruan:

Shpejtoj të shkruaj këtë kronikë, sepse kohët janë të turbullta, dhe e ardhmja është errur si asnjëherë tjetër. Pas ngjarjeve ngjethëse të urës njerëzit dhe ditët vërtet janë qetësuar disi, por diçka tjetër e zezë duket në horizont: shteti turk

Kadareja ka parandjenjën se nuk i mbetet edhe shumë kohë për të shkruar, se i kanoset një rrezik që mund t’ia ndërpresë befas mundësinë për të shkruar duke i ndërprerë vetë jetën. Prandaj shkrimtari lëshon sinjale alarmi njërin pas tjetrit me anë të librave të tij.

A po kërkon ndihmë ai?

Jo, me sa duket. Askush nuk mund ta ndihmonte atë në përballjen e tij me regjimin.

Shkrimtari thjesht kërkon t’ i bëjë brezat e ardhshëm që të kuptojnë atë që ka ndodhur me të.

About Redaksia

Check Also

Tetori bëhet rozë në SIGAL UNIQA/ Paketat më të mira të sigurimit dhe oferta që nuk duhet humbur

Tetori, muaji kushtuar ndërgjegjësimit mbi rëndësinë e kontrolleve dhe parandalimit në luftën kundër kancerit të …

Leave a Reply