Publikimi i tezës së provimit të maturës, justifikim skandaloz i Ministrisë së Arsimit 

Rreth 28 mijë maturantë i’u nënshtruan sot provimit të parë të Maturës Shtetërore, ku po testohen për gjuhën e huaj.

Edhe këtë vit, vetëm 30 minuta pas fillimit të provimit, ka dalë online teza e anglishtes, në një prej faqeve online në rrjetin social “Instagram”.

Publikimi i tezës në rrjetet sociale tregoi se Ministria e Arsimit dështoi sërish në këtë aspekt.

Ministria e Arsimit ka bërë një reagim ku justifikohet për dështimin duke thënë se akti i shëmtuar i fotografimit dhe publikimit të tezës së provimit të maturës të gjuhës së huaj, pasi ka nisur provimi, nuk ndikon aspak në proces.

“Ministria e Arsimit dhe Sportit sqaron opinionin publik, maturantët, prindërit e tyre dhe mësuesit tanë të përkushtuar, se akti i shëmtuar i fotografimit dhe publikimit të tezës së provimit të maturës të gjuhës së huaj, pasi ka nisur provimi, nuk ndikon aspak në proces dhe as nuk zhvlerëson punën dhe mundin e mijëra mësuesve e punonjësve arsimorë, që janë angazhuar prej muajsh që ky proces të jetë transparent dhe i drejtë për të gjithë nxënësit.

Ministria e Arsimit dhe Sportit dënon fuqimisht çdo përpjekje për të minuar integritetin e procesit të provimit dhe punën e maturantëve, mësuesve dhe punonjësve arsimorë.

Ministria e Arsimit dhe Sportit siguron se provimi po zhvillohet në standarde të larta, duke krijuar çdo mundësi për maturantët që të tregojnë aftësitë dhe kompetencat e tyre të përfituara gjatë shkollës së mesme.

Këto standarde janë siguruar nëpërmjet programit orientues të Maturës Shtetërore, konsultimeve në çdo shkollë, testeve model të përgatitura nga QSHA, paratesteve të zhvilluara në çdo gjimnaz dhe këshillimeve nga shërbimi psiko-social për menaxhimin e stresit në provime.

Hartimi i testit është kryer në kushte të larta sigurie dhe profesionalizmi, dhe organizimi i provimit ka përfshirë trajnimin dhe certifikimin e të gjithë personave të përfshirë në administrimin e Maturës.

Ministria e Arsimit dhe institucionet arsimore kanë marrë masa për të përmirësuar procesin e Maturës Shtetërore, duke përfshirë, monitorimin e rreptë të ambientit të provimit përmes kamerave të sigurisë, trajnime shtesë për administratorët, kontrollin rigoroz të hyrjes dhe daljes në ambientet ku zhvillohen provimet, rritjen e transparencës dhe përmirësimin e kushteve të provimit për të krijuar një mjedis miqësor që ndihmon në reduktimin e stresit të maturantëve dhe përmirësimin e performancës së tyre.

Për ne, suksesi i maturantëve tanë është parësor dhe ne do të vijojmë të punojmë me përkushtim për t’u siguruar atyre një proces të drejtë dhe të ndershëm”, thuhet në reagim.

About Redaksia

Check Also

Berisha për “Antena3 CNN”: Balla mik me Coldea, Agaçi ka firmosur kontratën që Coldea të jetë këshilltar i Ramës

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i cili një javë më parë zbuloi se ish-deputeti …