Nga Laura Gozzi, BBC
Kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen, i tha Donald Trump se i takon Groenlandës të vendosë vetë për të ardhmen e saj.
Presidenti i zgjedhur i SHBA-së shkaktoi trazira javën e kaluar në Kopenhagë dhe Nuuk, kryeqyteti i Groenlandës, kur sinjalizoi se SHBA dëshironte të merrte ishullin e madh arktik, i cili është një territor autonom i Danimarkës.
Në një telefonatë 45-minutëshe të mërkurën, Frederiksen i tha Trump se Danimarka ishte e përgatitur të rriste përgjegjësinë e saj për sigurinë në Arktik.
Ajo përsëriti edhe deklaratat e kryeministrit të Groenlandës, Mute Egede, i cili së fundmi tha se Grenlanda nuk ishte në shitje.
Trump nuk reagoi publikisht ndaj telefonatës. Sidoqoftë, ai ripostoi në llogarinë e tij TruthSocial një sondazh të vitit 2019 që tregoi se 68% e groenlandezëve mbështesin pavarësinë nga Danimarka.
Referendumi për pavarësinë mendohet të jetë në plan dhe Danimarka ka thënë se do të respektojë çdo rezultat.
Kur ishte president herën e parë, Trump tha se donte të blinte Groenlandën. Kur Frederiksen e quajti propozimin “absurd”, ai anuloi papritur një udhëtim në Danimarkë.
Qeveria daneze tha se në bisedën e saj telefonike me Trump, Frederiksen theksoi gjithashtu se: “Kompanitë daneze kontribuojnë në rritjen dhe vendet e punës në SHBA, dhe se BE dhe SHBA kanë një interes të përbashkët në forcimin e tregtisë”.
Javën e kaluar, Trump kërcënoi Danimarkën me tarifa të larta nëse vendi nuk hiqte dorë nga Groenlanda.
Sugjerimi ndezi kambanat e alarmit midis drejtuesve të industrisë daneze, pasi SHBA është tregu i dytë më i madh i eksportit të Danimarkës dhe çdo tarifë e synuar do të kishte një ndikim të rëndësishëm në ekonominë daneze.
Të enjten, Frederiksen do të mbajë atë që media daneze e quajti një “takim krize” me liderët e biznesit, duke përfshirë CEO të gjigantit të birrës Carlsberg dhe gjigantin farmaceutik Novo Nordisk, që prodhon ilaçe për obezitetin dhe diabetin, të njohura në SHBA.
Ajo gjithashtu do të presë një takim të jashtëzakonshëm të Këshillit të Politikës së Jashtme me anëtarë nga i gjithë parlamenti.
Anëtarja e parlamentit groenlandez, Aaja Chemnitz, tha se ishte e kënaqur me qëndrimin e Frederiksen se çdo vendim për Groenlandën duhet të merret nga groenlandezët.
Në fillim të kësaj jave, Egede tha se qeveria e tij ishte gati të fillonte një dialog me administratën e ardhshme të Trump.
Por deputeti i opozitës, Rasmus Jarlov, tha se ai nuk e miratoi qasjen e Frederiksen.
Duke shkruar në X, ai tha: “Është krejtësisht e papranueshme që [Frederiksen] të heqë dorë nga të drejtat e Danimarkës mbi Groenlandën dhe ta lërë sovranitetin vetëm mbi vetëqeverisjen [groenlandeze] kur ajo bisedon me Presidentin e Shteteve të Bashkuara.”
Komentet e Trump dhe vizita e djalit të tij në Groenlandë javën e kaluar shkaktuan shqetësim të madh në Danimarkë. E përballur me mundësinë për të zemëruar atë që ajo e quajti vazhdimisht “aleati më i ngushtë i Danimarkës”, Frederiksen i mati fjalët e saj duke theksuar të drejtën e Groenlandës për vetëvendosje.
Hans Redder, redaktori politik i TV2, tha se fakti që Trump kishte lënë mënjanë 45 minuta për një telefonatë me Frederiksen tregon se “kjo gjëja e Groenlandës është me të vërtetë diçka që është në mendjen e Trump – nuk është thjesht një mendim kalimtar”.