Nga Luçiano BOÇI
Në një shkrim pa bujë por me plot kuptim një gazetar i mirënjohur nënvizoi një fakt rrëqethës pavarësisht ekzotizmit që përmbante:
Disa ndërkombëtarë, miq të Kryeministrit, i drejtoheshin këtij të fundit me nofkën përkëdhelëse “Feliks”.
Për ata që nuk e njohin bëhet fjalë për Miguel Angel Felix Gallardo bosin e njohur të kartelit të Guadalajarës, i cili arriti të bashkonte në një konfederatë krimi të gjitha kartelet meksikane.
Por më të famshëm Feliksin e bëri aftësia e tij dhe angazhimi për të diktuar zgjedhjet politike në favor të partisë, apo individëve politikë, me të cilët këmbente favoret përkatëse.
Përkëdhelja duket e gjetur nga miqtë e tij. Është një përkufizim i saktë i portretit real të Ramës.
Të dy megjithëse në kontekste historike dhe gjeografike të ndryshme janë përfaqësuesit tipikë të krimit politik.
Me disa ndryshime të vogla.
Felix Gajardo mbeti deri në fund një shërbëtor i politikës, ndërsa Rama është deri në fund një shërbëtor i karteleve.
Feliks Gajardo nuk veshi kurrë kostum politik dhe maksimumi kaloi portën e një partie për “biznes”, ndërsa Rama që kur u bë përfaqësues politik hyri me kostumin e politikanit dhe madje sot është në ofiqin më të lartë të politikës, falë mbështetjes së mafias e narkotrafikut.
Përkëdhelja e ndërkombëtarëve ka brenda pranimin dhe cinizmin tipik evropian ndaj atyre që i shohin si modele inferiore, por që nuk ia shprehin drejtpërdrejtë për shkak të etikës dhe sidomos interesit, derisa te piqet momenti i duhur.
Dhe momenti po afrohet. Perdet kanë kohë që kanë rënë duke nxjerrë në pah atë që shumica e shqiptarëve e di: REPUBLIKËN E MAFIAS.
Një republikë ku mafia dhe shteti nuk kanë kufij dhe ku drejtuesi kryesor politik, Kryeministri, sot përfaqëson mafien politiko-kriminale të veshur me pushtet.
E kjo nuk është retorikë politike sado të ngjajë si gjuhë akuze. Është përkufizim i saktë i asaj çka është prodhuar keto vite ne Shqipëri.
Kjo që ka ndodhur me republikën tonë nuk ka të ngjashëm askund.
As në Itali ku mafia ka lindur, ajo nuk arriti të marrë pushtetin politik. Akuzat dhe për këtë nuk kanë munguar, referuar së vërtetës. Mafia kishte përfaqësuesit e vet kudo deri në sferat më të larta, por simbioza mbeti e kufizuar pa arritur të rrëmbejë të gjithë shtetin.
Në Kolumbinë e Escobarit, e njëjta gjë. Politika dhe kartelet ndanin të njëjtin territor, por portat e politikës qëndruan të mbyllura dhe për vetë Escobarin , mgjs ishte ai që përcaktonte fituesin.
Meksika ruan pamje të ngjashme. Kartelet janë shpesh në rivalitet politik duke eliminuar dhe kandidatë politikë. Feliksi mbahet si më i suksesshmi për shkak të natyrës negociatore, por vetë ai apo të tjerë bashkëpunëtorë megjithatë nuk e kapën dot politikën në maja për ta drejtuar vetë, pavarësisht financimeve e mbështetjeve që ofronin për partitë përkatëse.
Përkundrejt kësaj në Republikën e mafies sonë nuk dihet ku fillon mafia e ku mbaron shteti.
Sepse janë një trup i vetëm i drejtuar nga një njeri dhe kupolë e vetme me etiketën Rilindje. Kontrollojnë çdo qelizë ekonomike, sociale e politike dhe kanë armët efikase të drejtësisë, policisë, bandave, administratës e killerave në dispozicion, me të cilat drejtojnë vendin, diktojnë votën, sulmojnë opozitën, zhvasin pasuri me ligj e pa ligj e peshojnë si në tregun e gjësë së gjallë para e vrasje.
Dhe më saktë se e zbulojnë këtë realitet veprimet e SPAK, policisë e gjykatave nuk besoj se ka.
Aksioni show i fundit i vuri vulën Republikës sonë së mafias. Askush nuk u arrestua realisht, përpos atyre që tashmë janë në situatë të tillë. Dhe këta u shtuan si pjesë e sakrificës që anëtarët e mafias e pranojnë si kontratë në emër të shpëtimit të kupolës.
Kupola nuk përmendet fare dhe madje krahu juridik i mafias ka fshirë dhe komunikimet e tyre nga të dhënat e Sky Encrochat dhe transmeton mediatikisht atë që do.
Show i prodhuar krahas shmangies së vëmendjes nga aferat e shpërthyera, kërkon të mbyllë kapakun e dimensionit kriminal të krerëve kryesorë politikë alias krerëve të të mafias dhe të buratinit-Kryeministër të REPUBLIKËS SË MAFIAS.