Censusi/ Berisha: Edi Rama ka 6 muaj që regjistron si të gjallë të vdekurit

Kryetari i PD, Sali Berisha ka reaguar ashpër për shtyrjen e publikimit të censusit nga ana e INSTAT-it të qeverisë së Edi Ramës. Në fjalën e tij gjatë protestës maratonë në ‘Rrugën e Shpresës’, Berisha akuzoi drejtëpërdrejtë Edi Ramën se ‘ka 6 muaj që regjistron si të gjallë të vdekurit tanë’.

“Miqtë e mi, Edi Rama shtyu përsëri publikimin e regjistrimit të përgjithshëm të popullatës.

Sikur shqiptarët të mos ishin njerëz, por të ishin banorë të një pularie.

Të ishin banorë të një stalle.

Dhe ky armik i egër, ky Çubrilloviç i shqiptarëve, që shpopulloi këtë tokë më shumë se çdo pushtues tjetër, ka 6 muaj që regjistron si të gjallë të vdekurit tanë.

Ka 6 muaj që shndërron regjistrimin e popullsisë në regjistrat e Çiçikovit, një personazh i Nikola Gogolit.

Ka 6 muaj që përpiqet të fshehë krimin më makabër të kryer në histori ndaj kësaj toke, zhbërjen, shpopullimin e 1.1 milion shqiptarëve në qeverisjen e tij 10-vjeçare.

Miqtë e mi, nuk ka akt tradhtie më të lartë se kjo. Nuk ka krim më monstruoz kundër shqiptarëve se ky.

Nuk ka shërbim më të madh ndaj armiqve të kombit se sa ky shpopullim.

Nuk ka ndëshkim mbi tokë që nuk meriton Edi Rama për këtë shpopullim të tmerrshëm që rendit Shqipërinë fill pas Sirisë.

Miqtë e mi, Siria ka 10 vite në luftë të egër civile.

Kurse Shqipëria, shqiptarët edhe ata kanë 10 vite. Nuk përballen me ISIS-in, nuk përballen me diktaturën e Asadit, por përballen me formën më të keqe të diktaturës. Me diktaturën e krimit, drogës dhe vjedhjes së tyre.

Në qoftë se ka në historinë e kombit dhe në historinë e botës nj vërtetim absolut se diktatura e bandave, krimit, drogës dhe vjedhjes është forma më e egër e diktaturës, modeli, shembulli më autentik është Shqipëria nën sundimin e Edi Ramës.

Është Shqipëria që paraqitet para fëmijëve të saj, para bijave dhe bijve të saj si një tokë e ndaluar, për të mos thënë si një tokë e mallkuar.

Sepse në mallkim shndërrohen për ta pasuritë e saj.

Në mallkim shndërrohen për ta të ardhurat e saj.

Se ato vidhen, vidhen dhe vetëm vidhen nga qeveritarët, nga Edi Rama, familja e tij, klani i tij”, tha Berisha.

About Redaksia

Check Also

Nikolla u dorëhoq, apo e larguan?

Lindita Nikolla ka njoftuar se do të largohet pas pas tre vitesh nga posti i …