Drejtori i shitjeve të helikopterëve në Moskë u emërua pronar i një firme misterioze skoceze që paguante për akses në Uashington
Në mars të vitit 2018, në mes të mandatit të Donald Trump si president, faqja investigative Mother Jones botoi një artikull që shkaktoi polemika të mëdha në politikën shqiptare dhe që tronditi skenën e lobimit amerikan, shkruan Finance Uncovered.
Artikulli detajonte se si në vitin 2017 një firmë fasadë e panjohur skoceze i kishte paguar 150,000 dollarë një biznesi lobimi në pronësi të ish ndihmësit të fushatës së Trump dhe aktivistit veteran republikan, Nick Muzin.
Paratë, deklaroi Muzin, llogariteshin si një pagesë “agjenti të huaj” sipas rregullave të SHBA-së, sepse Biniatta Trade LP me qendër në Edinburg e kishte punësuar për të lobuar për Partinë Demokratike të Shqipërisë (PDSH), opozitën e djathtë populiste në Tiranë.
Më pas, Muzin organizoi një sërë eventesh në SHBA për të ndihmuar në ngritjen e profilit të liderit të partisë, Lulzim Basha, një fans i vetëshpallur i Trump, i cili, me ndihmën e Muzinit, huazoi shumë nga teksti i fushatës së presidentit amerikan
Basha takoi një sërë kongresmenësh republikanë, të paraqitur në një profil dashamirës në Breitbart News dhe madje mundi të rrëmbejë një mundësi për foto me presidentin Trump. Kreu i PDSH-së më pas e përdori atë foto si pjesë e përpjekjes së tij për të udhëhequr partinë e tij në pushtet në zgjedhjet parlamentare të 2017 nën sloganin “Make Albania Great Again”.
Artikulli i Mother Jones shkaktoi polemika, jo vetëm për shkak të personazheve të përfshirë, por edhe sepse, mes shqetësimeve në rritje për përpjekjet e mbështetura nga Kremlini për të ndikuar në politikën e SHBA-së, ai spekuloi se edhe kjo pagesë, e bërë nga Biniatta Trade, mund të kishte ardhur përfundimisht nga Rusia.
Pagesat për lobistët amerikanë nga aktorë të huaj politikë janë të rregulluara rreptësisht sipas Ligjit të Regjistrimit të Agjentëve të Huaj (FARA) dhe të gjitha duhet të deklarohen publikisht në dosjet në Departamentin e Drejtësisë.
Megjithëse Biniatta Trade u emërua nga Muzini, ishte një enigmë: askush nga kompania nuk punonte në adresën e saj zyrtare në Edinburg, e cila ishte gjithashtu shtëpia e qindra firmave të tjera fasadë; dhe firma kontrollohej nëpërmjet dy kompanive të para të regjistruara në Belize, një nga parajsat kryesore për fshehtësinë në botë.
“Kush qëndron pas Biniatta Trade, kompania skoceze fasadë?” pyeste artikulli i Mother Jones. “Kjo është zemra e misterit.” Disa nga të dhënat që gjetën tregojnë në një drejtim: “A e përdorën rusët sistemin politik të SHBA-së për të nxitur mosmarrëveshjet politike në Ballkan?”
Pretendimet se burimet ruse financuan PDSH-në kanë qarkulluar për Bashën dhe partinë e tij që atëherë. Vitin e kaluar, zyrtarët amerikanë me akses në raportet e shërbimeve sekrete u thanë gazetarëve nga AFP newswire se Rusia shpenzoi rreth 500,000 dollarë për të mbështetur në fshehtësi partinë në vitin 2017.
Në rrjetet sociale, Basha u përgjigj: “Partia Demokratike nuk ka marrë kurrë asnjë financim të huaj, aq më pak nga një burim rus”.
Po kështu, PDSH ka mohuar çdo lidhje me Biniatta Trade, duke e quajtur artikullin e Mother Jones të vitit 2018 “shumë absurd”. Ndërkohë, Muzin thuhet se ka thënë në atë kohë, se besonte se Biniatta Trade ishte një kompani private në pronësi të mbështetësve të PDSH-së.
Por tani një hetim nga FU, BBC dhe Seychelles Broadcasting Corporation për përdorimin e partneriteteve në Mbretërinë e Bashkuar nga figura të dyshimta në ish-Bashkimin Sovjetik mundet të zbulojë njeriun pas Biniatta Trade./Syri.net