Lirohet nga burgu i “tmerrshmi” i Beratit

Aleksandër Kuqo, i njohur si i “tmerrshmi” i Beratit ose “i forti” i Beratit është liruar nga burgu. Top Channel duke u bazuar në burimet e tij, raporton se Kuqos i kishte mbetur dhe një vit e gjysmë burg për ta vuajtur në burgun e Beratit, por ka përfituar nga amnistia.

Që nga vrasjet e deri tek trafiku i femrave, Kuqo është një nga emrat më të njohur të botës së krimit në vend dhe i dënuar nga Italia me burgim të përjetshëm.

Në vitin 2001, Aleksandër Kuqo, u dënua me 21 vite burg nga gjykata Fier, pasi u arrestua në Shqipëri për llogari të drejtësisë italiane. Mbi Aleksandër Kuqon rëndojnë dhjetëra akuza nga drejtësia italiane, e cila në vitin 1999 e ka dënuar me burgim të përjetshëm për akuzat e “vrasjes me paramendim në bashkëpunim”, “armëmbajtjes pa leje të armëve luftarake” dhe “trafikimit të femrave për prostitucion në bashkëpunim”.

Vendimi i Gjykatës së Fierit, që e konvertoi vendimin italian në 21 vjet heqje lirie, në atë kohë u përfol dhe u konsiderua si një skandal i drejtësisë shqiptare.

Në vitin 2003 Kuqo u arrestua për llogari të Policisë së Fierit pasi rezulton banor i këtij qyteti, por u lirua nga gjykata pasi prokuroria paraqiti një dokumentacion që vërtetonte se ai ishte i sëmurë mendor. Lirimi i Kuqos pasoi shkarkimin e një prokurori dhe një gjykatësi në Fier.

Aleksandër Kuqo u riarrestua më datën 6 maj të vitit 2006, nga Policia e Beratit për llogari të Prokurorisë së Fierit dhe në atë urdhër përcaktohej prangosja e Kuqos “për ekzekutimin e vendimit penal nr.13, datë 22 janar 2003, dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë, Fier, për caktimin e masës mjekësore ndaj Aleksandër Kuqos”.

About Redaksia

Check Also

Nikolla u dorëhoq, apo e larguan?

Lindita Nikolla ka njoftuar se do të largohet pas pas tre vitesh nga posti i …