Nga Gent STRAZIMIRI
E majta italiane i ka një borxh të madh të majtës evropiane, sepse në vitin 1991 u bë ajo garantja pranë Partisë Socialiste Evropiane, si dëshmitare e rreme, se stalinistët shqiptarë ishin kthyer brenda natës, me një firmë, nga stalinistët e fundit më fanatikët në planet, në “socialistë” modernë evropianë…
Gianni De Michelis, në atë kohë ministër i jashtëm i Italisë, u bë edhe anëtari i parë i saj duke marrë me ceremoni edhe “teserën numër 1” të partisë që ndërroi emrin për herë të tretë gjatë ekzistencës së saj gjakatare.
Me këtë akt, e majta italiane vrau njëherë e përgjithmonë çdo shpresë, se në Shqipëri do të mund të lindte një ditë vërtetë një forcë e majtë progresiste.
Kjo fletë e daktilografuar me të njëjtën makinë shkrimi që shtypte aktet e dënimit, dëbimit, internimit të një kombi të tërë, është dëshmia se PPSH, besnikja e fundit e Stalinit dhe stalinizmit, “vazhdon aktivitetin e saj nën emrin Partia Socialiste e Shqipërisë”.
Izolimi i PPSH, strehës së fundit të stalinistëve dhe enveristëve evropianë, pavarësisht si dhe sa e ndërron emrin, është një detyrim që e majta evropiane ia ka borxh kujtimit të Sandro Pertinit, Enrico Berlinguer, Willy Brandt, Altiero Spinellit e të gjithë “euro-komunistëve” të cilësuar me të drejtë si “anti-komunistë” nga stalinisti Enver Hoxha.
Ia kanë borxh edhe social-demokratëve shqiptarë, të martirizuar për bindjet e tyre të majta anti-komuniste si Musine Kokalari, Ali Këlcyra, Mid’hat Frashëri e mijëra patriotëve shqiptarë që për bindjet e tyre sociale e politike, shkrinë pasurinë madje edhe jetën për të ndihmuar atdheun dhe bashkëatdhetarët e tyre në nevojë.
Që ëndërronin një Shqipëri me një shtet social siç ende nuk ekzistonte kërkund as në Evropë.
Ata patën qartësinë ta identifikojnë stalinizmin si një të keqe absolute, anti-njerëzore sepse ishte anti-liri madje më tepër edhe se fashizmi, më shumë se dy dekada përpara së majtës evropiane, e cila edhe pas fjalimit të Hrushovit në Kongresin XX, refuzonte të zgjohej e të shihte me sy realitetin e krimeve staliniste.
Nuk ka dhe nuk mund të mbijë asnjë grimcë “sociale”, në një grupim kriminal – terrorist që qëllim themelimi ka patur luftën ndaj lirisë së individit, e që ende sot krenarisht, pa asnjë pendesë, me shkrim dhe me vulë deklaron se “vazhdon veprimtarinë dhe marrëdhëniet e saj me emrin Partia Socialiste e Shqipërisë”.
E majta italiane duket se është zgjuar! Të shpresojmë se do zgjojë edhe të majtën evropiane!
KAQ!