Nga Gent STRAZIMIRI
Populisti pro-Putin, Robert Fico, është zgjedhur dje nga slovakët të drejtojë Slovakinë për 4 vitet e ardhëshme.
Kjo ka alarmuar Bashkimin Evropian që shpresonte në fitoren e kryeministrit aktual, të konsideruar pro-perëndimor, anti-putin.
Alarmi vjen për shkak se Fico, një ish-anëtar i Partisë Komuniste çekosllovake që në moshë të re, përgjatë 3 zgjedhjeve të njëpasnjëshme si kryeministër socialist i Slovakisë, u detyrua të dorëhiqet në 2018 pas një serie skandalesh seksuale, korruptive deri dhe vrasjeje, nga presioni popullor në sheshe protestash.
“Pika që derdhi gotën” ishte ekzekutimi mafioz i një gazetari investigativ së bashku me të shoqen, ndaj të cilit Robert Fico kishte shprehur publikisht të gjithë armiqësinë e tij personale, duke akuzuar në mënyrë të përsëritur atë dhe kolegët e tij denoncues të korrupsionit si “armiq të Slovakisë”.
Shkak u bënë veç të tjerash edhe një sërë denoncimesh konkrete e artikujsh investigativë që denonconin korrupsion në Ministrinë e Jashtëme të Slovakisë, që në atë kohë drejtohej nga Miroslav Lajçak.
Shqetësimi i BE për zgjedhjen e slovakëve, lidhet më së shumti me politikën e jashtme të Robert Fico, dhe linjën e tij anti-evropiane, pro-putin, pro- Vuçiç, dhe së fundmi anti-Ukrainë.
Në fakt Fico e mbështeti fushatën e tij, që rezultoi fituese, mbi ndërprerjen e ndihmave për Ukrainën dhe frenimin e aleancës me SHBA, të cilën e konsideron shfrytëzuese të Slovakisë në funksion të interesave të saj imperialiste e anti-ruse…
Shqetësimi i kancelarive evropiane për shkarjen e Slovakisë nën orbitën ish-sovjetike, është krejt i ligjshëm për të gjitha arsyet më sipër, por kjo ka ndodhur nën drejtimin e Miroslav Lajçak, një bashkëmoshatar dhe bashkëudhëtar politik i Ficos, që në antarësimin si 20 vjeçarë në ish- Partinë Komuniste Çekosllovake…
Gjatë 3 mandateve të qeverisjes, “putinizimi” i Robert Ficos dhe politika e tij e jashtëme pro-putin kanë qenë në qendër të vëmendjes së mediave dhe kancelarive evropiane, ndërsa në krah të tij, gjithmonë ka qenë as me shumë e as më pak se Miroslav Lajçak, shefi i tij i diplomacisë dhe mbrojtës publik i zgjedhjeve të tij anti-euroatlantike.
Me pak fjalë, aty ku lind një “Putin” nuk mund të mos ketë një “Lavrov”!
Nuk ka asnjë dyshim se “Putini” slovak Robert Fico, është krejt i papërshtatshëm për të drejtuar në këtë moment një nga vendet kufitare me Ukrainën, anëtar i NATO-s e, për më tepër i vijës së parë mbrojtëse të perëndimit, veçanërisht për shkak të linjës së tij anti-perëndimore në politikën e jashtëme.
Mbetet ende e paqartë se përse “Lavrovi” i tij, Miroslav Lajçak, është personi i përshtatshëm (?!), i përzgjedhuri nga perëndimi (?!), për të drejtuar procesin e negociatave Kosovë – Serbi, të cilat duhet të parandalojnë një skenar ukrainas, dhe të japin një zgjidhje të qëndrueshme, pro-perëndimore dhe anti-Putin…
“Putini” Robert Fico si kryeministër i Slovakisë shkakton alarm demokracie e stabiliteti në Evropë sepse konsideron zgjidhje të konfliktit të perëndimit me Putinin, sanksionimin e Ukrainës dhe jo të agresorit rus!!!
“Lavrovi” i tij, Miroslav Lajçak, që konsideron zgjidhje të konfliktit në Kosovë, sanksionimin e Kosovës dhe jo të agresorit putinist serb, përkundrazi, ka të gjithë besimin e Evropës dhe të SHBA, “me bindjen e plotë” se do të gjejë një zgjidhje pro-perëndimore e anti-Putin, për parandalimin e “ukrainizimit” të Ballkanit… (?!)
Ky konstelacion amoral që logjika demokratike e standardeve dhe parimeve të shoqërive të lira nuk e shpejgon dot, dilemën e deritanishme “a ka një qëndrim të qartë të BE dhe NATO”, e thjeshton në “a ka më BE dhe NATO”…?