Belind Këlliçi, denoncuesi i parë i aferës korruptive “5D”, foli gjatë protestës së thirrur nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit para Bashkisë së Tiranës. Ai theksoi se, protesta e sotme ishte vetëm fillimi për të larguar nga bashkia kreun e organizatës kriminale, Erion Veliajn, i cili së bashku me shtabin e tij kriminal të drejtorëve të besuar, ka grabitur taksat e qytetarëve të Tiranës.
“Erion Veliaj iu ka vjedhur qytetarëve të Tiranës 130 milionë euro taksa për inceneratorin që nuk ekziston”, tha Këlliçi, i cili po ashtu rikujtoi edhe Ardit Gjoklajn, i riu i cili humbi jetën në landfillin e Sharrës, një ngjarje për të cilën Erion Veliaj dyshohet se ndikoi te prokurori i çështjes për ta mbyllur atë.
Më tej Këlliçi e pyeti Veliajn se ku i ka drejtorët, shtabin elektoral, duke e pyetur një për një me emra për secilin prej tyre.
“I bëj thirrje nga këtu Erion Veliajt – arrestohesh apo jo, ky nuk është problemi ynë. Largohu një orë e më parë nga zyra e kryetarit të bashkisë dhe çliro Bashkinë e Tiranës!
Ti hajdut i pronave publike të qytetarëve të Tiranës. Ti bandit i taksave të qytetarëve të Tiranës. Ti, i cili me bandën tënde, me organizatën tënde kriminale ‘5D’ terrorizove qytetarët e Tiranës në 14 maj.
Ku e ke sot shefin e shtabit elektoral që vodhe në 14 maj votat?
Ku e ke Taulant Tushën?
Ku e ke të deleguarin politik në njësinë 4, Mariglen Qaton, që nuk ka lënë qytetar pa gjobitur?
Ku e ke sot të dërguarin në njësinë nr 1, Redi Mollën?
Ku do e kesh shumë shpejt Herion Rrapajn e Kombinatit që nuk ka lënë asfalt elektoral pa shtruar në Tiranë pa vjedhur qytetarët?
Ku i ke banditët e tu, kryetaren e Partisë Socialiste në Laprakë, Eglantina Zëren? Ku e ke?
Pse nuk dilni këtu?
E dini ku ndodhet Erion Veliaj tani? Po drekon me anëtarët e bandës në lokalin e një tjetër banditi!”, tha Këlliçi.